Studiuesi Belushi-Ramës: Krijo
dikasterin ministerial për arbëreshët

Studiuesi Belushi-Ramës: Krijo<br />dikasterin ministerial për arbëreshët<br>
Ky bashkëbisedim dhe njohja nga afër e Priftit arbëresh Imzot Antonio Belushi, mendoj se është një eksperiencë që çdo shqiptar i mirë duhet t’ia krijojë mundësinë vetes që ta ketë. Veprimtaria kombëtare e këtij Prifti arbëresh është e jashtëzakonshme, larg dritave të reklamave dhe zhurmës boshe ky shqiptar i madh i ka lënë Kombit një pasuri shumë të çmuar.

 

 

 

Frashineto/Frasinta ose Frashëri si i thonë arbëreshët është një botë shqiptare e pastër është një ndër dhjetëra, ku koha ka ndalur ndër epokat më të ndritura të kombit tonë, në epokën e Skënderbeut. Legjendat, tezgjahu, vallet, gjuha e pastër arbërore, kuzhina, vajet dhe magjitë, janë një botë që Imzot Belushi e mblodhi dhe e hodhi në letër nga arbëreshët e Italisë deri në ata të Greqisë.

 

Bashkëbisedoi Brizida Gjikondi

1.       I dashur Lal-zot, (kështu e quajnë të gjithë arbëreshët e zonës, Priftin arbëresh Imzot Ndon Bellusci-n nga katundi arbëresh Frascineto/Frasnita Kozenca),  prej më shumë se 50 vjetësh Ju i jeni dedikuar hulumtimit, kërkimit dhe botimit të dokeve dhe zakoneve të kombit shqiptar në shumë territore te botës. Si Ju askush tjetër, tashmë falë jush, shqiptarët kanë një arkiv dhe një kujtesë popullore mbarëkombëtare të zyrtarizuar, të zbardhur, të provuar. Çfarë ju shtyu në këtë ndërmarrje të madhe dhe me vlera historike, ku është i përqendruar ky hulumtim, çfarë mekanizmi keni përdorur, në cilat territore është shtrirë ky hulumtim, çfarë hasët të përbashkët ndërmjet arvanitasve të Greqisë dhe arbëreshëve të Italisë, dhe çfarë të ndryshmesh po ashtu?

Përgjigje: Ne arbëreshët në Itali dhe arnërpret-arvanitasit në Greqi, që ka shekulli XV deri sot, jetojmë si kulturë gojore, dmth pa mësimin zyrtar e gjuhës amtare shqipe. Kushtetuta italiane rinjeh mbrojtjen e pakicave historike linguistike dhe në vitin 1999 shteti italian bëri një ligj ku mësimi i arbërishtes  në katundet arbëreshë është fakultativ jo i detyrueshëm. Dhe kështu s’u bë asgjë, dhe jemi me dy këmbë te varri. Kushetetuta greke njeh dhe mbron vetëm pakicën turke. Arbëreshët dhe arbëroret janë një popull i shpërndarë nga Mëmëdheu, që jeton ditë për ditë identitetin e tij etnik shqiptar vetëm me zemër dhe me veprimtari duke përdorur gjuhën arbëreshe gojore, pa shkuar në shkollë për mësimin e alfabetit shqiptar. Kështu ndodhet ka më shumë se 500 vjet. Një fenomen shumë i rrallë! Ata pak ndër nesh që dimi të kuptomi dhe të shkruami në gjuhën letrare shqipe kemi shkuar çdo vit në Universitetin e Prishtinës në Seminarin për të huaj. Edhe unë shkova në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976 në vitet të tjera. Kjo do të thotë se kultura arbëreshe vdes ditë për ditë, dhe nuk mund të trashëgohet mirë si më përpara.

Dashuria e madhe për gjuhen arbëreshe dhe për zakonet dhe vlerat tona shpirtërore dhe kulturore, që në vitin 1958 me përkrahjen  e prof. Ernest Koliqit, më  futi në kulturen materiale dhe gojore dhe në kërkesat në terren të kulturës analfabete arbëreshe në Itali dhe arbërore-arvanite në Elladhë (Greqi), duke intervistuar vetëm   arbërisht  gra e burra pleq, punëtorë, bujk, çopanë mbi punën e jetën e tyre të përditshme, duke  regjistruar të gjitha në manjetofon: Materialin e kam studjuar, sistemuar, shkoqitur dhe  botuar në revisten “Shejzat”, në “Studime Filologjike”, në “Zgjimi”, dhe pastaj në libra, veçanërisht puna në vek, puna blegtorale, zakonet mbi vdekjet. Njerëzit shkojnë dhe vdesin por kultura e çmuar  e tyre qëndroi kështu e kodifikuar, dhe qëndron e pavdekshme si trashëgim në brezat e reja arbëreshe. Kjo punë më mbajti gjithmonë  lidhur me popullin dhe me kulturën e tij në shumë troje dhe situate të ndryshme.

