Stërvitja shumëkombëshe e udhëhequr nga SHBA, “Defender Europe 2025”, 2 ditë nga fundi në fazën e saj “Immediate Response”, (Përgjigje e Shpejtë), zbarkoi në Bizë.
Forcat e Armatosura Shqiptare dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët amerikanë treguan muskujt. Disa demonstrime u bënë, nga toka dhe ajri. Drejtuesi i stërvitjes, kolonel Genti Bardhi sqaron hap pas hapi manovrat e situatës së simuluar.
'Aktualisht jemi duke ndjekur një strukturë të zbulimit që po patrullon në zonën e operacionit dhe ka një rrezikshmëri të lartë sigurisht. Jemi përpara një force armike dhe sapo ka rënë në kontakt.
![]()
Duke qenë se armiku është në një përmasë goxha të madhe, siç e shikoni, këto forca zbulimi po përpiqen të tërhiqen, po zhvillojnë tërheqjen dhe aktualisht po zhvillojnë tërheqje nga forca ajrore.
Kemi në ajër 2 helikopterë ushtarakë, njëri bënë sigurimin e zonës së operacionit, ndërsa tjetri po bën tërheqjen e personelit që ka rënë në kontakt. Ka filluar lëvizja e trupave dhe kemi strukturat e Forcave të Armatosura të cilat aktualisht janë duke zhvilluar një operacion mësymës kundër armikut', tha kolonel Genti Bardhi, drejtues i stërvitjes.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Shqiptare zhvilluan qitje me mortaja, duke realizuar me sukses kapjen e objektivit më shumë se 2 km larg.
'Sot kemi bërë një qitje direkte dhe qitje indirekte me mortaja. Qitja indirekte u zhvillua me 28 predha', nëntoger Shpëtim Hasani, oficer i FSK.
Për drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Arben Lilo, kjo stërvitje që angazhoi rreth 1500 forca shqiptare, realizoi objektivat.
'Stërvitja ka qenë shumë e suksesshme pasi ka arritur të përmbush të gjitha objektivat e stërvitjes dhe objektivat e trajnimit që priteshin prej saj', tha ai.
Në një kohë kërcënimesh reale në kufirin lindor të NATO-s, mesazhi kryesor i stërvitjes, ndaj kundërshtarëve potencialë, është se Aleanca është e bashkuar, e gatshme dhe e aftë për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të saj.
Komente









