Deklarata është bërë nga zëdhënësja e DASH, Victoria Nuland, e cila është shprehur se SHBA-të besojnë se “zhvendosja e përhershme e ish-rezidentëve të Ashraf jashtë Irakut është e vetmja zgjidhje dhe mbetemi të angazhuar për të asistuar UNAMI, UNHCR dhe qeverinë e Irakut në këtë ndërmarrje.”
Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit i bën thirrje grupit Iranian të pranojë ofertën e Berishës. “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje lidershipit të MEK të pranojë menjëherë ofertën humanitare të Qeverisë së Shqipërisë dhe i këshillon rezidentët e Kampit Hurriya ti rikthehen pjesmarrjes në intervistat e transferimit, për të garantuar që individët të shfrytëzojnë mundësitë e vendosjes së sigurte e te garantuar jashtë Irakut. Ne inkurajojmë gjithashtu lidershipin e MEK të vendos jetën dhe sigurinë e ish rezidentëve të Ashraf si prioriteti më i lartë duke ofruar një bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar me procesin e transferimit”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit.
Më tej Nuland është shprehur se “Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht punën e Misionit të Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Irak (UNAMI), UNHCR dhe Përfaqësuesit të Vecantë të Sekretarit të Përgjithshëm Martin Kobler. Ne vazhdojmë të theksojmë siguria e kampit dhe e rezidentëve të tij duhet të garantohet në përputhje më Memorandumin e Mirëkuptimit të datës 25 dhjetor 2011, midis Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë së Irakut, dhe I bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira të punojnë sëbashku në mënyrë efektive për këtë.”
Në Kampin Hurriya, i njohur gjithashtu si Kampi i Lirisë jetojnë më shumë se 3000 banorë.
Dy ditë më parë qeveria shqiptare komunikoi se do të “mirëpresë e strehojë” 210 muxhahedinë nga Iraku, gjatë takimit të zhvilluar mes kryeministrit Berisha me Zëvendës Ndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, znj. Barbara Leaf.
Ndërkohë vetëm një ditë më pas, ishin vetë muxhahedinët, ata të cilët e kushtëzuan këtë ofertë duke kërkuar nga Tirana zyrtare që të rrisë numrin e azilantëve, pasi sipas tyre ata nuk janë 210 por mbi 3 mijë persona.
OKB: TE NDIQET SHEMBULLI I SHQIPERISE
Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët, Antonio Guterres, përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për pranimin e 210 rezidentëve nga Kampi Hurriya në Irak për në Shqipëri.
Kampi ka parë kohët e fundit përkeqësimin e sigurisë të banorëve të saj, ku në shkurt nga një mortajë u vranë tetë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
“Ky propozim është një demonstrim i solidaritetit ndërkombëtar”, -tha zoti Guterres dhe “inkurajojmë fuqimisht vendet e tjera të ndjekin shembullin e Shqipërisë dhe të ofrojnë zgjidhje për banorët e kampit, që tu jepet mundësia për t’u zhvendosur jashtë Irakut."
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)