Bregu lindor i SHBA-ve është goditur nga një stuhi e furishme dëbore. Në disa rajone të vendit, dëbora ka arritur në 55.9 centimetra dhe rreth 38 centimetra në New York.
Paralajmërimet për stuhi dimërore shtrihen nga Karolina e Veriut deri në veriun e Maines, ndërsa janë gjithashtu në fuqi në disa zona lindore të Kanadasë.
New York, Delaware, Massachusetts, New Jersey, Konektikati, Rhode Island dhe Pensilvania kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Shkollat janë mbyllur, ndërsa shkollat publike në Uashington mbeten të hapura, por kanë nisur mësimin me dy orë vonesë.
Energjia elektrike është ndërprerë për më shumë se 400 mijë abonentë. Më shumë se 5,400 fluturime drejt, nga dhe brenda SHBA-ve janë anuluar deri tani të hënën. Njëkohësisht janë pezulluar edhe shërbimet hekurudhore e të trageteve, ndërsa ka vonesa dhe reduktim të autobusëve e metrove.
Aeroportet e New York, John F. Kennedy International dhe LaGuardia, janë ndër më të prekurit. Kryetari i bashkisë së New York, Zohran Mamdani, është ndër ata që u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.
Është hera e parë në 9 vite që New York përballet me një stuhi të tillë dëbore. Vetëm automjetet e emergjencës lejohen të qarkullojnë në rrugë në të pesta bashkitë e qytetit.
Shkollat janë mbyllur në të gjithë qytetin, ku 13 godina shkollore që janë shndërruar në “qendra ngrohjeje” gjatë kohëzgjatjes së stuhisë së borës.
Komente










