/ATSH-E.Xhajanka/.- Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, që u çel këto ditë në Pallatin e Kongreseve, mori një vlerë të shtruar me stendën kushtuar  veprës së shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli.
Adhuruesit e shumtë të shkrimtarit patën mundësi të njihen nga afër me veprat e realizuara në vite nga shkrimtari ,  prezantuar në stendën e Shtëpisë Botuese "Dritëro Agolli".

Ndërsa surprizë e këtij edicioni ka qënë  edhe dëgjimi i  poezive te shkrimtarit Dritëro Agolli, të lexuara nga ai vetë.
Ishte përmbledhja me poezi, libri më i fundit i  shkrimtarit  i cili  shoqërohej me një CD, ku  Dritëro Agolli është regjistruar duke lexuar krijimet  e tij.
"I përndjekuri i dashurisë" , është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara nga poeti Dritëro Agolli.  Libri u botua si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes, me rastin e 82-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe që lexuesi e merr në dorë si një buqetë vargjesh, ku janë përmbledhur emocione dhe  ndjenja të veçanta.

Poezia, si  dialog gjithëkomunikues, vjen në këtë libër e kultivuar, sikurse Agolli ka ditur ta veshë me novacione e risi. Kjo tufëz poezish është padyshim pjalmi tipologjik më lirik në regjistrin ligjërimor të brendshëm të Agollit. Ndërsa tingëllon melodioze teksa i degjon vargjet te recitohen nga  i madhi Dritero.
Timbri i zërit të tij përmes poezisë , i shoqëroi vizitorët e shumtë, adhuruesit e Dritëroit , gjatë gjithë kohës që ata qëndronin në stendën e Shtëpisë Botuese "Dritëro Agolli".

Përfaqësimi në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të një prej penave më të shquara të Shqipërisë, Dritëro Agolli, një prej koloseve të letërsisë shqipe e pasuruan këtë panair, duke çliruar nga monotonia e gjërave industriale. Ndërthurja e kulturës artit librave me boshtin kryesor të promovimit të ekonomisë së vendit e   shndërruan Pallatin e Kongreseve në një 'qytet'  të industrisë, ekonomisë dhe të kulturës shqiptare.