Statusi, Sequi: Shqipëria po bën
progres, pavarësisht vështirësive

Statusi, Sequi: Shqipëria po bën <br />progres, pavarësisht vështirësive
TIRANE - Në një intervistë për Radio Radicale, radio kombëtare dhe politike në Itali ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi shprehet lidhur me nismën e tij në dialogun me shkrimtarë, artistë, filozofë të cilët ndajnë me ambasadorin pikëpamjet mbi integrimin evropian të Shqipërisë.

Duke iu referuar bashkëbisedimit me shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, Sequi shprehet se i ka mbetur në mendje shprehja e shkrimtarit ku thotë: “Evropa është shteti natyral i Shqipërisë, i vetmi shtet! Kështu besoj se kjo gjë është pak a shumë perceptimi i të gjithë shqiptarëve. Shqipëria është një vend shumë filo-Evropian.”

Lidhur me personazhin e dytë që ambasadori do të ftonte në bashkëbisedim, Sequi nuk jep një emër konkret por shprehet se do të jetë “një personalitet jo shqiptar dhe shumë i njohur në botën globale.”

I pyetur nga gazetari Artur Nura se a ka dialog mes palëve politike në vendin tonë, ambasadori i kujton politikanëve shqiptarë se “dialog nuk simbolizon monologë të ndryshëm të palëve.”

Duke iu referuar integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, diplomati thotë se “Ballkani dhe në zë të veçantë Shqipëria është duke bërë shumë progres, megjithëse me një seri vështirësish.”

Ambasadori flet edhe për raportet dhe interesat, përgjegjësinë e BE-së për zgjerimin e saj me Ballkanin dhe veçanërisht Shqipërinë.

INTERVISTA

I nderuar Ambasador, meqë kam vënë re, pse jo me kënaqësi që ndërsa ushtroni detyrën e një diplomati të karrierës, ju mungon edhe profesioni i gazetarit, një kujtim, një përvojë kjo e largët tashmë, por që ju jeni duke e ushtruar me dialogun që keni ideuar me shkrimtarë, filozofë, analistë, artistë shqiptarë të cilët do të ndajnë me Ambasadorin e Bashkimit Evropian, domethënë me ju dhe gjithashtu me publikun shqiptar, pikëpamjet e tyre mbi integrimin evropian të Shqipërisë, ndaj dua ta nisim këtë bashkëbisedim në lidhje me këtë dialog. Siç e dihet gjerësisht tashmë, ai ka filluar midis jush dhe shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare z. Ismail Kadare, bashkëbisedim ky i pasqyruar në mënyrë adekuate nga shtypi jo vetëm shqiptar, ne në Radio Radikale me kënaqësi i kemi ofruar hapësirë të mjaftueshme, por unë duke përfituar nga kjo mundësi që më ofroni, do dëshiroja t’u pyes cila është përshtypja e fituar personalisht nga ju pas këtij dialogu me Kadarenë, një shqiptar evropian i shkëlqyer dhe sigurisht, pas pasqyrimit të gjerë që ju bë në shtyp?

