Telefonata mes president Donald Trump dhe Vladimir Putin i ka rikthyer një rol liderit të Kremlinit në krizën me Iranin. Dhe Putin, i cili nga bllokimi i ngushticës së Hormuzit ka marrë një dhuratë të papritur me rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, po përpiqet të përfitojë sa më shumë nga kjo situatë.

Një ditë pas bisedës me Trump, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, tha se presidenti rus ka paraqitur disa propozime për ndërmjetësim në konfliktin me Iranin dhe se këto “janë ende në tryezë”. Edhe vetë president Donald Trump kishte aluduar për këtë pas telefonatës, duke thënë se “Putin dëshiron të japë një dorë” për të ulur tensionet, por duke shtuar se kontributi i tij do të ishte edhe më i dobishëm nëse do të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ky shkëmbim konfirmon përpjekjen e Putinit për t’u paraqitur sërish si një ndërmjetës i besueshëm dhe i domosdoshëm në Lindjen e Mesme, edhe pse më parë në Siri dhe tani në Iran ka parë pothuajse pa mundur të reagojë dobësimin ushtarak të dy aleatëve të tij.

Para telefonatës me Trump, gjatë një takimi me drejtuesit e kompanive energjetike ruse, Putin kishte paralajmëruar se çdo veprim destabilizues në rajon mund të çonte në një krizë të rëndë energjie me pasoja të mëdha për ekonominë globale, një skenar që sipas tij tani po materializohet.

“Brenda muajit të ardhshëm, rrjedha e naftës nga ngushtica e Hormuzit mund të ndalet plotësisht”, kishte deklaruar Putin, duke bërë një tjetër kthesë në mesazhet e tij drejt Europës. Vetëm pak ditë pasi kishte kërcënuar se do të ndërpriste plotësisht furnizimet me gaz për tregun europian, lideri rus u shpreh se Moska është gati të punojë sërish me Europën, nëse qeveritë janë të gatshme të rikthehen në një bashkëpunim “të qëndrueshëm dhe të lirë nga konsideratat politike”.

Putin shtoi gjithashtu se Rusia do të vazhdojë të furnizojë vendet europiane që i konsideron të besueshme, si Hungaria dhe Sllovakia. Para pushtimit të Ukrainës, Europa blinte nga Rusia mbi 40% të gazit që konsumonte, një përqindje që deri në vitin 2025 kishte rënë në rreth 13%.

Në këtë situatë janë vetë Shtetet e Bashkuara që po e rikthejnë Putinin në lojë. Uashingtoni ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e një “lehtësimi të gjerë të sanksioneve ndaj naftës ruse”, me vendime të posaçme si ai që u mor për Indinë, e cila u autorizua të blejë naftë ruse për një muaj pa u përballur me tarifa ndëshkuese.

Këtë mundësi e konfirmuan fillimisht sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe më pas edhe presidenti Donald Trump. Qëllimi është të rritet oferta e naftës dhe gazit në treg për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë pas bllokimit të Hormuzit.

Sulmet amerikane ndaj Teheranit dhe reagimi i Iranit ndaj vendeve të rajonit, me mbylljen e rrugës detare mes Gadishullit Arabik dhe Iranit nga ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë, kanë çuar çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi.

Një zhvillim shumë i favorshëm për financat ruse, pasi buxheti i vitit 2026 ishte ndërtuar mbi një çmim prej rreth 59 dollarësh për fuçi dhe parashikonte shkurtime të shpenzimeve civile dhe rritje taksash për të financuar luftën në Ukrainë.

Sipas Vladimir Milov, ish-zëvendësministër rus i Energjisë që sot jeton në mërgim, për të pasur një ndikim real në ekonominë ruse çmimet e naftës duhet të qëndrojnë në këto nivele për rreth një vit.

Megjithatë, edhe për periudhën e konfliktit aktual, që sipas presidenti Donald Trump mund të mos zgjasë shumë, Putin synon të përfitojë maksimalisht nga ky avantazh i papritur, jo vetëm në planin ekonomik.

Në këtë mënyrë Kremlini përpiqet të shfaqet si ndërmjetës dhe aktor i pashmangshëm në Lindjen e Mesme, të ruajë lidhjet me Teheranin dhe njëkohësisht të përfitojë nga të ardhurat e reja për të intensifikuar përpjekjet ushtarake në Ukrainë.

Por ky është një ekuilibër i brishtë. Mjafton që president Donald Trump të shpallë “misionin e përfunduar”, pavarësisht rezultatit real, që gjithë kjo arkitekturë diplomatike e Putinit të rrezikojë të shembet./CorrieredellaSera