Strehimi/Si do t’ia paguajë shteti qiranë familjeve që nuk kanë të ardhura

Strehimi/Si do t’ia paguajë shteti qiranë familjeve që nuk kanë të ardhura

Foto ilustruese

Ligji i ri për strehimin, i miratuar tashmë nga Parlamenti, parashikon edhe pagesën e qirasë për disa kategori, apo për fëmiljet që nuk kanë të ardhura. Por si do lidhen kontratat e qirasë?

Kontrata e qirasë lidhet ndërmjet pronarit ose përfaqësuesit të autorizuar prej tij dhe, sipas rastit, individit përfitues ose, në rastin e familjeve, prej bashkëshortëve ose bashkëjetuesve, në bazë të dispozitave të Kodit Civil. Kontrata e qirasë lidhet me të drejtë ripërtëritje çdo vit, bazuar në dokumentimin zyrtar që vërteton të ardhurat e çdo individi të familjes.

Vertetimi i të ardhurave, sipas rastit, merret nga qendra e punës ose personi juridik apo fizik që e ka punësuar, ose zyra përkatëse e ndihmës sociale pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, apo Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në rastin e individëve pa të ardhura apo me të ardhura të ulëta, shpenzimet për lidhjen e kontratës së qirasë përballohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore. 

Nëse familja siguron një banesë tjetër, kryefamiljari detyrohet të bëjë njoftimin e menjëhershëm pranë entit menaxhues, nga i cili ka përfituar banesën me kontratë qiraje sociale. Afati i njoftimit për lirimin e banesës përcaktohet në dispozitat e kontratës. Me lidhjen e kontratës, qiramarrësi është i detyruar të paguajë një paradhënie, në formë garancie, në vlerën e një qiraje mujore.

Vlera e garancisë zbritet nga qiraja e muajit të fundit të afatit të qirasë, përveç rasteve kur ajo duhet të përdoret për riparimet e nevojshme të banesës, të diktuara nga dëmtimi i saj nga qiramarrësi ose përveç rasteve kur palët në kontratën e qirasë kanë parashikuar ndryshe. Për familjet pa të ardhura ose me të ardhura shumë të ulëta, paradhënia paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, e cila kryen subvencionimin e qirasë për këto kategori.

Përcaktimi i qirasë

Kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore, ose kombinimi i të dyjave, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi llogaritet nga struktura përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore, brenda kufirit të përcaktuar. Masa e qirasë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas metodikës për llogaritjen, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Masa e qirasë vjetore nuk duhet të jetë më e madhe se 3 për qind e kostos së ndërtimit të banesës nga institucionet shtetërore, për banesat e reja, ose 3 për qind e vlerës së banesës së blerë në treg. Për objektet e dala jashtë funksionimit dhe ato të kthyera në fond banesash sociale me qira, masa e qirasë përcaktohet nga këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore, bazuar në vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre.

Masa e qirasë, e shprehur në lekë për metër katror, duhet të mbulojë kostot për administrim, mirëmbajtje, kosto operacionale dhe kosto të investimit ose të shlyerjes së borxhit. Niveli i qirasë sociale nuk duhet të jetë më i lartë se niveli mesatar i qirasë në tregun e lirë. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore miraton rregulloren për shfrytëzimin e banesave sociale me qira nga qiramarrësit, ku përcaktohen me hollësi të drejtat dhe detyrat e qiramarrësit dhe të entit menaxhues.

Zgjidhja e kontratës së qirasë

Kontrata e qiramarrjes zgjidhet nga qiradhënësi, në mënyrë të njëanshme, para përfundimit të afatit të kontratës, nëse: a) qiramarrësi bën deklarim të rremë për të ardhurat. b) qiramarrësi ka përfituar një banesë tjetër. c) qiramarrësi ia ka lënë me qira një të treti. ç) qiramarrësi, pa arsye të justifikuara, nuk ka paguar qiranë për 3 muaj rresht. d) të ardhurat e qiramarrësit tejkalojnë ato të përcaktuara.

