Hapat që do ndërmerren nga qeveria në kuadër të procesit të integrimit pas marrjes së vendimit për statusin kandidat të Shqipërisë në BE, janë diskutuar në mbledhjen e sotme të qeverisë. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një konferencë për shtyp.
 
Sipas Gjoshës në mbledhjen e Qeverisë janë diskutuar me detaje konkluzionet e Këshillit të ministrave të jashtëm. Ministrja e Integrimit ka bërë të ditur se në fokusin e qeverisë fokus do të jetë realizimi i reformës administrative territoriale dhe reformave në drejtësi, si dhe plotësimi i 5 prioriteteve.
 
“Kemi pasur mbledhjen e qeverisë ku janë diskutuar me detaje konkluzionet e Këshilli të ministrave të Jashtëm dhe hapat në vazhdim në kuadër të integrimit. Në fokus do të jetë realizimi i reformës administrative territoriale dhe reformave në drejtësi, si dhe plotësimi i 5 prioriteteve. Do të vazhdojmë me një nga kërkesat që vijnë nga vendet anëtare, ulja e presioneve migruesve në vendet e BE, dhe të rasteve të azilit. Synojmë të ulët numri i azilkërkuesve nga Shqipëria. Në fokus do jetë edhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore. Ftojë opozitën të jetë pjesë e gjithë reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian.
 
Statusi i vendit kandidat është një mesazh i fuqishëm politik, që flet për arritjet e Shqipërisë dhe vijimin e përpjekjeve. BE ndodhet në një moment krize dhe ne nuk mund të mirëpresim një rritje të mirëfilltë të fondeve. E rëndësishme është që Shqipëria të vijojë me ndërmarrjen e të gjitha reformave kryesore që i nevojitën vendit.”-tha Gjosha.
 
 
Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)