TIRANE- Ministri i Jashtëm holandez Frans Timmermans i ka dhënë garanci homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati në lidhje me mbështetjen për integrimin në BE të Shqipërisë. Në lidhje me votimin e rekomandimit në dhjetor, ai tha se nuk është vendosur ende.
Kryediplomati holandez Frans Timmermans siguron homologun shqiptar Ditmir Bushati për mbështetjen e Mbretësisë së Holandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Nga ana e tij, Bushati shprehu besimin se statusi i vendit kandidat është i arritshëm në dhjetor, ndërsa theksoi se mbetet ende shumë punë për të bërë për të mundësuar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Në konferencën e përbashkët për shtyp Timmermans e Bushati theksuan gatishmërinë për intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme. Që në fillim ministri i Jashtëm i Holandës deklaroi se e mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. “Udhëtimi që keni ndjekur ju ka qenë i mrekullueshëm dhe i ka habitur të gjithë në Evropë. Unë personalisht jam tërësisht i angazhuar dhe i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë në BE. Por ama të gjithë ne e dimë që kjo do jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë kjo për arsye se të gjithë e dimë që integrimi i vendit kërkon kritere të larta”, deklaroi Timmermans.

Çështja e integrimit të Shqipërisë në BE, ishte dhe arsyeja përse ai vendosi të vizitojë Shqipërinë. “Ju personalisht bëtë apel të fortë për mbështetjen tonë në mbledhjen e Këshillit Evropian në dhjetor. Me sa kam kuptuar kjo është një çështje që ka mbështetjen politike të gjerë në Shqipëri. Arsyeja është pikërisht që të bisedoja për këto arsye dhe t'i merja me vete dhe t'i diskutoja me Këshillin e Ministrave në Hollandë dhe me homologët e mi në BE. Do shikojmë çfarë do të dalë nga debati që do kemi në Holandë dhe debati që do të bëhet në BE”, tha Timmermans.  Ai theksoi se marrëdhëniet e bashkëpunimit Shqipëri-Holandë do shtrihen dhe në fusha të tjera, si ekonomi, bujqësi, menaxhimin e ujrave, planifikimin urban. “Të gjithë ne e dimë që kjo do jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë kjo për arsye se të gjithë e dimë që integrimi i vendit kërkon kritere të larta.

Por përsa i përket vendimit tonë ne ende s'kemi vendosur si do votojmë. Jemi duke e studiuar me vëmendje progres raportin, i cili është shumë kompleks. Por pyetje të tilla se aplikojmë standarte te dyfishta, i kam dëgjuar edhe më herët”, iu përgjigj Timmermans pyetjes si do votojë Holanda për Shqipërinë. Ndërsa Bushati ka falenderuar homologun holandez për mbështetjen dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit. Ai tha se bashkëpunimi mes Holandës e Shqipërisë është i hershëm e kohët e fundit është shtrirë edhe në fusha të mjedisit, zhvillimit lokal, etj. Bushati theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është proces i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin e Shqipërisë, por edhe të rajonit.

Sipas Bushatit ai e homologu i tij holandez ndanë mendimin e përbashkët se rruga e Shqipërisë është drejt familjes evropiane ndaj dhe ai kërkoi mbështetjen e Holandës. “E fundit, por jo më pak e rëndësishme i kërkova Ministrit të Punëve të Jashtme të Holandës mbështetje në lidhje me propozimin e Komisionit Europian për kërkimin e dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë“, tha ministri Bushati.
 
Shkrimi u publikua sot (24.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)