Prej disa ditësh tashmë, disa rajone të Italisë janë përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi të të forta. Sipas mediave vendase, zona më e prekur është Toskana, ku raportohen 5 viktima dhe 6 persona rezultojnë të zhdukur.
Viktimat janë një burrë 85-vjeçar, i cili vdiq në shtëpinë e tij në Montemurlo (provinca e Pratos), pas vërshimit të përroit Bagnolo. I moshuari kishte probleme me ecjen dhe nuk ka mundur të dalë kur uji vërshoi në shtëpinë e tij. Mes viktimave është edhe një e moshuar 84-vjeçare, raporton La Repubblica.
Po ashtu, një tjetër i moshuar, i ftuar në një shtëpi private të të moshuarve, humbi jetën në Rosignano (Livorno) gjatë operacioneve të transferimit të pacientëve që po kryenin zjarrfikësit si pasojë e përmbytjes së katit përdhes të institucionit shëndetësor.
Deri më tani ka pasur mbi një mijë ndërhyrje për shkak të motit të keq në Campi Bisenzio, Cerreto Guidi, Carmignano, Prato, Montemurlo, Quarrata, provincat e Pizës dhe Livornos. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori toskan Eugenio Giani. Enel shpjegon gjithashtu se "ndërhyrjet janë duke u zhvilluar në rreth 40 mijë banorë ende janë pa energji elektrike, duke përfshirë edhe gjeneratorët". Në lidhje me spitalet e përmbytura, "problemet e aksesit në spitalin Pontedera janë zgjidhur dhe po zgjidhen në spitalin Borgo San Lorenzo dhe në dhomën e urgjencës Prato".
Aktualisht rajoni ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, teksa po mban kontakte me qeverinë qendrore në rast se situata përkeqësohet dhe është e nevojshme ndihmë tjetër. Autoritetet kanë pezulluar procesin mësimor në shumë shkolla, teksa problematika të mëdha janë hasur dhe në qarkullimin e mjeteve dhe atë hekurudhor.
Stuhia Ciaran ka shkaktuar deri më tani 5 viktima në Toskana, Itali, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të zhdukur.
President i Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme rajonale dhe është në kontakt me qeverinë për atë kombëtare.
Në disa lumenj niveli i ujit po bie, por Arno pritet të përmbytet pas orës 12:00. Në Veneto një person ende është zhdukur, bëhet fjalë për një zjarrfikës që po ndihmonte babain e tij të rregullonte disa thasë me rërë përgjatë bregut të një përroi.
Tirana solidarizohet me Firencen dhe Toskanën në Itali, të cilat gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme kanë pësuar përmbytje, si pasojë e motit të keq.
Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj u ka shprehur mbështetjen dy homologëve të tij italianë për çdo nevojë.
“Të gjithë në Tiranë jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi i përmbytjeve dhe humbjeve të jetëve në Firence dhe në Toskanë. I shpreha solidaritetin vëllait tim, kryebashkiakut Dario Nardella dhe mikut/kryetarit Eugenio Giani. Lutemi që kjo katastrofë të kalojë sa më shpejt dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo rast nevoje”, shkruan Veliaj.
Lumi Bisenzio në Campi Bisenzio (Firence) doli nga shtrati në zonën e Piazza Gramsci. Po ashtu u mbyllën edhe dy ura Rocca dhe Capalle, raporton La Repubblica.
U mbyllën gjithashtu të gjitha qendrat tregtare. Bashkia njoftoi qytetarët që të ngjiten në katet e sipërme të banesave të tyre madje nëse ata kanë shtëpi private mund të ngjiten edhe sipër çative.
Italia është përfshirë nga përmbytje masive, ku 3 persona kanë vdekur dhe 6 të tjerë raportohen të zhdukur në Toskana. Mediat italiane kanë ndarë një video në Prato, ku vërshimi i lumit Bisenzio përmbyti spitalin Santo Stefano dhe uji arriti në bodrum dhe një pjesë të katit përdhes.
Sheshi i stacionit qendror është i mbyllur dhe gjithashtu është i përmbytur. Në territorin e bashkisë Prato ka fshatra të tëra të përmbytura.
Ngado janë raportuar përmbytje të shtëpive në katin përdhes dhe në garazhe apo bodrume. Shumë makina u morën nga rryma e ujit. Dyshohet se lumi mund të fryhet dhe të vërshojë edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Kryebashkiaku Matteo Biffoni u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.