Me të njëjtën shumë parash shqiptarët po blejnë më pak ushqime apo mallra të tjera. Kostot e jetesës u rritën edhe më shumë në korrik thotë INSTAT pasi inflacioni arriti në 3.4%, shifra më e lartë në 2 vite e gjysmë.

Ushqimet kryesojnë me ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit me 1.18%, praktikisht gati 50% e inflacionit vjen si rezultat i shtrenjtimit të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.

Pas tyre renditen shpenzimet për qira, ujë, energji elektrike, me 0.83 pikë përqindje ku peshën më të madhe prej muajsh në këtë grup vijon ta mbajë shtrenjtimi i qirave të apartamenteve. Grupi i tretë transporti me kontribut në inflacion me 0.52 pikë përqindje, për shkak se u përshkallëzuan tensionet në Lindjen e Mesme, e për pasojë u rritën më tej çmimet e hidrokarbureve.

Nga raporti i INSTAT për muajin e kaluar bie në sy fakti që edhe pse jemi në kulmin e sezonit të prodhimit vendas, qytetarët shqiptarë por edhe turistët po konsumojnë më shtrenjtë. Në raport me vjet çmimet e ushqimeve u rritën me 3.5%, dhe ndikimi kryesor është dhënë nga shtrenjtimi i perimeve.

Me 10.1% janë rritur çmimet e perimeve dhe bishtajorëve, në kulmin e prodhimit të tyre, duke dëshmuar për shtim të kostove për bujkun shqiptar e për pasojë reflektohet në çmim më të lartë për konsumatorët. Në të njëjtën kohë, një pjesë e nevojave të tregut mbulohet nga importi, duke bërë që çmimet e produkteve ushqimore të ndikohen edhe nga kostot e produkteve të importuara. Më tej me 9.4% janë shtrenjtuar produktet e detit krahasuar me vjet, ndjekur nga rritja me 4.6% e mishit.

Sa i takon transportit, si kategori ka shtrenjtimin më të lartë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar me 8%, brenda të cilit vetëm nafta është shtrenjtuar me 9.1% në muajin e kaluar. Gjithashtu këtij grupi në tre muajit e fundit ka regjistruar rritje të fortë shërbimet postare dhe korrierët me 13.5% krahasuar me vjet.

Ndërkohë, turizmi dhe rritja e kërkesës për apartamente me qira në platformat Booking apo AirBnB, po ndikon në shtrenjtimin e qirave, të cilat në korrik regjistruan rritje me 5.2% krahasuar me vjet. Ky shtrenjtim reflektohet edhe në të dhënat e akomodimeve për qëllime turistike.

Sipas INSTAT grupi “Restorante dhe shërbime akomodimi”, ka regjistruar një shtrenjtim mesatar me 2.7%, por vetëm akomodimi ka pësuar rritje 9.4%, kurse bie në sy që konsumi në restorante po kushton thuajse sa vjet, me rritje vetëm 2.1%.

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar më herët për një inflacion mbi 3% përgjatë gjithë vitit 2026.  

ÇMIMET E PRODUKTEVE TË SHPORTËS
Mish i freskët                   4.6%
Peshk/ produkte deti        9.4%
Bulmet dhe vezë               3.1%
Perime dhe bishtajore     10.1%
Pije joalkoolike                3.8%