2.       Çfarë kujtoni nga miqësia juaj me arvanitasit e shquar te Greqisë, çfarë produktesh kombëtare solli bashkëpunimi juaj me ta.

Përgjigje: Hulumtimet e mia midis vëllezërve arbërorë-arvanitë në Elladha filluan që në vitin 1965, dhe vazhduan deri në vitin 2005. Kur u takova me banoret arbërorë në katundet në Atikë si Koropi, Spata, Markopoulos, Qeratà, etj. Për mua u hap një jetë e re. Kam shkuar për kërkime në terren në 115 katunde arbërorë, kur se në katalog, sipas dokumenteve të botuara, janë mëse 900 katunde albanofonë në të gjitha krahinat të Elladës. Sundimi otoman në gadishullin ballkanik dhe deti Adriatik na largoi nga vatrat tona dhe na këputi vëllazërinë tonë. Varrezat e prindërve në trojet atdhetare na forcuan kujtimin dhe deshiren dhe nostalgjinë të rikrijimin në Atdhe me këngët tona tradicionale. Unë, arbëresh, s’dija asgjë mbi gjendjen dhe historinë të këtyre vëllezerve, dhe ata s’dinë asgjë mbi ne arbëreshët. Zbuloja çdo ditë se neve arbëreshë dhe arbërorë na bashkon shperngulja nga Atdheu për shkak të sundimit otoman, mikpritja, vëllazërimi, mbiemrat, besimi ortodhoks me ritin lindor bizantin, toponimet, të folmet dhe kostumet tona. Çdo takim ish i jetuar me një gëzim i pathënshëm e me një mikpritje e jashtëzakonshme. S’kisha asnjë problem për të fjetur dhe për ushqimin. Të gjithë më nderonin dhe më shprehin mirënjohje se unë arbëresh, me regjistrimet e zakoneve dhe të këngëve të tyre, shpëtonja nga varri e nga harresa një pasuri kulturore shekullore të ekzistences e tyre. Nga vjen ti, ku jetoni ju arbëreshë, çfarë punë  bëni atje në Kalabri, ju jini vëllezërit tanë të harruar nga shekuj, ju arbëreshë jini si neve këtu arbërorë me një gjak, një gjuhë dhe një histori.

Këto ishen kudo pyetjet tona me shumë interes  dhe me çudi. Në rrugen time kërkimtare si etmolog kam takuar një popull arbëror me ndjenja etnike  arbërore të thella e të rrenjosura me arë në hekur dhe me një identitet  kulturor shumë i dobët dhe i varfër: as libra me alfabetin shqip, as revista arbërore. Një popull arbëror, albanofon i shkelur dhe i persekutuar ashper për humbjen të identitetit e tij etnik dhe kulturor në Elladha. Arbëroret kanë jetuar të vetmuar dhe pa lidhje me Shqipërinë dhe me neve arbëreshë. Disa njerëz me kulturë të lartë më kanë përkrahur dhe ndihmuar shumë, si Metropoliti i Korinthit Panteleimon Karanikolas nga katundi arbëror i Kranidhi Argolidos, avokati Vangjel Ljapis nga Elefsina, avokati Aristidhi Kolljas nga Kackaveli, dr. Gjergj Haxhisotiriu, inxh. Jorgo Marougas nga Patra, Jani Gjikas nga Evja shkrimtar dhe etnolog, inxh. Jorgo Gerou, Jorgo Mihas, Të gjithë këta, pastaj njëzet vjet që u shkoja çdo vit në Greqi për hulumtime etnologjike, u zgjuan nga gjumi nga gjumi dhe falë edhe nxitjes time krijuan Shoqaten Kulturore “Mark Boxcari” në Athinë me revisten “Besa” dhe me revisten “Arvanon”.

Me mikun Aristidhi Kolljas kemi krijuar një levizje popullore arbërore-arbëreshe, duke organizuar udhëtime dhe vizita reciproke në katundet arbërore në Atikë dhe arbëreshë në Kalabri. Shumë nga ata më kanë shkruar vetë, ashtu si dijen, letra arbërisht me alfabetin shqip. Dhe kjo më gëzoi shumë, sepse puna ime jip pema kulturore dhe kombëtare. Përmendorja më e pavdekshme të këtij populli arbëror është në këto dy botimet e mia “Kërkime dhe studime ndër arbëroret të Ellades” (1994), dhe në Arbërorët-Arvanitë një popull i padukshëm”(2004)- Cdo shtëpi shqiptare  kish të kish këta dy libra ku jeta e vëllezërve arbërorë vërtet lulëzon  dhe na mëson se ç’vjen m’e thënë “Shpirti i Arbërit”.

3.       A ju ka ndihur në këtë rrugëtim historik, të qenit njeri i Zotit me të gjithë kuptimin e fjalës, dhe me qe jemi në këtë temë, çfarë roli mendoni Ju se ka luajtur feja në ruajtjen e vlerave bazike të kombit shqiptar tek arbëreshët e Italisë dhe tek arvanitasit e Greqisë, në cilin rast ka qenë më ndihmuese dhe respektuese?

Përgjigja: Feja ime si Prift arbëresh me ritin bizantin i Eparkisë arbëreshe së Ungrës,  e themeluar nga Papa Benedikti XV në vitin 1919, më ndihmoi jashtëzakonisht shumë, sepse arbëroret-arvanitë në Greqi janë gjithë ortodjoks me ritualin kishtar e Kostantinopojes, ashtu i kemi edhe me arbëreshë. Besimi jonë ortodhoks dhe njohja ime e  gjuhës greqishte liturgjike dhe greqishte  popullore më ndihmoi dhe më afroi shumë në punën time etnografike në mbledhjen e kulturës popullore arbërore në sheshet e katundit, në shtëpi, në kisha, në rrugë. Kisha makinen time dhe njerëzit më shoqërojnë në shtëpitë e tyre për të intervistuar prindërit dhe gjyshin e tyre. Dhe priftrat e katundëve arbërorë, kudo vajta, kur i tregoja se jetoja dhe isha mysafirë i metropolit Panteleimonit i Korinthisë, më ndihmojnë dhe mirrjen dhe ata pjesë në intervistat e mia. I kam gjithë në zemren time dhe jam shumë mirënjohës gjithëve. Historia na thotë se  shpërngulja  në shekullin XV e Etravet tanë nga Epiri, nga Himara dhe nga jugu i Shqipërisë, me të folmen toshkërishte, ishen me besimin ortodhoks në juridiksionin kishtar i Metropolisë i Ohrid. Koncili i Firenxes (1439) vu atrat tanë dhe nën juridiksionin territorial të Papës e Romes. Dhe kështu ne u kemi zhvilluar nën këto dy juridiksione. Një fenomen unik në botë.

4.       Ju jeni shqiptar me nënë dhe atë arbëresh nga Frasnita/Frashineto e Kalabrisë, cfarë roli mendoni se ka luajtur familja dhe katundi Juaj në formimin dhe rrugëtimin tuaj me vlera kombëtare. Mendoni që tashmë Frashineto, si shumë katunde të tjera arbëreshë, dalëngadalë po i përkasin historisë dhe mbas 5 shekujsh mund  ti dorëzohen asimilimit.

Përgjigje: Tat-madi im(gjyshi) dhe mëma e tatësë (gjysha), tatmadhi im (gjyshi) nga ana e mëmëjeter (gjysha), ashtu si edhe tata dhe mëma, të gjithë arbëreshë  nga Frasnita, kanë pasur një rol të madh në  ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve atdhetare. Në shtëpi, na e ditë, folmi vet arbërisht. Italishtja përdorej me të huajtit. Mbi përdorimin e gjuhës arbëreshe shtohej edhe mbajtja e fjalës së dhënë, e mikpritjes, e nderimit me miq dhe armiq. Ne jemi arbëreshë, dhe me të tjerë duhet të sillemi më mirë e më drejtë se të tjeret ç’janë italianë. Në shtëpi trashigohej gjithë pasuria jonë kulturore zakonore kombëtare.

Për sa i përket asimillimi  i katundëve arbëreshë me ritin latin të Italianëve mund të verifikohet ditë për ditë më shpejtë. Por në katundet arbëreshë me ritin bizantin, që sot bëjen pjesë tek eparkia bizantine e Ungrës, asimillimi është i pamundshëm  sepse vetëdija e apartenxes  është shumë e thellë dhe gjuha arbëreshe përdoret dhe këndohet çdo ditë në kishat tona arbëreshe me ritualin bizantin i etravet tanë. Identiteti kishtar fetar me ritin bizantin do të mbanjë akoma për shumë vjet identitetit etnik dhe identitetin kulturor me traditat.

Eparkia jonë, zyrtarisht, quhet “Eparkia e Ungrës të italo-shqiptarëve me ritin bizantin të Italisë kontinentale”. Deri  që rron eparkia e Ungrës, si qendër dje si kështjellë të vetdijës dhe të  identitetit tonë etnik, fetar dhe kulturor, do të rrojmë dhe përparojmë dhe gjithë ne arbëreshë. Identiteti jonë kishtar na mbanë forte identitetin tonë etnik.  Eparkia e Ungrës përmban 25 katunde arbëreshë me  një popullsi rreth 40.000 banorë.

5.       Biblioteka Juaj është simbol në botën arbërore dhe mbarë shqiptarinë, ajo është e vizitueshme dhe vënd kult për cdo shqiptar, keni patur ndihmë nga shteti shqiptar në këtë monument të gjallë që Ju i keni ngritur Kombit ? Ju keni patur marrëdhënie akademike me shtetin shqiptar të të dy sistemeve, kur mendoni që shteti shqiptar ka qënë më pranë arbëreshve të Italisë, në cilën epokë dhe në cfarë formash.

Përgjigje: Biblioteka vepron që në vin 1960, dhe kanë ardhur afro 6000 studjues nga gjithë bota. Dhe çdo njeri  ka shkruar mendimet e veta  në regjistrin e Bibliotekës. Eshtë në botim një liber i veçant me gjithë këta mbresa nga akademikë, ambasadorë dhe studiues shqiptarë dhe nga Evropa dhe Amerika. Disa studiues si av. Ilirjan Celibashi, kryetar i Shoqatës “Pal Engjell” në Tiranë, Ju (Brizida Gjikondi), profesoret të Universitetit e Tetovës dhe të Prishtinës vazhdojnë të më dhurojnë libra dhe revista shqiptare për Bibliotekenë. Dhe i kam shumë mirënjohje. Nga Shteti i sotëm demokratik s’kam pasur asnjë ndihmë, po vetëm nderime dhe mirënjohje. Në kohën e Hoxhës prof. Androkli Kosatallari interesohej dhe Biblioteka Kombëtare më dergonte rregullisht libra dhe revista që sot nderojnë Bibliotekën dhe studiohen vazhdimisht.

 Duket se Shteti shqiptar i sotëm harroi krejt arbëreshët dhe problemet e tyre e përditshme për të mbajtur të gjallë rrënjat tona kombëtare. Shpresoj se Institucionet shqiptare do te kuptojnë rëndësinë e Bibliotekës sime shqiptare në Frasnitë dhe do te gjejnë menyrën për ta ndihmuar me libra, revista dhe të tjera mjete për të vazhdoj punën e saj kulturore për arbëreshët, për diasporen shqiptare dhe për Kombin.

6.       Kur shëtit nëpër Frashineto por edhe në katundet e tjera arbërorë, ndjen sikur kthehesh mbrapa në kohë, emrat e udhëve, adhurimi ndaj Skenderbeut, Monumentet dhe Sheshet me emrin e tij, gjuha e pastër pa barbarizma, kostumet, zakonet, të bëjnë të ndjesh që botës arbërore të Italisë, ora i ka mbetur pikërisht në momentin kur Gjergj Kastriot Skenderbeu mbylli sytë, si arritët ju si komunitet ti mbijetonit asimilimit per shekuj me rradhë, të përballonit mbijetesën në Italinë e luftrave dhe konflikteve si të brendëshme dhe të jashtme duke qenë gati përherë në krahun e përparimtarve dhe fitimtarve, jo vetëm kaq, por shumë figura të shquara të Italisë janë pikërisht të komunitetit arbëresh të Italisë.

Përgjigje: Gjatë pesë shekuj ne kemi luftuar kundër asimilimit. Shekulli XVII ka qenë shekulli më  rrezikshëm, sepse disa katunde arbëreshë me ritin bizantin kanë qenë të angazhuar mirrjen ritin latin e Italianëve, që na thomi “t’huaj”. Në shekullin XVIII kemi pasur institucionin të Kolegjith “Corsini” në Shën Benedetto Ullano dhe pastaj Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Miter Korone, ku kanë dalur njerez me kulturë shumë të lart dhe me nje vetëdije kombëtare shumë të bindur dhe shumë të thellë. Priftrat arbëreshë gjithmonë kam mbajtur t’gjallë idenë të “Kombit shqiptar”(Nazione Albanese), e lidhur me ritin bizantin dhe me gjuhen arbëreshe. Ruajtja e ritit bizantin ishte ruajtja dhe identitetit tonë etnik shqiptar.

7.       Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama së bashku me qeverinë e tij ka vendosur që vitin 2018 ta quaj vitin e Skënderbeut, mendon që ky vendim duhet të përfshijë dhe botën tuaj arbërore si pasqyrimi më suprem dhe real i ruajtjes se vlerave të Skënderbeut ?

Përgjigje: Miti i Skënderbeut që nga “Lidhja e Lezhes” deri sot është i gjallë jo vetëm në rapsoditë tona epike dhe në vallet tona kombëtare këtu në Frasnitë tek e marta e Pashkvet, por Skënderbeu është i gjallë tek toponomastica e katundëve arbëreshë dhe në monumentet me bustin e tij, ashtu si është i gjallë te Biblioteka ime. Në vitin 2018 ishte mirë nëse Edi Rama interesohej, në lidhje me pedagogët e Tiranës, të punojnë e vijnë këtu në shkollat arbëreshe profesorë për të folur mbi veprimtarinë dhe aktualitetin e Skënderbeut, ose të shkojmë ne studiues arbëreshë për të folur mbi Skënderbeun në shkollat shqiptare në Shqipëri. Qeverisë se sotme shqiptare i bëj dhe një thirrje që të krijojë një dikaster ministerial vetëm për ne arbëreshë në Itali, dhe për kulturen shqiptare e rinisë arbëreshe deri në moshen 18-vjeçare, para se të shkojnë në Universitetet e qyteteve italiane. Për këta duhen të krijohen bursa studimi në Tiranë. Dhe kështu Arbëria jonë mund të veprojë akoma për kombin.

8.       Si ndjehet Im Zot Belusci tani që kthen kokën mbrapa në kohë, ka projekte të pa realizuara, po dëshira, po brenga si në planin personal dhe kombëtar?

Përgjigje: Siç dini unë u kam lindur në vitin 1934, dhe deri sotsi nga pikëpamja personale dhe kombëtare janë shumë gjëra pozitive që kam realizuar bashkë me shumë miq të tjerë. Sot në kohën post-industriale dhe teknike gjithë deshirat janë të realizuara. Realizimi i demokracisë në Shqipëri, shpallja e Republikës në Kosovë, hapja e Universitetit shqiptar në Tetovë, dhënia e shtetësisë shqiptare dhe doktorati në etnologji nga Akademia e Shkencave në Tiranë dhe nderimi me Medaljen e art i Lidhjes së Prizrenit nga I.Rugova janë fitime dhe realizime jashtëzakonshme në jetën time. Gëzohem se Shqipëria dhe Kosova përparojmë dhe i uroj të mos të harrojnë kurrë Arbërinë tonë në Kalabri. Puna pa e realizuar është lidhja dhe bashkëpunimi i këputur me vëllezërit e komuniteteve grekofone në Greqi pas vdekjet të papritura të miqve të ngushtë arbërorë Aristidhi Kolljas dhe Jorgo Marougas. Në revisten time “Lidhja”(1980-2010) dhe më botimet e mia populli arbëror në Greqi qendron i gjallë dhe veprues.

9.       Cfarë do ju uronit shqiptarve kudo në botë në këtë nëntor domethënës të 105 vjetorit te shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar?

Përgjigje: Celebrimi në 28 nentorit i pavarësisë e Shqipërisë pas 105 vjet na gëzon gjithë ne shqiptarë. Kremtimi i Flamurit bashkon “Shpirtit e Arbërit” dhe na kulton se ne shqiptar duhet të jemi gjithmonë të bashkuar dhe të duhemi dhe të respektohemi njeri me tjetrin, duke mbajtur parasysh se sot kemi një Komb, një gjuhë dhe një histori e përbashkët. Dhe për këtë duhet të ndihemi në ndërgjegjen sonë krenarinë se jemi shqiptar. Në fund, ju falënderoj për këtë bisedë të ngrohtë dhe për të gjitha revistat shqiptare “Studime Filologjike”, “Studime Historike”, “Etnografia Shqiptare”, që më kini dhuruar për Biblioteken. Ardhja juaj në Bibliotekë më nderoi shumë.

(Ju falenderoj me zemër për këtë bashkbisedim të vyer për mua dhe gjithë shqiptarët.  Frashineto, 1 dhjetor 2018).

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë