Ushtria ruse po përparon në Ukrainë me ritmin më të ngadaltë të parë në më shumë se 100 vjet luftë, tregon një analizë e re.

Prej vitit 2024, forcat ruse kanë përparuar me një ritëm mesatar prej 15 deri në 70 metrash në ditë në ofensivat e tyre më të spikatura, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me seli në SHBA.

Në ofensivën e Moskës në Chasiv Yar, e cila filloi në shkurt të vitit 2024, forcat e Putinit kanë përparuar me një ritëm mesatar prej 15 metrash në ditë, tregojnë të dhënat, shkruan Sky News.

Për krahasim, forcat franceze përparuan rreth 80 metra në ditë gjatë betejës famëkeqe të Somës, e cila ishte shumë shkatërrimtare, gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Pavarësisht pretendimeve për përparim në Ukrainë, të dhënat tregojnë se Rusia po paguan një çmim të jashtëzakonshëm për fitime minimale dhe është gjithnjë e më shumë një fuqi në rënie”, tha CSIS në vlerësimin e saj vjetor.

Në të njëjtin raport, CSIS pretendoi se forcat ruse kanë pasur gati 1.2 milion viktima gjatë luftës së saj në Ukrainë, më shumë se çdo fuqi e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare

Kremlini e ka hedhur poshtë hulumtimin, duke thënë se raporte të tilla nuk duhet të konsiderohen të besueshme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.