Stefano Boeri: Shqipëria ka sot atë që i duhet Europës për të ardhmen

Sikur në  vitin e largët 1925 do të kishim mundësinë të intervistonim arkitektin italian Armando Brasini për planin e tij rregullator që "veshi" Tiranën me Bulevardin, ministritë, stadiumin, e ndërtesat që vlerësojmë dhe ruajmë sot, besoj do të ishim të lumtur. Po ashtu, nëse do të pyesnim Giulio Berte'-në për Teatrin Kombëtar që ai ndërtoi për tjetër gjë njëherë e një kohë e që sot do të zëvendësohet nga Teatri i Bjarke Ingelsit. Po Gherardo Bosio që projektoi të famshmin stadium "Qemal Stafa", çfarë do të mendonte për arkitektin fiorentin Marco Casamonti që po bën Arenën Kombëtare sot?

Italianët, në kohë të kohëve, kanë veshur me estetikë Shqipërinë ose kanë kërkuar thellë saj, si arkeologu Luigi Maria Ugolini, zbulues i Butrintit e Finiqit të lashtë.

Sot, në Tiranë, hap studion e tij një tjetër ekselencë e arkitekturës italiane e botërore, Stefano Boeri, me veçantinë e tij dhe ndjeshmërinë që e bën të ndryshëm mes shumë arkitektëve të njohur në botë: Dashurinë dhe pasionin për gjelbërimin.

Situata e ndezur politike, përplasjet e përhershme mes shqiptarësh që nuk e mendojnë njësoj, nuk na japin kohën e duhur të shijojmë ashtu siç duhet evente të rëndësishme. Plani rregullator Tirana 2030, projektuar nga Stefano Boeri, është një himn për ringjalljen e natyrës pranë qendrave të banimit. Jemi me fat që një arkitekt italian me këto përmasa e këtë vizion, ka "qëndisur" kryeqytetin e të ardhmes, që besoj, brezat që do të vijnë do ta admirojnë e do të jenë krenarë. Përplasjet dhe kontradiktat e sotme na bëjnë të mos vëmë re e të shohim se si para nesh po merr jetë një e ardhme që ende qytete e kryeqytete të vendeve edhe më të zhvilluara se ne sot ende po e diskutojnë: Natyrën në qytet. Bashkëjetesën me gjallesa që ishin larguar dhe gjelbërimin e zonave të banuara, tema që po preken nga ambjentalistë sot kudo në botë. Temë për të cilën vogëlushja Greta Thunberg po bën një betejë: Atë të rigjelbërimit dhe të shpëtimit të Planetit tonë të shtrenjtë.

Për Tiranën, Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë folëm me arkitektin Stefano Boeri, i cili, mes kaosit e zhurmës sonë arrin të shohë jo vetëm të bukurën mes nesh, por edhe vlerat që si Shqipëri e si komb kemi për në Evropë.

Stadiumi Arena Kombëtare

Gati një shekull më parë, italianët Armando Brasini, Gherardo Bosio dhe Giulio Berte’, me planin rregullator të vitit 1925 i dhanë Tiranës, qendrës së saj, fytyrën që ka sot. Gati një shekull më pas, një tjetër arkitekt italian, Stefano Boeri bën planin rregullator për një Tiranë plot gjelbërim. Si po shkon aplikimi i këtij plani dhe si ndjehet Boeri sot si italian në Tiranë?

“Ndjehem shumë krenar për atë që kemi bërë dhe i jam shumë mirënjohës bashkisë dhe qeverisë që na dha mundësinë të zhvillojmë një plan që mendoj se është shumë i vëmendshëm ndaj Tiranës, ndaj karakteristikave të saj historike, por në të njëjtën kohë edhe shumë i përparuar e që e vendos qytetin përballë një sfide të madhe mjedisore me realizimin e një pylli të madh orbital, me pyllëzimin rreth qytetit. Tirana është një nga qytetet e para në botë që nis sfidën e pyllëzimit rreth qytetit, pra jo vetëm në parqe e kopshte, por me një system pyjor”.

Si po shkon sipas jush ky projekt gjelbërimi, gati dy vjet pas miratimit?

“Shumë mirë, shumë mirë. Kryebashkiaku dhe stafi e tij e kanë kuptuar se kjo mund të prodhojë rezultate të shpejta në cilësinë e hapsirës, të ajrit, në biodiversitetin e gjallesave, në temperaturën urbane, në prodhimin e oksigjenit. Pra është vërtetë një nga sfidat e mëdha të së ardhmes dhe Tirana që ka qenë prej shumë vitesh një qytet asfalti dhe çementoje, për shembulll kujtoj vitet e para kur vija në Tiranë, nuk kishte sheshe, pasi ishte ndërtuar kudo, deri edhe buzë Lanës kishte shtëpi. Ndërsa sot Tirana është një qytet që fillon të marrë frymë, duke u nisur nga Sheshi i madh Skënderbej”

Si ndjeheni kur kaloni në Sheshin Skënderbej?