Qiradhënësi duhet të njoftojë me shkrim qiramarrësin para zgjidhjes së kontratës, sipas kushteve dhe në adresën e përcaktuar në kontratën e qirasë. Pas zgjidhjes së kontratës, qiramarrësi është i detyruar të bëjë lirimin e banesës dhe t’ia dorëzojë pronarit në gjendjen dhe me inventarin që e ka marrë në dorëzim. Në rast se qiramarrësi nuk përmbush detyrimet për shkaqe të tilla si: shpenzime të arsyeshme shëndetësore, papunësi e menjëhershme ose humbje e një pjesëtari të familjes, që siguronte të ardhurat dhe këto arsye nuk ndryshojnë me kalimin e tre muajve, qiramarrësi kalon në një nga programet e tjera të strehimit social. Detyrimet e pashlyera për tre muajt e fundit mbulohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

Masa e subvencionit të qirasë

Subvencioni i qirasë është një instrument i programit të banesave sociale me qira, që ndihmon individët/familjet, të cilët me të ardhurat e tyre nuk përballojnë pagesën e qirasë sociale ose të qirasë reale. Masa e subvencionit është në varësi të nivelit të të ardhurave të familjes. Subvencioni mund të mbulojë deri në 100 për qind të qirasë sociale, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe ato që janë në kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike, pavarësisht nëse nuk e kanë përfituar atë, dhe që strehohen në banesa sociale me qira.

Subvencioni i qirasë

Subvencionimi i qirasë si rregull kryhet nga të ardhurat e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Subvencionimi i qirasë mund të bëhet edhe nga pushteti qendror. Aplikimi i individit/familjes për të përfituar nga subvencionimi i qirasë do të bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore. Lista e përfituesve për subvencionimin e qirasë miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ku ndërtohet banesa. Kur subvencionimi i qirasë financohet pjesërisht ose plotësisht nga qeverisja qendrore, lista e përfituesve, e miratuar nga bashkia, i përcillet ministrisë përgjegjëse për strehimin, e shoqëruar me kërkesën për financim.

Përparësi në subvencionimin e qirasë sipas sistemit të pikëzimit kanë, por pa u kufizuar në to, kategoritë e mëposhtme: a) individët me statusin e jetimit. b) personat me aftësi të kufizuara. c) të moshuarit. ç) invalidët e punës. d) familjet e policëve të rënë në detyrë. dh) emigrantët e rikthyer. e) punëtori emigrant. ë) azilkërkuesit. f) familjet e komunitetit rom. g) familjet e komunitetit egjiptian. gj) Viktimat e dhunës në familje. h) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit. i) prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë. j) individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura. k) të miturit, 14–18 vjeç, dhe të rinjtë, 18–21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, sepse duhet të jetojnë larg familjeve, për shkak të rehabilitimit të tyre më të mirë në shoqëri. Vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara. familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private.

Pocedura

Brenda një muaji nga data e miratimit nga komisioni i strehimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore të listës së individëve/familjeve që përfitojnë nga subvencionimi i qirasë së banesave në treg të lirë, subjekti përfitues depoziton pranë komisionit të strehimit kontratat e qirasë të lidhura ndërmjet tij dhe pronarit social. Në rastet kur subjekti përfitues nuk e depoziton kontratën brenda afatit 1-mujor, komisioni shtyn afatin me 30 ditë. Nëse edhe pas këtij afati shtesë subjekti përfitues nuk depoziton kontratën, ai humbet të drejtën për të vijuar procedurën.

Subjekti ka të drejtë të aplikojë përsëri në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë ligj. Pas depozitimit të kontratave të qirave të subjekteve përfituese, komisioni i strehimit i përcjell këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore listën dhe kontratat e qirasë, me qëllim që ai të vendosë miratimin e vlerave konkrete të subvencionit të qirasë për çdo përfitues. Mbledhja e këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore zhvillohet jo më vonë se një muaj nga data kur mbërrijnë listat e miratuara nga komisioni i strehimit. Subvencioni i qirasë do t’i jepet përfituesit që nga data e lidhjes së kontratës, pavarësisht nga data e miratimit të vlerës së subvencionit për përfituesin konkret. Subvencioni i qirasë rinovohet çdo vit, sipas kontratës së qirasë dhe të ardhurave të deklaruara të familjes.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja