Milan nuk ka arritur të ruajë avantazhin teksa Lazio ka barazuar 1-1 në minutën e 94′ në Stadio Olimpico. Ishte një ndeshje me emocione në kryeqytetin italian dhe me pak fat Kuqezinjtë mund të kishin marrë një fitore tepër të rëndësishme, por goli i Correa në fund të takimit ka vendosur paqen mes dy skuadrave që luftojnë për një vend në Champions League.
Lazio ka ruajtur vendin e katërt dhe vazhdon të ketë një pikë më shumë se Milan në vend të pestë. Sfida nisi me një ritëm të lartë me aksione nga të dy krahët. Mundësinë e parë për të shënuar e kishin Kuqezinjtë me Hakan Calhanoglu i cili pasi i vjen topi brenda zonës lëshon një goditje të bukur drejt portës, por refleksi i Strakoshës ishte spektakolar teksa portieri shqiptar arrin të devijojë topin drejt shtyllës së djathtë duke i hequr një gol të sigurt turkut.
Pas gjysmë ore lojë Immobile gjen golin, por arbitri anësor ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Lazio e mbyll pjesën e parë me një mundësi të mirë me Parolo-n që godet nga distanca një top që del jashtë fushë. Pas pushimit sfida mbetet me emocione. Lazio e nis më mirë dhe rrezikon me Immobile-n, por Donnarumma tregon edhe njëherë cilësinë e tij. Pas tij ishte Borini në krahun tjetër që provon nga distanca, por Strakosha bën një tjetër pritje fantastike. Në minutën e 71’ ishte Wallace i Lazio-s që tenton të zhbllokojë avantazhin për këtë herë ishte Donnarumma ai që bën mrekullinë duke i mohuar një gol të sigurt.
Lazio rrit presionin dhe sulmon me më tepër agresivitet në kërkim të golit të avantazhit. Por Milan reziston dhe me një kundërsulm shënon golin e parë të takimit. Ishte Calabria që mori krahun e djathtë dhe dha një pasim të Kessie i cili godet menjëherë dhe ndihmohet nga devijimi i Wallace pasi ishte mbrojtësi i Lazio-s ai që preku topin i fundit përpara se të përfundonte në rrjetë. Lazio hidhet në sulm për të shpëtuar të paktën barazimin dhe ia arrin qëllimit në minutën e 94′ me Correa i cili mposht Donnarumma-n me një gol fantastik nga distanca.