Fillimisht dëshiroj të përshëndes të gjithë miqtë e Radio Radicale duke thënë se është kënaqësi të rikthehesh te kjo Radio e cila është njëra prej dy stacioneve radiofonik që unë dëgjoj ndërsa jam në Itali. Nuk them gjë tjetër, veçse kur jam në makinë më pëlqen të dëgjoj Radio Radicale. Për tu përgjigjur ndaj pyetjes tuaj, duhet të them se kam punuar tre vite si gazetar kur mbarova studimet, por kjo eksperiencë më ka mbetur në mëndje për natyrën e këtij profesione. Gazetarët duhet të jenë kurioz dhe duhet të jenë të vendosur në gjetjen e fakteve dhe argumentimin e tyre në mënyrën më të thjeshtë ndaj lexuesve apo dëgjuesve.
Në fakt, me këtë pikësynim tani jam duke moderuar një seri intervistash, të cilat në njëfarë mënyre janë bashkëbisedim me disa nga aktorët e botës politike shqiptare. Ata, mbi të gjitha janë konceptuar të jenë pjesë e botës së artit, letërsisë, kulturës shqiptare, por jo vetëm shqiptare. Dhe, Ismail Kadare që është një evropian i bindur i botës shqiptare, por që është edhe shkrimtari më i mirë shqiptar, ndoshta edhe në dimensione Ballkanike dhe jo vetëm. Midis të tjerësh, ka qenë së fundi edhe në listën e shkurtër të konkurrentëve të Çmimit Nobel për letërsinë. Kështu pra, më duhet të them se pata idenë e këtij dialogimi për të arritur të kuptoja se çfarë një personazh domethënës mendon në lidhje me Evropën dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë. Kështu kam dashur të shpjegoj dhe dua të shpjegoj, për shembull në intervistën me Kadarenë në mënyrë të kthjellët, se çfarë në fakt, presin shqiptarët nga Evropa. Një frazë nga ky bashkëbisedim më ka mbetur thellësisht në mëndje, Kadare më tha: Evropa është shteti natyral i Shqipërisë, i vetmi shtet! Kështu besoj se kjo gjë është pak a shumë perceptimi i të gjithë shqiptarëve. Shqipëria është një vend shumë filo-Evropian.
Një statistikë që kemi publikuar vetëm disa ditë më parë thotë se nëse sot të mbahej një referendum 87% e shqiptarëve do të votonin “Pro” për tu bërë menjëherë Anëtar të Bashkimit Evropian dhe vetëm 7% do të votonte “Kundra”! Kjo është një përqindje shumë e lartë dhe në këto vitet e fundit ka qenë gjithmonë kështu. Këto të dhëna bëhen më të rëndësishme nëse konsiderojmë edhe krizën në Euro-Zone nga ku edhe prirjet brenda Evropës vetë kanë rënë në këtë drejtim. Megjithatë, më duhet të them se përqindja e Shqiptarëve që janë filo Evropian që nga viti i shkuar është rritur deri ne 7%.
Në fakt, ky ishte edhe mesazhi i vetë Kadaresë i cili u shpreh në mënyrë të shkëlqyer duke thënë të njëjtën gjë, por sigurisht shpjeguar në mënyrën e tij të veçantë, do thoja në mënyrë efikase dhe racionale edhe kundrejt atyre shqiptarëve që e ndjejnë, edhe pse nuk e perceptojnë qartë, që të shkohet drejt Evropës është një gjë shumë pozitive për vendin tuaj.

I nderuar Ambasador, mund të themi që Kadare është një shqiptar europian. Ai jeton si në Tiranë ashtu edhe në Paris, por unë besoj që na nevojitet të dimë se cili do të jetë personi i dytë që do të vazhdojë këtë dialog me ju?

Po, kemi një listë jo të shkurtër emrash të cilët mund të jenë bashkëbiseduesit e radhës, e cila në fakt parashikon edhe intervista në ekranin e vogël të televizionit. Dhe pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një personalitet të një hapësire shumë të gjerë dhe jo shqiptar. Më duhet të them se jam këshilluar edhe me Emma Boninon ( Zv. Presidente e Senatit italian) kur u takuam në Tiranë dhe biseduam dhe, ajo më tha se duke parë rastësinë që do e takonte këtë personalitet së afërmi, më premtoj ta diskutonte me të këtë mundësi dialogimi. Për arsyen e thjeshtë që nuk kam akoma përgjigjen e këtij personi, nuk mund ta them emrin, por sigurisht mund të shtoj se bëhet fjalë për një personalitet jo shqiptar dhe shumë të njohur të botës globale. Por, pas kësaj interviste do kemi të tjerë që do i ndjekin këto bashkëbisedimet e para dhe do të dëgjojmë dhe mësojmë se çfarë mendojnë për këtë intelektualët shqiptarë.

Shkëlqesi, ne në Shqipëri jemi mësuar ta dëgjojmë Ambasadorin e BE-së në gjuhën angleze, por meqë ju jeni një qytetar italian dhe Radio Radicale, network kombëtar po italian dhe, meqenëse do qëndrojmë tek dialogu si institucion i domosdoshëm dhe duhet të kalojmë tek dialogu i BE-së me politikën shqiptare e cila po kalon nëpër vështirësi të caktuara, do të doja t’u pyes: a është e vështirë të dialogohet me politikanët shqiptarë?


Më pëlqen që ju përdorni fjalën dialog, sepse unë besoj se dialogu është një instrument bazë në ndërtimin e Bashkimit Evropian. Dialogu simbolizon të dish të flasësh, të interpretosh të tashmen dhe perspektivën, por në të njëjtën kohë simbolizon të dish edhe të dëgjosh. Është kjo që unë kërkoj t’i them politikanëve shqiptarë kur më thonë se janë dakord me dialogun, por më duhet t’i kujtoj se dialog nuk simbolizon monologë të ndryshëm të palëve. Në fakt, më duhet të them që dialogu me politikanët shqiptarë është shumë interesant. Ashtu si me pjesën tjetër të qytetarëve të cilët janë pasionantë shumë të mirë...

Ndoshta ata janë shumë pasionantë dhe më pak racionalë...?


Unë besoj se ka padyshim një racionalitet të madh, por ka raste kur, le ta themi, ka disa kushtëzime të një lloji të veçantë kur është e vështirë të rikonsiderosh disa zhvillime, akt i cili mund të konsiderohet si kthim pas! Ata mendojnë se kjo mund të konsiderohet si dobësi. Ajo që ne kërkojmë të vlerësojmë me politikanët Shqiptarë është eksperienca evropiane, dialogu, shpirti i kompromisit në sensin pozitiv të këtij institucioni. Kapaciteti që të kuptohet që në disa situata në të cilat qëndrimi tek vlera zero, është në të gjitha rastet humbës. Është më e thjeshtë të fitosh diçka, kur edhe tjetri fiton diçka, dhe kjo teori, jo gjithmonë kuptohet drejtë! Por unë kam vënë re që në dialogun me politikanët shqiptarë ka një element që po bëhet gjithmonë e më shumë element bashkues: perceptimi që ëndrra shqiptare për Evropën është e rëndësishme. Dhe politikanët po bëhen më të ndërgjegjshëm për këtë që bashkon shumicën, ose më thjeshtë që dialogu është i rëndësishëm për rrugën evropiane të Shqipërisë. Këtu, kemi dy konsiderata të rëndësishme për të bërë: e para është që edhe dialogjet për të cilat folëm më parë, domethënë intervistat me personalitet Shqiptare dhe jo shqiptarë janë nevojë për të bërë të ndërgjegjshëm njerëzit për thelbin që është: Evropa është në interesin e tyre më të mirë. Pra, për t’u referuar segmenteve të ndryshme të shoqërisë shqiptare për të shpjeguar mirë arsyet nga të cilat të thuhet se është interesi i qytetarit shqiptar për të shkuar drejt Evropës. Të bësh këtë do të thotë të krijosh një masë kritike pozitiviste të mënyrës edhe si presion pozitiv ndaj politikanëve.
Unë kam vënë re që në këto dy vitet e fundit në të cilat unë kam qenë këtu nuk kam gjetur edhe një të vetëm politikan i cili të mos e thotë se Evropa është një vlerë pozitive, pa dallim dhe kjo sinjifikon që përtej faktit që ata e kanë kuptuar këtë dimension të rëndësishëm, ndihet edhe një presion pozitiv i opinionit publik i cili është shumë europeist.

Sidoqoftë z. Ambasador, unë si gazetar kam pasur mundësinë t’u shoh ju personalisht, por edhe Ambasadorin Amerikan në Shqipëri z. Aleksandër Arvizu dhe kreun e OSBE-së në Tiranë, z. Eugen Worthfarth të jeni të detyruar të kaloni, herë pas here, nga zyrat e partisë socialiste tek ato të kryeministrit të Shqipërisë, sipas meje, sepse është pothuaj e pamundur që të dialogoni me dy krerët njëkohësisht...?

