Stefi Prifti:Ju rrëfej konfliktin që na
la jashtë Festivalit të RTSH-së

Stefi Prifti:Ju rrëfej konfliktin që na<br />la jashtë Festivalit të RTSH-së
Zërat e tyre kanë pushtuar çdo skenë shqiptare. Bëhet fjalë për dy vëllezërit korçar Endrin dhe Stefin, të cilët së fundmi janë kualifikuar në gjysmëfinalen e “Top Fest 11”.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Stefi rrëfen rikthimin e tyre të bujshëm në festivale pas shumë vitesh, pjesëmarrjen me këngën “Ti s’e meriton”, si dhe projektet që do ta ndjekin në vazhdim.

“Si fillim, bashkë me Endrin kemi marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të RTSH-së, me dy prezantime ku në të dyja pjesëmarrjet patëm një përplasje, divergjencë ose më saktë çështje interesash.

Kështu që, nga ky moment bashkë me Endrin vendosëm të tërhiqemi disi nga festivalet”, tregon Stefi duke na rrëfyer arsyen e largimit nga skena dhe rikthimit të tyre të bujshëm.

Më tej ai tregon edhe për bashkëpunimin me Aurela Gaçe, si dhe realizimin e klipit të parë.
 
Sapo keni kaluar në gjysmëfinalen e “Top Fest 11” me këngën më te re, “Ti se meriton”.  Nga klikimet kemi parë që kënga është pëlqyer dhe komentuar pozitivisht...?

Tani jemi në fazën gjysmëfinale! Interpretimi kaloi me shumë sukses, pasi faza gjysmëfinale ishte live e gjitha. Ne e kryem si interpretim dhe si realizim mjaft mirë. Sa i përket klikimeve në “youtube”, kjo këngë mund të kishte katër ose pesë fish të atyre klikimeve që ka momentalisht nëse do të shfaqej tek faqja e “Top Festit” në krah të këngëve të tjera. Ndërsa, kënga jonë shfaqet vetëm nëse do ta kërkosh me emër, në asnjë rast tjetër nuk del siç janë stampuar dy tri këngë të tjera.
 
Pse mendoni se ka ndodhur ky fenomen. Mund të jetë diçka e qëllimshme?


Nuk e di! Unë thjeshtë po e bëj me dije, por arsyen e vërtetë nuk e di. Ndoshta mund të jetë diçka e paqëllimshme në dëmin tonë.
 
Nga Festivali “Kënga Magjike” tek “Top festi” keni bërë boom në tregun muzikor me këngët që keni prezantuar duke mos lënë pas dhe çmimet. Pse keni zgjedhur këtë moment për t’iu rikthyer festivaleve?

Si fillim bashkë me Endrin kemi marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të RTSH-së, me dy prezantime siç ishte “Ti bëre faj” e kompozitorit Josif Minga, ku arritëm të ishim pretendentët, një këngë artistike, pak e lançuar. Ndërsa, pjesëmarrja e dytë ka qenë me një baladë pop-rok “U dogja mrekullisht” me kompozim timin, por dhe në këtë pjesëmarrje patëm një përplasje, divergjencë ose më saktë çështje interesash. Kështu që, nga ky moment bashkë me Endrin vendosëm të tërhiqemi disi nga festivalet. Opsionet shqiptare të muzikës së lehtë nuk mund të them që janë pak në raport me televizionet. Në këtë kontekst vendosëm të marrim pjesë për herë të parë në “Kënga Magjike” ku dhe u vlerësuam me çmime, ndërsa Endri ka marrë pjesë në Top Fest, ku ka marrë dhe çmimin “Best baladë”.
 
Po në këtë edicion të “Top Festit” cilat janë pritshmërit tuaja?

Unë e vlerësoj këngën që kam interpretuar “Ti s’e meriton” me kompozim të Adrian Hilës dhe me tekst të poeteshës Rozana Radi. Është një këngë me përmasa të mirëfillta artistike, është këngë emocionale, në të treja apo katër komponentët është punuar shumë mirë, teksti është jashtëzakonisht i bukur, pasi në këtë këndvështrim asnjëherë nuk i është kënduar dashurisë. Melodia e këngës është shumë e ndjerë, harmonia shumë e zhvilluar, po ashtu dhe orkestracioni si dhe interpretimi ynë i bukur. Kështu që pritshmëria jonë është për më të mirën, por kjo nuk do të thotë se ne e kemi qëllim në vetvete, pasi edhe po nuk erdhi ai çmimi i madh, e rëndësishme është që kënga të zërë vendin e duhur në repertorin e muzikës së lehtë shqiptare.
 
Veç pjesëmarrjes së festivaleve, një pjesë e bukur e karrierës tuaj është dhe të kënduarit ‘live’. Është sfidë për ju?

Dy ditë në javë ne këndojmë ‘live’, pas një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm me Aurela Gaçen. Jemi shumë të kënaqur deri më tani nga ky aktivitet që na ka sjellë emocione në dy sezone, pasi publiku na ka mbështetur në mënyrën më të qartë dhe me duartrokitjet e tij të forta. Kështu që, momentalisht po kalojmë një periudhë të bukur të karrierës sonë artistike.
 
Po përsa i përket klipeve. Ka qenë zgjedhja juaj që të mos realizoni apo tregu ju duket i mbushur me muzikë komerciale?


Fillimisht ka qenë zgjedhja jonë, por jo në mënyrë kaq absolute për të mos pasur asnjë klip. Besoj që shumë shpejt do të vijmë me një klip, jemi në pritje!
 
Cilat janë projektet në vazhdim?

Ky ka qenë një vit që ne kemi realizuar shumë projekte, për të mos thënë më tepër se askush tjetër. Pas festivaleve “Kënga Magjike”, “Top Festit” apo festivalit “Kënga ime”, ku patjetër që do të jemi në finale, pasi u kualifikuam me një këngë shumë të bukur “Korçarja”. Për herë të parë në jetën tonë, jemi prezantuar me një krijimtari të re që i dedikohet korçareve dhe Korçës. Projekti më i ri është klipi i këngës “Ti s’e meriton”, ku momentalisht kemi hedhur idetë e para, kemi zgjedhur dhe personazhet por çdo gjë do ta zbulojmë në momentin e duhur.  

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"
Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studiuesit: Kina shfrytëzoi mungesën e vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor

Studiuesit: Kina shfrytëzoi mungesën e vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor