Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, psikologët dhe psikiatrit ngritën alarmin për rritjen e rasteve që kërkojnë ndihmë, sidomos tek të rinjtë, të moshuarit e vetmuar dhe personat me varësi.
***
Stereotipi, fëmija im nuk ka nevojë për ndihmë nga ekspertë të shëndetit mendor vijon të jetë shumë i fortë në shoqërinë shqiptare, prej frikës nga stigmatizimit.
Iris Toçila e mësoi kur djali i saj ishte 18 muajsh se i vogli vuante nga çrregullimi i spektrit të autizmit, por iu deshën vite ta pranonte.
“Djali ka qenë në moshën 18 muajsh ai filloi ato gjestet e para. Shkova në spitalin e pediatrisë i tregova veprimet që bënte djali dhe ajo më tha autizëm. Në atë kohë autizmi nuk ishte i përhapur si term. Më tha që t'i filloja terapinë, po si prind nuk po e besoja, nuk e pranova në fillim dhe e lashë deri në moshën gjashtë vjeç pa i bërë asnjë lloj terapie. Mbas moshës gjashtë vjeç pastaj fillova të interesohesha çfarë ishte autizmi”, thotë Iris Toçilla.
Psikologja Marsela Lekli thekson se ka shumë prindër që refuzojnë të pranojnë diagnozën e fëmijës së tyre.
“Problematika më e madhe është që shumë prindër nuk e pranojnë diagnostikimin e një fëmije që mund të ketë qoftë me elementizmi, qoftë me prapambetjen mendore, qoftë me sindromën Down, normalisht që nuk e pranojmë trajtimin dhe detyrimisht e vazhdojnë në një moshë tepër të vonë ndërhyrjen e një terapie”.
Por përtej këtyre sëmundjeve, sipas ekspertëve vihet re një rritje e numrit të personave që kërkojnë ndihmë, si dhe një ulje e moshës së fillimit të problemeve mendore.
Ndihmë psikologjike, sipas psikiatres Nikolina Bode, kërkojnë kategori të ndryshme.
Statistikat botërore tregojnë se më shumë se një në katër persona vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërsa rreth 70 për qind e tyre nuk trajtohen.
Komente









