Një autokolonë mjetesh ushtarake angleze ka qëndruar dje për disa orë në zonën e Llogarasë. Këto forca kanë ardhur disa javë më parë në kuadër të një projekti ushtarak të NATO-s që ka përfshirë disa manovra stërvitore në territorin shqiptar.

Ushtarët janë pjesë e Flotës Mbretërore e përbërë nga komandot detarë, luftanije dhe mjete të tjera ushtarake.

Prej mëse një jave këto trupa kanë qëndruar në bregdetin e Himarës dhe në zonat përreth saj. Në manovër marrin pjesë katër luftanije, një anije amfibe mbështetëse, një anije gjigande transporti, si dhe tre njësi komando të përbëra nga helikopterë dhe personel. Kjo është një trupë elitë e Mbretërisë së Bashkuar e cila është e specializuar në dhënien e zgjidhjeve të shpejta në të gjithë botën dhe ndërhyrje sidomos në zona ku ka konflikte apo precipitim të papritur të situatave.

Zyrtarisht këto forca janë të angazhuara nga kuadër të manovrave stërvitore të quajtura “Cougar 12” dhe që përfshijnë kryerjen dhe stimulimet e aksioneve delikate ushtarake.

Këto forca janë të asistuara dhe të shoqëruara nga drejtues të flotës detare shqiptare , ndërsa burime zyrtare nga Shtabi i Përgjithshëm konfirmojnë se ndërmjet forcave shqiptare dhe atyre angleze janë kryer disa manovra të përbashkëta në javët e fundit.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)