Gati një në katër votues në Europë voton sot për parti të së djathtës ekstreme, sipas një studimi të kryer nga më shumë se 150 shkencëtarë politikë në 31 vende. Sipas analizës, mbështetja për këto parti ka arritur në mbi 23% në zgjedhjet e fundit kombëtare, nga rreth 10% një dekadë më parë dhe vetëm 5% në vitin 1995.

Studimi u drejtua nga Matthijs Rooduijn, shkencëtar politik në Universitetin e Amsterdamit, në kuadër të projektit PopuList, që monitoron partitë e majta ekstreme, të djathta ekstreme dhe populiste në Europë. Ai zbulon gjithashtu se pothuajse 30% e europianëve votojnë tashmë për parti kundër establishmentit, niveli më i lartë i regjistruar deri më sot.

“Kur nisëm projektin PopuList në vitin 2018, zbulimi kryesor ishte se një në katër europianë votonte për parti populiste, kryesisht të majta ose të djathta ekstreme. Tani një në katër voton për parti të së djathtës ekstreme, shumica prej tyre populiste. Është një ndryshim i madh”, tha Rooduijn.

Sipas studimit, rritja më e fortë e mbështetjes për të djathtën ekstreme është regjistruar mes viteve 2023 dhe 2025. Në Austri, Partia e Lirisë (FPÖ) u rrit nga 16% në 29% në zgjedhjet e vitit 2024. Në Francë, Tubimi Kombëtar (RN) u ngjit nga 19% në 37%, duke u bërë partia më e madhe në parlamentin francez, ndërsa në Portugali partia Chega kaloi nga 7% në 18%.

Në Britani, Reform UK rriti mbështetjen nga 2% në vitin 2019, kur garonte si Partia Brexit, në 14% në vitin 2024. Partia ka këmbëngulur më herët se nuk është e së djathtës ekstreme.

Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dyfishoi rezultatin nga 10% në 21% në zgjedhjet e vitit 2025, duke u renditur për herë të parë si partia e dytë më e madhe në vend.

Sot partitë populiste të së djathtës ekstreme janë pjesë e qeverive në Kroaci, Çeki, Itali dhe Finlandë. Ato gjithashtu mbështesin qeverinë e pakicës në Suedi dhe kryesojnë sondazhet në Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani dhe Britani.

Megjithatë, studimi evidenton edhe disa humbje të fundit. Në Holandë, Partia e Lirisë (PVV) e Geert Wilders humbi gati një të tretën e vendeve në parlament vitin e kaluar, ndërsa në Hungari partia Fidesz e Viktor Orbán u mund nga rivali i tij i qendrës së djathtë në zgjedhjet e prillit.

Pavarësisht këtyre rezultateve, pjesa e votuesve europianë që zgjedhin parti të së djathtës ekstreme vazhdon të rritet. “Është e rëndësishme të theksohet se kjo nuk është diçka e papritur. Ka dekada që po ndodh dhe kohët e fundit është përshpejtuar”, tha Rooduijn.

Sipas ekspertëve të PopuList, disa faktorë kanë ndikuar në këtë trend. Qëndrimet e votuesve ndaj çështjeve kryesore të së djathtës ekstreme, si emigracioni, nuk kanë ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës, por janë bërë shumë më të rëndësishme në vendimin se për kë do të votojnë qytetarët.

Një tjetër faktor është normalizimi i këtyre partive. “Sa më të mëdha dhe më të suksesshme bëhen, aq më normale perceptohen. Kjo ndihmohet edhe nga media dhe nga partitë tradicionale që përqafojnë disa nga idetë e tyre”, tha ai.

Rooduijn shtoi se partitë e së djathtës ekstreme janë bërë shumë të afta në ndërtimin e mesazheve politike. Sipas tij, ato e paraqesin politikën si një përballje mes “ne” dhe “atyre”, duke krijuar narrativa me heronj dhe kundërshtarë, të shoqëruara shpesh me një vizion idealizues për të kaluarën.

PopuList i përkufizon partitë e së djathtës ekstreme si forca politike që mbështeten në dy ideologji kryesore: nativizmin dhe autoritarizmin. Nativizmi mbron idenë se një vend duhet të banohet vetëm nga grupi i tij vendas dhe zakonisht shoqërohet me kundërshtim ndaj emigrantëve dhe grupeve të tjera që konsiderohen “të jashtme”.

Autoritarizmi, nga ana tjetër, mbështet një rend të fortë shoqëror dhe ndëshkime të ashpra për shkeljet e autoritetit, duke e konsideruar ligjin dhe rendin si bazë të stabilitetit të shtetit.

Sipas të dhënave më të fundit të PopuList, në Europë identifikohen 133 parti të së djathtës ekstreme, krahasuar me 112 në vitin 2003. Në total, lista përfshin 201 parti populiste, nga 165 që ishin në vitin 2003.

Mbështetësit e populizmit argumentojnë se ai u jep zë qytetarëve të zakonshëm kundër elitave politike. Kritikët, ndërkohë, thonë se partitë populiste në pushtet shpesh dobësojnë normat demokratike, përmes presionit ndaj gjyqësorit, medias ose kufizimit të të drejtave të pakicave.

“Partitë populiste shprehin pakënaqësinë e qytetarëve dhe kjo është pozitive për demokracinë. Por idetë e tyre nuk janë gjithmonë në përputhje me parimet themelore të demokracisë liberale. Kjo është veçanërisht e vërtetë për partitë populiste të së djathtës ekstreme”, tha Rooduijn.

Ai shtoi se përvoja e vendeve si Hungaria, Polonia dhe SHBA tregon se kur populistët e së djathtës ekstreme marrin pushtetin, vetë demokracia mund të vihet nën presion./TheGuardian