Prej më shumë se 2 dekada Shqipëria blen mish dhe nënprodukte të tij nga Brazili, duke bërë që ky shtet të renditet i pari në listë sa i takon importeve të këtij produkti. Por nga shtatori nuk do të hyjë më në tregun shqiptar.

Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se do të zbatojnë rregullat e BE-së, të cilat ndalojnë importet e mishit nga Brazili nga 3 shtatori, për shkak të dështimit të ofrimit të garancive të sigurisë për përdorimin e antibiotikëve dhe stimuluesve për rritjen e kafshëve.

Sipas përllogaritjeve bazuar në të dhënat e INSTAT nga janari deri në qershor janë blerë në total 23 mijë tonë mish me vlerë 46.3 milionë euro, ku 34.6% e këtyre furnizimeve ishin nga Brazili. Pjesa tjetër është siguruar nga Shtetet e Bashkuara, Italia, Greqia dhe Paraguai.

IMPORTI I MISHIT JANAR-QERSHOR
Brazili                  16 mln euro
SHBA                    5.4 mln euro
Italia                     5 mln euro
Greqia                  4.6 mln euro
Paraguai               2.6 mln euro

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë blerë në Brazil 7,991 tonë “Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit”, me vlerë 1.48 miliardë lekë ose afro 16 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar importi është rritur me thuajse 3 milionë euro, pasi vjet në 6 muaj u blenë prej andej 12.9 milionë euro mish.

IMPORTI I MISHIT (TOTAL)
                                          Sasi                     Vlerë
Viti 2025                       45,673 tonë          87.7 mln euro
Janar-Qershor 2025      21,909 tonë          39.6 mln euro
Janar-Qershor 2026      23,729 tonë          46.3 mln euro

Thuajse i njëjtë është raporti edhe nëse merren si referencë të dhënat për vitin 2025, kur u importua nga gjithë bota 87.7 milionë euro mish në total, dhe vetëm nga Brazili u morën 27 milionë euro.

Prej 2020-ës deri në fund të qershorit nga Brazili janë importuar mish me vlerë 157 milionë euro. Por me kufizimin e importeve nga ky shtet pikëpyetja që ngrihet ka të bëjë me furnizimin e tregut, dhe si do mbulohet boshllëku i madh që krijohet. Në Shqipëri, importet nga Brazili përdoren në pjesën dërrmuese në industrinë e përpunimit të mishit. Një mungesë e lartë, mund të përkthehet edhe në rritje të çmimit për këto produkte.

Prodhimi vendas, ndërkaq, ka ardhur duke u tkurrur. Referuar të dhënave të INSTAT nga 150 mijë tonë mish që prodhohej gjithsej në vend të 2020-ën, në vitin e kaluar u prodhuan 133 mijë tonë, kjo për shkak të tkurrjes së tufave. Numri i bagëtive ka rënë 2.1 milionë krerë në vitin 2025, nga 2.6 milionë në vitin 2020.

PRODHIMI I MISHIT NË VEND
Viti 2020              150.354 tonë
Viti 2021              148.169 tonë
Viti 2022              139.856 tonë
Viti 2023              135.483 tonë
Viti 2024              130.334 tonë
Viti 2025              133.604 tonë