I magjepsur nga shikimi i një vajze të vogël nga Gaza dhe i frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, Ermal Meta u ngjit mbrëmë në skenën e Festival di Sanremo 2026 me këngën “Stella Stellina”. “Stella Stellina” është një këngë, që Meta ia ka dedikuar një vajze të vrarë në Gaza.

Emri “Amal” i qëndisur në jakën e këmishës së tij nuk përfaqëson vetëm një vajzë të vogël, por shndërrohet në simbol të viktimave të pafajshme të luftës Izrael-Palestinë.

Në rrjetet sociale, kantautori shpjegoi se “Protagonistja e ‘Stella Stellina’ është një vajzë e vogël pa emër, por ndoshta i ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind…. Ato mund të jenë bija të askujt, bija të të gjithëve.”

Kënga e Metës dhe interpretimi i tij janë komentuar pozitivisht edhe në shtypin italian.

“Stella stellina” e tij, sipas medias, nuk është një këngë që duhet të riprodhohet me ngulm, por një lutje laike, një ninullë zemërthyese që nuk shndërrohet kurrë në patetike.

Kënga, me nuanca të Lindjes së Mesme dhe prodhim të rafinuar të Dardust, sipas “La Repubblica”, rrëfen “temën më zemërthyese, vdekjen e një vajze të vogël në ferrin e Gazës, me delikatesën e artistit", një temë që shumë këngëtarë të tjerë e shmangin ose e zbusin.

“Ermali as nuk përpiqet të jetë popullor, ai nuk kërkon një refren tërheqës: në vend të kësaj, ai zgjedh të përqendrohet te dhimbja dhe bashkëkohorja. Dhe ai vendos fjalën "Amal" në jakën e xhaketës së tij, që do të thotë ‘shpresë’ në arabisht dhe duke aluduar te fëmijët viktima të luftës.”, shkruan gazeta.

Ermal Meta ndërmori një rrezik, duke zgjedhur luftën dhe pasojat e saj si subjekt, pa e thjeshtuar, ndërkohë që tani, kur muzika italiane ka nevojë për diçka më shumë sesa hiti i zakonshëm i verës, vjen Ermal Meta dhe "Stella", e cila nuk shkëlqen, por peshon shumë.”, theksohet në median italiane.

Kjo nuk është hera e parë që Ermal Meta trajton tema të ndjeshme për shoqërinë. Pas “Vietato morire” me temë dhunën në familje dhe pas fitores në Festivalin e Sanremos më 2018 përkrah Fabrizio Moro me “Non mi avete fatto niente”, ai rikthehet me një tjetër këngë që prek plagë të hapura të realitetit aktual.

Ermal Meta, në fakt është një artist që tregon angazhimin e tij njerëzor dhe emocional, jo vetëm përmes muzikës.

Së bashku me partneren e tij, Chiara, ai ka një lidhje të thellë prej vitesh me një qendër bamirësie që ndihmon vajza dhe gra në nevojë në Shqipëri.

Ata madje edhe kanë adoptuar dy vajza, të cilat i kanë takuar në një jetimore në Shqipëri.

Përtej muzikës, Meta gjithmonë ka shfaqur një anë njerëzore dhe reflektive, duke folur për identitetin e tij mes Shqipërisë dhe Italisë, për librat që shkruan dhe për historitë që dëshiron t’i ndajë me botën.

Votimi për konkurrentët e Sanremos, mund të bwhet me mesazhe, por vetëm nga numra telefoni italianë. Numrat për votim shfaqen gjatë transmetimit live në TV/RaiPlay.

“Sanremo” transmetohet në RAI 1 dhe në platformën RaiPlay dhe transmetohet edhe nga RTSH për publikun shqiptar.

Këtë vit Sanremo zhvillohet nga 24 deri më 28 shkurt 2026 në Teatro Ariston në Itali.

Edicioni i 76-të i festivalit nisi në teatrin Teatro Ariston, nën drejtimin e Carlo Conti dhe Laura Pausini, duke sjellë një atmosferë elektrizuese dhe një listë të gjatë artistësh të pritur me entuziazëm.

Mbrëmja u hap me një homazh për Pippo Baudon, figurë ikonike e festivalit, si dhe me përshëndetjen për dirigjentin Peppe Vessicchio, të dy të ndarë nga jeta. Publiku u elektrizua edhe nga i ftuari special, Tiziano Ferro, i cili festoi 25-vjetorin e hitit “Perdono” me një përzierje këngësh që ndezën sallën.

Pas performancave të natës së parë, klasifikimi provizor solli surprizë: Tri gra në podium. Në Top 5 u renditën Arisa, Fulminacci, Serena Brancale, Ditonellapiaga, si dhe dyshja Fedez & Marco Masini.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
‘Veterani’ i Sanremos, sjell mesazhin e shpresës me ‘Stella Stellina’, Ermal Meta mes skenës dhe familjes, ‘adoptimi’ i dy vajzave në Shqipëri

“Një yll i vogël” në jakën e këmishës, mesazhi i këngës “Stella Stellina” me të cilën këngëtari shqiptar Ermal Meta merr pjesë këtë vit në festivalin Sanremo, simbolizon kujtesën dhe shpresën për fëmijët e pafajshëm në Gaza. Çdo natë gjatë performancës së tij, emri i një fëmije shkruhet mbi jakë, duke e bërë çdo interpretim jo vetëm muzikor, por edhe humanitar dhe emocional, një thirrje për t’i dhënë zë atyre që shpesh nuk dëgjohen.

“Amal” ishte flutura e mbrëmjes së parë që “performoi” së bashku me Ermal Metën në skenën e Sanremos, simbol i një fëmije të pafajshëm, e gjendur mes rrënojave të një lufte të përgjakshme, me dritën që nuk shuhet kurrë dhe kujtesës që mbetet e gjallë.

Përveç përkushtimit të tij human në skenën ndërkombëtare, Ermal Meta njihet edhe për dimensionin e tij të ngrohtë familjar. Ai dhe partnerja e tij kanë dy vajza që i konsiderojnë si bijat e tyre, të cilat kanë njohur nga një jetimore në Shqipëri dhe që prej tre vitesh janë pjesë e familjes së tyre.

Ermal Meta është një artist i njohur për pjesëmarrjet e tij të vazhdueshme në Sanremo, ku ka treguar gjithmonë një kombinim të rrallë mes talentit muzikor dhe mesazheve të forta shoqërore. Që nga pjesëmarrja e tij e parë, këngët e tij kanë trajtuar tema të thella dhe emocionale, nga reflektimi mbi dashurinë dhe vuajtjen, te mbijetesë dhe solidariteti kundër dhunës dhe padrejtësisë. Mediat italiane shpesh e kanë quajtur një “veteran” të festivalit, duke vlerësuar jo vetëm vokalin dhe performancën, por edhe mesazhin human që përcjell me çdo këngë.