Para së gjithash më duhet të them që ne nuk jemi dhe nuk kërkojmë të jemi ndërmjetësues. Në rastin konkret mund të thuhet që tentojmë të jemi lehtësues, nxitës të këtij dialogu dhe, duke parë se ju përmendet ambasadorin amerikan dhe atë të OSBE-së, domethënë të gjithë Komunitetin Ndërkombëtar këtu, ka një fenomen shumë interesant, domethënë baza e këtij dialogu që kërkojmë te mbështesim me politikanët Shqiptarë, lind nga bindja e përgjegjshme e të gjithë faktorit ndërkombëtar, që efektivisht i vetmi, nëse jo i vetmi, më i rëndësishmi bashkues që mund të favorizojë këtë dialog që mund të unifikojë politikën shqiptare është pikërisht procesi i integrimit Evropian. Këtë gjë ma ka thënë pak kohë më parë edhe Ambasadori Amerikan që më deklaronte se, ne amerikanët mbështesim më shumë impenjim procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë sepse shohim që efektivisht është instrumenti më efikas për të krijuar konsensus midis politikanëve shqiptarë. E kemi parë në vitet e fundit kur reforma që dukeshin të pamundura, në sajë të nevojës për të përparuar në rrugën drejt Brukselit ka bindur politikanët shqiptarë të adoptonin disa kompromise, pra të bashkëpunonin së bashku në reformat të cilat dukeshin më parë të pamundura.

I nderuar Ambasador koha për integrimin e Shqipërisë në BE, pavarësisht këtyre zhvillimeve shumë pozitive, duket se, situata shqiptare politike nuk është dhe aq premtuese në këtë vend ku shoqëria kërkon në “shumicë të cilësuar” të jetë pjesë e Familjes Politike Europiane, por që politika e saj nuk po rezulton aq aftë sa ta fitojë këtë betejë në emër të shoqërisë, ndaj ju pyes: Shqipëria sot është më larg apo më afër BE-së?

Unë kam qenë këtu në Shqipëri edhe në kohë të mëparshme dhe më duhet të them se aspekti që më impresionon më shumë, pas një rikthimi timin në Shqipëri, pas 6 vitesh, dhe kjo mund të them se mund të thuhet për të gjitha vendet ballkanike, jo vetëm për Shqipërinë, është që nëse ballafaqojmë situata të cilat ishin 10 ose 15 vite më parë me sot, na duhet të themi që kjo pjesë e botës është sigurisht më e qëndrueshme dhe sigurisht më e begatë dhe sigurisht më e kujdesshme për një seri vlerash të cilat janë Europiane.
Më pëlqen të përkufizoj Evropën si një sistem vlerash të mirëpritura nga të gjithë. E gjitha kjo në anën e saj më domethënëse është rezultat e një procesi integrimi që Ballkani dhe në zë të veçantë Shqipëria është duke bërë shumë progres, megjithëse me një seri vështirësish...

Pra jemi më afër Evropës tani?

Sigurisht më afër në raport me ndonjë vit më parë. Duhet të them këtë: që ka një ndërgjegjësim që nëse procesi i integrimit do të ndalonte, kriza të mundshme nuk mund të përjashtohen. Por, duhet të them gjithashtu që procesi i integrimit që shihet nga njerëzit dhe pasqyruar kjo tek politikanët edhe pse me vështirësi në momente të veçanta, sidoqoftë po përparon. Dhe kjo shihet në një seri reformash që janë realizuar. Shikohet në njohjen qe ka politika ndaj mekanizmave që ky proces imponon, të cilat edhe njerëzit i kuptojnë shumë mirë dhe kërkojnë të informohen për të kuptuar më mirë ku ky proçes do ti çojë. Në fund, shihet edhe në njohjen e çdo zëri të veçantë që shoqëria do të mund të përfitojë nga proçesi i integrimit. Pra, përgjigja ime është se sigurisht Shqipëria është më afër Evropës. Duhet të thuhet gjithashtu që Shqipëria është larg akoma...

Mund ta përkthejmë këtë shprehje...?

Mund ta përkthejmë duke thënë këtë që unë nuk e di sa vite do ti duhen Shqipërisë që të bëhet Vend Anëtar i Bashkimit Evropian. Sigurisht unë e di që padyshim do të jetë Anëtare e BE-së. Më pëlqen të përsëris që ne jemi këtu për të ndihmuar, për ti dhënë një dorë përgjegjësisë të klasës politike shqiptare, por edhe shoqërisë shqiptare, shoqërisë civile, mediave, opinionit publik që ky vend është aktori parësor i fatit të tij. Kur themi që integrimi është objektiv kombëtar edhe duhet të dimë se, në një varkë nëse jo të gjithë shtyjnë rremat në të njëjtin drejtim, varka nuk shkon përpara...

Zoti Sequi a mund ta përkthejmë në shifra të përafërta financiare mbështetjen e BE-së në rastin kur mund të përfitojmë statusin e Vendit Kandidat dhe, në rast se nuk do të jemi në gjendje ta arrijmë atë?

Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Shqipëri, dhe dua të japë disa shifra të cilat janë shumë të rëndësishme. Në çdo vit ne shpenzojmë rreth 85 milion euro në projekte të cilat janë si të infrastrukturës, të asistencës teknike, në përgatitjen si të institucioneve administrative ashtu edhe të vetë shoqërisë shqiptare për të përballuar ato që janë sfidat e tregut, sfidat e një administrate që funksionon, sfida të një drejtësie që është më e drejtë dhe kështu më radhë. Në këto 7 vitet e fundit Bashkimi Evropian ka investuar në Shqipëri më shumë se gjysmë miliard euro, saktësisht 530 milion euro. Kjo bën që BE në mënyrë absolute të jetë donatori më i madh i Shqipërisë. Them vetëm që donatori i dytë në Shqipëri shpenzon më pak se 25% të këtij kontributi financiar tonin. Kjo simbolizon gjithashtu që ne kemi përgjegjësinë e madhe të mirë shpenzimit të këtij kontributi të parave të qytetarëve evropian.
Midis të tjerash duhet të themi me krizën ndërkombëtare që ka goditur edhe Evropën, ne edhe mund të thonim: Zotërinj, na vjen keq, por ne duhet të zvogëlojmë ndihmën tonë ndaj Shqipërisë, por nuk e kemi bërë këtë gjë. Do e kishin justifikimin të gatshëm , por nuk e kemi bërë. Dhe nuk e kemi bërë për një motiv shumë të thjeshtë: sepse besojmë tek rëndësia e këtij proçesi dhe tek rëndësia që ka fakti që Shqipëria të bëhet anëtare i BE-së. Unë e shoh këtë edhe si interes të vetë Evropës...
Le të themi edhe pse, jo për të gjithë Evropën njësoj, duke kujtuar se ka interesime të diferencuara të vendeve anëtare...
Po..., por kur ne flasim për çështje gjeopolitike duhet ti hedhim një vështrim hartës së Evropës, do të shohim se Ballkani Perëndimor është i rrethuar, në fakt duken si një lloj enklave në mes të vendeve Europiane, në një farë mënyre janë si Zvicra brenda Evropës. Kjo është një gjë e rëndësishme se tregon që faktikisht Ballkani perëndimor është pjesë e Evropës, ose të paktën gjeografikisht janë tashmë pjesë e Evropës.
Dmth, nevojitet të progresohet në këtë drejtim. Ne dimë gjithashtu që të gjitha destabilitetet që kemi patur në Europë në këto vitet fundit kanë ardhur nga këtu. Pra besoj se është edhe interes Evropian ky zhvillim Evropian i Ballkanit. Dhe shtoj akoma më shumë që nëse ne duam të ofrojmë një dimension global të politikës së jashtme Europiane, mesazhin që ne Evropianët jemi, mesazhin që vlerat mbi të cilat ne Evropianët jemi ndërtuar, që janë vlerat e dialogut, vlerat e pushtetit të butë dhe inteligjent të cilat janë të vyeshme dhe funksionale, duhet që fillimisht të mbajmë rregullin në shtëpinë tonë dhe të ofrojmë suksesin e këtij procesi zgjerimi.
Këtë ta bëjmë, nëse jo si model, si një shembull që ne vetë kemi qenë në gjendje të zgjidhim situata jo stabile që kanë qenë katastrofike edhe së fundi për vetë Evropën, pikërisht në sajë të këtij proçesi zgjerimi. Kështu do jemi më të besueshëm edhe kundrejt Botës edhe ndaj vetë nesh, duke kuptuar mirë që zgjerimi i Evropës në këto territore është edhe në interes të vetë Evropës.

Duke kujtuar se intervista e fundit që Radio Radicale ka realizuar me ju vjen që nga koha kur ju ishit Ambasador i BE-së në Afganistan dhe tani jeni në Shqipëri, më lejoni t’u pyes cila nga këto eksperienca ka qenë më e vështira?


Unë besoj se një përgjigje e sinqertë mund të ishte që eksperienca më e vështirë do jetë ajo që do të më vijë dhe nuk e di se cila do të jetë...por ju them se, si eksperienca në Afganistan dhe kjo në Shqipëri që vazhdon akoma, janë eksperienca absolutisht shumë të rëndësishme. Kam qenë gati 6 vite në Afganistan dhe duhet të them se nuk më ka rënduar. Kujtoj me shumë afeksion atë eksperiencë, ashtu si do shoh më vonë këtë eksperiencë këtu në Shqipëri. Kam parë në veprim personalitete të jashtëzakonshme. Pikërisht në ditët e shkuara kujtuam me Emma Bonino (zv. Presidente e Senatit Italian) kur ajo ishte Shefe e Misionit të vëzhgimit të Evropës në rastin e zgjedhjeve presidenciale në Afganistan dhe kur na nevojitej të fluturonim me avionët e Afganistanit që ishin realisht të lidhur së bashku në varg. Kur më duhet të them që BONINO më kurajë u bëri publikisht kritika trafikantëve të drogës dhe zotërinjve të luftës që megjithatë merrnin pjesë në ato zgjedhje, duke i lënë plotësisht me gojë hapur sikur ti kishte hedhur vezë në fytyrë, sepse ata kurrë nuk e prisnin, për më tepër nga një i person i huaj dhe me shumë kurajë dhe integritet të sinqertë...
Gjëra të ngjashme jam i sigurt do më ndodhin kur të mos jem më në Shqipëri. Nga Shqipëria do më mbesë në mëndje sigurisht pasioni, miqësia e kësaj popullsie. Por, ajo që më bën shumë përshtypje këtu, janë të rinjtë të cilët janë të jashtëzakonshëm. Janë të rinj kurrioz dhe me një vitalitet të madh. Janë në gjendje të vënë bast mbi jetën e tyre, mbi rëndësinë e ekzistencës së tyre. Kanë një kuroja të jashtëzakonshme për përmirësimin e jetës së tyre dhe kanë një vullnet studimi të jashtëzakonshëm. Njohin disa gjuhë evropiane të cilat shpesh i kanë mësuar në mënyrë autodidakte dhe duhet të them se shpesh herë, shoh një vitalitet për fat të keq të panjohur tek të rinjtë Italianë! Pra sigurisht që do marr me vete këtë kujtim të një rinie shumë dinamike dhe pikërisht për këtë karakter besoj se është shumë filo evropiane.