“Eshtë një ide shumë e bukur që ne përfshimë dhe i dhamë vlerë në planin tonë, është një ide që i jep atij vendi vlerën e drejtë. Edhe nga ana grafike: ngritja në qendër e sheshit jep një vizion të tërë të tij dhe mbi qytetin. E bukura e Sheshit është se bashkon psikologjinë individuale me imagjinatën kolektive dhe kjo është e jashtëzakonshme”.

E dini që ka nga ata që e kanë kritikuar edhe gjelbërimin edhe sheshin. Eshtë ndoshta pjesë e kontradiktës në një qytet? Por jo vetëm kaq. Ka aktualisht një betejë politike në kryeqytet edhe për pjesë të tjera që po zhvillohen pikërisht në këto momente. Për shembull, në zgjatimin e bulevardit të ri që përkon me një zonë plot ndërtime shtëpish gjatë bumit të spostimit të popullsisë, disa banorë do të sakrifikojnë shtëpitë e tyre. Do të bëhet një pjesë shumë e bukur e qytetit, por disa banorë po preken nga plani rregullator. Në këto kushte si duhet të sillet një qeveri, një administratë vendore me njerëzit që do të humbin shtëpinë, edhe pse do të kompensohen.

“Absolutisht po. Nuk mund të detyrohen njerëzit të ndryshojnë jetën e tyre, por përballë mundësisë për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës, pa u spostuar në periferi apo pa u larguar nga vendet ku kanë dhe një kujtesë personale, gjenden shumë zgjidhje për të kompensuar sakrificën që po bëhet, pasi cilado qoftë shtëpia, cilido qoftë vendi, cilatdo qofshin kushtet, shtëpia ku jeton është një pjesë e historisë personale. Besoj se një bashki e kujdesshme, inteligjente dhe ndjeshme si kjo që udhëheq sot Tiranë do të jetë në gjendje ta përballojë mirë operacionin”.

Projekti i Bulevardit të Ri

Si arkitekt, ju do të zgjidhnit sot teatrin e Giulio Berte’-së apo do të gëzoheshit për Teatrin e ri të Bjarke Ingels për Tiranën?

“Besoj se një metropol i madh, një qytet i madh duhet ndonjëherë të sakrifikojë një pjesë të së shkuarës së tij nëse e ardhmja i garanton një hap më përpara. Në këtë rast specifik edhe pse e konsideroj arkitekturën e Berte’-së një akritekturë cilësore, të fisme, unë besoj se projekti i Bjarke Ingels është një projekt i një cilësie shumë të lartë, të një interesi të madh. Mendoj se është legjitime që qyteti ta pranojë këtë sfidë. Natyrisht janë operacione që shkaktojnë gjithnjë pakënaqësi, sepse është e natyrshme që të jetë kështu. Kur ndryshohet një pjesë e historisë për të ndërtuar diçka që është totalisht e ndryshme, preket memoria individuale e të gjithëve, prandaj duhet shumë respekt, respekt i madh. Eshtë një veprim që duhet ndarë, duhet hapur debat, duhen pranuar polemikat, pastaj është përgjegjësi e kujt qeveris qytetin të bëjë zgjedhjen”.

Projekti i Teatrit Kombëtar

A ka ndodhur në Itali, apo në vende të tjera që pjesë historie, jo vetëm arkitekture por edhe historie dhe kulture të një vendi të shemben për të ndërtuar të reja?

“Varet natyrisht se për çfarë vende dhe pikash flitet dhe për cilësinë e arkitekturës. Sigurisht që ka pasur edhe episode ndonjëherë të pakëndshme pjesësh të qendrave historike, pjesë të arkitekturës së viteve ’20, të viten ’30 me cilësi, të prishura. Sot në Itali ka një kujdes të madh, ndonjëherë edhe të ekzagjeruar në mbrojtjen dhe ruajtjen e historisë dhe nga ky këndvështrim Italia ka humbur disa raste të rëndësishme për një ekzagjerim të konservimit të historisë dhe të së shkuarës. Historia jonë është e kundërta. E përsëris, nuk ka një recetë që vlen për të gjitha zgjidhjet, duhet parë gjithnjë me kujdes peshorja për të vlerësuar atë që humbet, pasi me siguri diçka humbet, dhe nuk duhet asnjëherë përçmuar kush denoncon këtë humbje, kush vuan nga humbja, por nga ana tjetër edhe fitimin që merr një qytet me një teatër që është mes më të bukurve në botë, me një arkitekt që është një nga më interesantët në skenën ndërmombëtare”.

Bashkë me bukuritë që kemi në Tiranë, kemi ndërtuar dhe shumë gjëra të shëmtuara. Flas nga këndvështrimi arkitektonik. Mjafton t’i hedhim një sy Tiranës se çfarë kemi ndërtuar në këto 30 vite. Ju si arkitekt çfarë mendoni për këtë?

“Mendoj se nga fillimi i viteve 2000 dhe mbrapa, deri në fillim të viteve ’90,  janë bërë ndërtime shumë vulgare. Eshtë ndërtuar pa vëmendje as ndaj historisë së qytetit, as ndaj të ardhmes së qytetit. Por një qytet i madh është i aftë të përthithë edhe gjërat e shëmtuara, është i aftë të shndërrojë kontrastet në elemente pozitivë dhe arkitektura më e mirë lind shpesh nga kontrastet. Arkitektura nuk punon vetëm në harmoni, punon dhe në ndërprerje dhe duke shfrytëzuar këtë ndërprerje arrin të nxjerrë avantazhe për të gjithë, që nga këndvështrimi estetik, simbolik e funksional jo vetëm për privatin që e ndërton apo për kë banon brenda, por për të gjithë. Sfida është pikërisht kjo, kur flasim për Sheshin Skëndërbej, kur flasim për disa projekte të fundit të bëra në Tiranë, flasim për projekte me cilësi të lartë, të cilat kanë marrë përsipër pikërisht atë vështirësi dhe ndërprerje me kontekstin, por kanë bërë që gjithë qyteti të bëjë hapa përpara”.

Ju po sillni dhe projekte tuajat të rëndësishme: Këtu në Bllok do të ndërtohet Kubi dhe afër Stadiumit Kombëtar shpejt do të kemi Pyllin Vertikal të Tiranës. Si do të qëndrojnë këto dy bukuri të mirënjohura në botë, në Tiranën tonë. Si i shihni?

“Mendoj se janë përshpejtime, por absolutisht të përputhshme me pasurinë dhe shumëllojshmërinë e qytetit. Kur bëmë planin rregullator, zakonisht mendohet të ketë një titull plani. Mua më erdhi në mendje kaleidoskopi dhe e quajtëm Tiranën 2030 një Kaleidoscopic city, pasi Tirana është vërtetë një qytet që ka përfshirë një shumëllojshmëri të madhe arkitektonike dhe urbanistike. Këtu është historia e ‘900, është historia politike dhe arkitektonike e ‘900. Eshtë trashëgimia njerëzore, sigurisht dallohet prania italiane, pastaj prania e madhe sovjetike, mjafton të shkojmë në Sheshin Skënderbej, pastaj është dhe prania kineze në disa pjesë, pastaj është një periudhë shumë konfuze ku kanë mbërritur pak nga të gjitha e modele arkitektonike të ndryshme, ja unë besoj se nuk duhet humbur kurrë mundësia për të shndërruar këtë diversitet në pasuri. Mendoj se një qytet duhet të vlerësojë diversitetin e saj. Një qytet i përbërë nga pjesë shumë të njëjta, homogjene, të ngjashme, nuk është një qytet interesant. Dallimet mes peizazheve dhe ky efekt kaleidoskopi është i jashtëzakonshëm. Dhe unë shpresoj që ndërtesat e reja të marrin në konsideratë këtë shumëllojshmëri, kështu Kubi në Bllok dhe Pylli Vertikal afër sheshit “Nënë Tereza” të mundin ta ndihmojnë qytetin të përmirësohet e të bëjë hapa përpara”.

Pylli vertikal

Ne kemi edhe një pjesë vertetë tjetër arkitektonike. Për shembull pallatet e ndërtuara në mënyrë vullnetare gjatë kohës së diktaturës, të cilët Edi Rama pati idenë dhe i pikturoi, ka një mënyrë për t’i ndryshuar dhe përmirësuar?

“Edi Rama bëri një operacion në fillim që ishte një surprizë dhe u kuptua vizioni i tij, pasi ata apartamente i dhanë një ndjenjë përkatësie qytetarëve dhanë ndërgjegjësimin se ishte ndryshuar mënyra për të vendosur për të ardhmen, u ndjenë protagonistë të një ndryshimi në imazhin e jashtëm të qytetit, me shtëpitë e tyre. Ka eksperienca interesante të ndërtimeve sociale për shembull në Francë, ku ndërtesave të mëdha iu janë aplikuar fasada të reja, të cilat kanë dhënë më shumë hapsira, për shembull ballkone, izolim më të mirë termik. Për shembull, ne po punojmë në Kinë me ndërtime sociale të viteve ’70-’80, me gjelbërimin me ballkone të gjera që u vendoset gjelberim. Janë ndërtime të mëdha publike nga të cilat karakterizohet edhe kontineti ynë, Europa është e mbushur më këto ndërtime të mëdha publike si vendet ish-socialiste,por edhe vendet kapitaliste i kanë dedikuar pjesë të tëra qyteteve me këtë lloj ndërtimi, edhe në Itali për shembull, në Corviale në Romë, kemi një gjatësi 1 kilometër të ndërtimeve sociale, në Milano, në Napoli, në Torinë kemi këtë lloj ndërtimi ashtu si dhe në Francë në kantonin Vassal, dy arkitektë të një cilësie të lartë kanë bërë këtë operacion mbi banesat sociale dhe mendoj se kjo mund të bëhet dhe në Shqipëri”

Plani rregullator Tirana 2030

Ju po përuroni hapjen e Studios tuaj “Stefano Boeri e Architetti” këtu në Tiranë. Si e shihni të ardhmen e vendit tonë, çfarë na këshilloni? Ne, shpesh për të dëgjuar ndonjë fjalë të mirë duhet të pyesim të huajt. Mes nesh jemi pak kopracë për fjalë të mira.

“Jeni një vend që keni bërë hapa të mëdha përpara. I keni bërë sidomos këtu (Tiranë), pra një nga temat më të mëdha është të çoni këtë frymë që keni në Tiranë edhe në Vlorë, në Durrës dhe në qendra të tjera. Eshtë një vend që unë uroj të hyjë sa më shpejt në Europë sepse i ka të gjitha të drejtat, i ka të gjitha cilësitë, të gjitha aftësitë dhe që mund të bëhet në këtë pjesë të kontinentit europian dhe të Detit Adriatik një pikë referimi e rëndësishme e një gjeopolitike të re që do të lidhë Mesdheun me Europën. Ne kemi nevojë për Mesdheun pasi në politikën ndërkombëtare Europa e vetme ka pak peshë, dhe kemi nevojë në perspektivë, edhe pse duket kaq e vështirë sot me Libinë me Sirinë, dhe me atë që po ndodh sot në pjesë të tjera të Mesdheut, ne kemi nevojë për Mesdheun, kemi nevojë për Turqinë, për Egjiptin, dhe të gjithë vendet dhe sipas meje Shqipëria është urë kulturore, një urë edhe falë aftësisë së saj për të bashkëjetesën me tri fetë kryesore së bashku, pa asnjë konflikt, pra ka elementë të së ardhmes së Europës brenda saj Shqipëria. Ndoshta ne i shohim më shumë se ju që jeni mësuar të jetoni brenda kësaj bote, e megjithatë keni dhe sfida përpara që duhet t’i fitoni si punësimi për të rinjtë, sfida e rëndësishme e artizanatit, zhvillimin e disa sektorëve që kanë të bëjnë me krijimtarinë, sektorë ku Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm, mendoj për artin, ku të mirat e këtij përshpejtimi duhen shpërndarë në të gjithë territorin”

Gazetarja Alba Malltezi dhe arkitekti Stefano Boeri

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arkitekti: 06/05/2019 10:51

    Shume arkitekte shqiptare jane merzitur se Boeri beri planin rregullator. Ata kujtojne se njerezit nuk kane pare se si dhe çfare kane ndertuar ne keto 29 vite. Ndertesa skandaloze ne Tirane, Durres, vlore, Sarande pa asnje shije estetike. Prandaj keto pseudoarkitekte te ulin koke dhe te mesojne.

    Përgjigju
  • Robshi: 05/05/2019 15:22

    Hapja e studios në tiranë flet për gjithçka...nejse mbase ti dhe flet pastër po si të mpleksesh me plehun dhe oktapodin e interesave mavi do jesh me se shumti i përdorur

    Përgjigju
  • Klodi: 05/05/2019 11:17

    Mesazhe qytetare. Faleminderit. Kush ka veshe degjon

    Përgjigju
  • tori: 05/05/2019 08:19

    Thirja :"duam teatrin njelloj si thirrja duam baben".Kto jane actoret tane te kudo ndodhur ne cdo kafe e restorant te Tiranes,barkderra deri ne kulm,mprojtes te fuqishem te vjetres se shemtuar.

    Përgjigju
    • Loni: 05/05/2019 22:44

      Pse mos ta doje Baben, Kur Ujqerit Fqinj po' te gllaberonin nga te gjtha anet.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim