Një studim ka treguar se nisja e punës para orës 8 të mëngjesit mund të duket si një mënyrë për të fituar kohë, por psikologë dhe ekspertë të gjumit paralajmërojnë se oraret shumë të hershme mund të shkaktojnë dëme të ndjeshme në shëndet dhe performancë. Disa ekspertë, që kanë folur për Newsweek, thonë se shumica e njerëzve nuk janë biologjikisht të përgatitur për të filluar punën kaq herët. 

Psikologjia e gjumit, Jessica Meers tha për Neësëeek se ritmi cirkadian i shumicës së individëve favorizon zgjimin mes orës 7:00–8:00. Ajo shpjegon se nisja e punës më herët krijon “mospërputhje cirkadiane”, e cila ndikon negativisht në vëmendjen, reagimet dhe produktivitetin. 

Psikologia e punës Marie-Helene Pelletier nënvizon rëndësinë e një periudhe tranzicioni pas zgjimit. Ajo thotë se fillimi i menjëhershëm i punës rrit mjegullimin mendor për shkak të “inercïsë së gjumit” dhe mund të prishë vetë cilësinë e gjumit.

Hulumtimet mbështesin këto pretendime. Një studim i vitit 2022 në Journal of Clinical Sleep Medicine zbuloi se puna me turne, e cila prish ritmet cirkadiane, është e lidhur me probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë atakun në zemër dhe diabetin. Një studim tjetër i vitit 2023 në Journal of Investigative Medicine raportoi se ndërprerja e ritmit cirkadian mund të rrisë rrezikun e kancerit kolorektal.

Sipas neuropsikologes Sanam Hafeez, oraret shumë të hershme dëmtojnë zakone të shëndetshme si ushtrimet fizike dhe mëngjesi, duke ulur energjinë dhe rritur stresin gjatë ditës. Ajo shton se gjumi i pamjaftueshëm dëmton kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve, ndërsa punonjësit bëhen më të prirur për gabime.

"Kur puna fillon herët, shumë njerëz kanë më pak kohë në mëngjes për zakone të rëndësishme, të tilla si ushtrimet fizike ose ngrënia e një mëngjesi të mirë. Anashkalimi i ushtrimeve fizike mund të çojë në ulje të energjisë dhe rritje të stresit gjatë gjithë ditës. Mungesa e një mëngjesi të shëndetshëm do të thotë që trupi dhe truri juaj nuk marrin karburantin që u nevojitet për të funksionuar mirë.", tha ajo. 

Ekspertët mendorë theksojnë se zgjimi i tepër i hershëm rrit irritimin, stresin, ankthin dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet sociale, duke shtuar ndjesinë e izolimit. Si këshillë praktike, Pelletier rekomandon një periudhë “ngrohjeje mendore”, planifikim i ditës, ushtrime të lehta apo meditim, para se të hyhet në aktivitetet intensive të punës.