Drejtoria e Policisë së Tiranës ka nisur një procedim penal ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, për armëmbajtje pa leje. 

Sipas Policisë së kryeqytetit, arma që mbante me vete në protestën te Liqeni, ligjvënësi demokrat, është pa leje dhe për këtë shkak ai do të procedohet sipas ligjit në fuqi. Po kjo drejtori është duke përpiluar dosjen në ngarkim të deputetit dhe ditën e nesërme do t'i referohet Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. 

Do të jetë organi i akuzës që do të vendosë për fatin e mëtejshëm të deputetit demokrat, ku me të marrë në shqyrtim dosjen, do t'i kërkojë Kuvendit autorizim për arrestimin e Strazimirit.
 
Në adresë të deputetit demokrat rëndojnë dy akuza, ajo e kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje. 

Gent Strazimiri posedonte një armë në brez sot gjatë protestës së Partisë Demokratike te Parku i Liqenit Artificial. 

Strazimiri rrezikon 7 vjet burg për armën pa leje
Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri, duhet të vihet në pranga për armëbajtje pa leje. Sipas dokumentit të lëshuar nga Ministra e Brendshme, Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri të përfituar me ligjin nr 7566, datë 25.02 1992, por ky ligj është shfuqizuar.

Për rrjedhojë komisariati numër 3 në Tiranë i ka dërguar Strazimirit dhe një shkresë zyrtare me datë 17 mars 2016, ku i kërkon të dorëzojë armën brenda datës 25 mars 2016. Kanë kaluar 3 ditë nga përfundimi i afatit, por Strazimiri nuk e ka dorëzuar armën.

leja e armes

Në protestën e sotme të organizuar nga PD për moslejimin e ndërtimit të këndit të lojërave pranë Parkut të Liqenit Artificial, Strazimiri është parë me pistoletë në brez.

strazimiri me pistolete ne brez




Ligji për armët dënon dhe personat që kanë armët me leje nëse i mbajnë ato në tubim. Ne nenin 41 pika 4 thuhet: ndalohet mbajtja e armës së zjarrit nga çdo person fizik apo juridik të cilit i është dhënë arma me autorizim në raste tubimesh manifestimesh e aktivitetesh kulturore etj.

neni 41
(Neni i ligjit "Per Armet" që ndalon armët në tubime publike)

Strazimiri është tani subjekt i ligjit që ndëshkon personat që mbajnë armë pa leje dhe duhet të shkoj para drejtësisë, ku rrezikon 7 vite burg.

I kontaktuar nga Shqiptarja.com deputeti demokrat nuk mohoi faktin që ishte me armë në protestë por  tha se mazhoranca ka një deputet që vjen në kuvend dhe që është paraqitur në komisariat me armë i cili ka qëlluar me pistoletë duke lënë edhe të plagosur. Ai tha se ky është rasti i deputetit Armando Prenga i cili as nuk u filmua me armë brenda policisë.

Po ashtu Strazimi reagoi për mediat edhe përmes një deklarate për shtyp.

“Me armë në mënyrë krejt të paligjshme, me numra identifikimi të hequra qëllimisht, sot ishte ajo që nuk mund të quhet më "Policia e Shtetit", dhe jo Gent Strazimiri!Arma e Gent Strazimirit nuk mbahet në brez! Arma e vetme e Gent Strazimirit, është dhe do të jetë ajo që ka qenë gjithmonë: denoncimi e përballja pa kompromis me këtë bandë kriminale që po sundon me urdhra kriminelësh e jo me ligje!” shkruan Strazimiri.


Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)