I nderuar Ambasador duke përfunduar këtë intervistë tonën nën filozofinë e nevojës së dialogut, me lejoni t’u bëj me dije se personalisht në një opinion të botuar në shtypin shqiptar, duke iu referuar ftesës që bëri ambasadori amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, politikanëve shqiptarë, por jo vetëm atyre, për të lexuar literaturën amerikane, unë do të shtoja edhe evropiane, në mënyrë që të kuptojnë se çfarë nevojitet për të qeverisur dhe për të luftuar korrupsionin, kam sugjeruar publikisht që politikanët tanë, nuk duhet të kenë një diplomë formale universiteti, por duhet të kenë edhe njohuri minimale në lidhje me filozofinë politike perëndimore, pra të njohin minimalisht veprat e Tomas Hobbes, John Lock, (François-Marie Arouet) Volterit dhe Jean-Jacques Rousseau, apo Konrad Adenauer, Alice De Gasperi, Robert Schuman, Altiero Spineli, vizionarët e historisë që frymëzuan Bashkimin Evropian. Ndaj me këtë rast, do dëshiroja të dija nëse sipas opinionit tuaj politikanët tanë lexojnë ose jo? Sigurisht që do më pëlqente t’u pyesja dhe juve personalisht që duke qenë Ambasador dhe me agjendë sigurisht të ngjeshur, këtu në Tiranë, apo dikur në Kabul, lexoni literaturë artistike dhe publicistikë filozofike e politike?

Unë besoj se politikanët Shqiptarë lexojnë. Unë në takimet me ta, më duhet të them se nuk flas vetëm për politikë. Flasim për shumë gjëra dhe kam venë re se ka një predispozitë të madhe të leximit ndër ta. Duhet të them se më lë impresion të veçantë fakti se citojnë vazhdimisht këta autorë, apo veprat e tyre.

Po, veçanërisht Berisha dhe Rama, po të tjerët?


Ata veçanërisht, por jo vetëm ata. Do thoja dhe shumë të tjerë. Pastaj përtej së gjithës ka politikanë që janë shkrimtarë dhe, më ndodh që të jem unë që të citoj ata për atë që shkruajnë. Nuk jam në gjendje të lexoj në shqip por arrij të lexoj librat dhe me persona të besueshëm për mua, të cilët i lexojnë të njëjtat libra, i bashkëbisedoj me ta. E bëj këtë pikërisht për të kuptuar shpirtin e tyre, mënyrën e të menduarit të politikanëve shqiptarë që kanë këtë prirje për letërsinë.
Një nga citimet, nuk them kush, por sidoqoftë një politikan shqiptar së fundi, për të më bindur mua që Shqipëria meriton të shkojë në Europë, por unë them që duhet demonstruar jo nëpërmjet fjalëve, por veprimeve, më citoi pikërisht De Gasperin, citim që më impresionoi realisht. Nuk ja them emrin politikanit, sepse do i ngelja borxh të gjithë politikanëve të tjerë që kanë demonstruar shumë lexim dhe citime tek unë. Dhe pra, citimi ishte ky: De Gasperi duke folur për Evropën shkruante se Evropa ka ekzistuar më parë se të zyrtarizohej si ide dhe si projekt. Ajo që mungonte akoma ishte realizimi praktik i këtij projekti. Në këtë pikë unë u desh ti përgjigjesha këtij miku politikan që kjo demonstron realisht që Shqipëria është tashmë në Europë, por kjo demonstron gjithashtu se pikërisht ato ide, projekte, impenjime për të cilat fliste De Gasperi duhen sigurisht aplikuar, ndaj unë të ftoj që jo vetëm të citojmë, por të bëjmë atë që konkretisht shërben për të shkuar në Europë.
Do të thoja ndërkohë se për sa më përket personalisht, leximi është themelor. Unë mendoj se duhet tentuar për të dalë nga ky rreth vicioz që presupozon aktualizimin e interaktivitetit vetëm në nivel lokal dhe të rikuperohet një dimension më i gjerë institucional dhe privat, që mund të lejojë të kuptosh realitetin global dhe të jashtëm.

Zoti Ambasador për sa kuptova ju u përgjigjët pjesës së dytë të pyetjes duke demonstruar që personalisht gjeni gjithmonë mundësinë për të lexuar...


Më shumë se mundësinë, do thoja nevojën për të lexuar. Unë besoj se leximi është një instrument i domosdoshëm për refleksion dhe, unë besoj se pa refleksion nuk arrihet askund. Pra të lexosh është absolutisht e nevojshme dhe besoj e detyrueshme.

Ju falënderoj përzemërsisht zoti Ambasador!


Faleminderit ju dhe një përshëndetje të gjithë miqve të Radio Radicale!

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura