Policia ka arrestuar dy rojet private të kompanisë së sigurisë “Major Security” që në bashkëpunim me Gerald Bibën, tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec.
Artur Grami, 35 vjeç dhe Gazmend Vathi, 42 vjeç, tashmë të arrestuar, rezulton se nuk janë të licencuar nga asnjë subjekt për shërbimin privat të sigurisë fizike. Biba, bashkë me ta, e tërhoqën zvarrë protestuesin pasi e kishin goditur me grushte, dhe e mbajtën me forcë brenda kabinës së rojës.
Protestuesi ndenji aty deri në momentin e ndërhyrjes së policisë. Gjatë protestës, u vu re se punonjësit e “Major Security” përdornin maska të zeza dhe spray me piper ndaj tubuesve.
Biba rezultoi më pas se ishte pronari në hije i kompanisë “Major Security”, të cilën e kishte regjistruar në emër të vjehrrës, Shpresa Myzyri. Kompanive “Major Security” dhe “Myrto Security” u është hequr licenca e ushtrimit të aktivitetit.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec.
Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










Me Drejtesine qe kemi, me gjyqtaret qe kemi, se ne Vlore te gjithe jane kusherinj dhe kane frike nga gangsterrat qe deri dje dergonin gomone ne Itali, do te dalin pas disa ditesh.
PërgjigjuPse në këmbë?tërhiqini zvarrë maskarenjt.
Përgjigju