TIRANE - Ekonomia shqiptare nuk do të ketë më shpenzime të pakontrolluara apo edhe detyrime të prapambetura. Kjo falë një menaxhimi më të rreptë nga ana e Ministrisë së Financave. Deklarata është bërë nga Ministri Shkëlqim Cani gjatë prezantimit të “Strategjisë për Menaxhimin e Financave publike (MFP) për periudhën 2014-2020”.
 
Në fjalën e tij Ministri i Financave, theksoi se ndër vite qeveritë shqiptare janë vënë përballë detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, Cani u shpreh se pas marrjes së masave nga qeveria për shlyerjen e pjesës më të madhe të këtyre detyrimeve, tashmë me këtë strategji do të synohet parandalimi i detyrimeve të reja.
 
Krahas të tjerave, Cani nënvizoi se do të bëhet kontrolli më i mirë i angazhimeve financiare dhe shpenzimeve të pakontrolluara në buxhetin e shtetit
 
“Ruajtja e stabilitetit makro ekonomik ka qenë përherë madhor dhe në qendër të vëmendjes nga qeveria dhe do të kontribuojë për zbulimin e burimeve të pazbuluara në vend. ne synuam dhe u arrit të shlyhet pjesa dërrmuese e detyrimeve. Por sërish kjo strategji ka vendosur objektiva të reja, se si të mund të parandalojmë detyrime të reja. Do të realizojmë më mirë kontrollin e angazhimeve financiare. Do të bëjmë kufizime në vijim të shpenzimeve të buxhetit të pakontrolluara që kanë ndodhur deri tani. Kjo ka ardhur për shkak se kishim një buxhet 1-vjeçar, dhe na krijoi detyrimet e prapambetura. Tashmë me të gjithë këto masa që ka marrë qeveria, gjykojmë se vihet në kontroll të rreptë i gjithë niveli i shpenzimeve në të ardhmen që të mos krijojmë detyrime të prapambetura.” tha në fjalën e tji Ministri Cani

shkelqim cani

Cani: Strategjia ndikim edhe në rritjen ekonomike dhe punësimin
Sipas Ministrit krahas të tjerave strategjia për menaxhimin e financave, do të ketë prioritet edhe ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe veçanërisht punësimin.

"Të gjitha këto masa garantojnë një kuadër fiskal të qëndrueshëm. Në këtë strategji është parashikuar edhe menaxhimi i të ardhurave. Po kjo strategji sheh anën e shpenzimeve publike, që do të rishikohen duke u dhënë prioritet programeve me ndikim në zhvillimin ekonomik, dhe veçanërisht punësimit. Me këtë strategji synohet një përmirësim i ndjeshëm i raportimit në Kuvend dhe natyrisht në publik." tha ai

Paquet: Keq menaxhimi i financave ka sjellë humbjen e 100 milionë eurove
Ndërkohë Drejtori për Ballkanin Perëndimor për Zgjerimin në KE Jean Eric Paquet teksa vlerësoi këtë strategji të re që do të zbatojë qeveria shqiptare, u shpreh se nga keq menaxhimi i financave publike ndër vite u humbën 100 milionë euro.
 
Po ashtu ai ngriti edhe shqetësimin se nuk ka pasur trajtim në mënyrë prioritare të projekteve të ndryshme çka sipas tij kanë shkaktuar edhe shpërdorim fondesh.
 
“Ndër vite nga keq menaxhimi i financave publike, Shqipëria ka humbur rreth 100 milionë euro. Po ashtu edhe projektet nuk janë trajtuar me prioritetet e duhura, duke shkaktuar në këtë mënyrë shpërdorim të fondeve publike.” tha në fjalën e tij Paquet

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)