Pas stuhisë “Daniel”, Greqia është pushtuar sërisht nga një stuhi tjetër këtë muaj “Elias”, ku për shkak të kësaj të fundit një pilot rezulton i zhdukur pas rënies së helikopterit në veri të ishullit Eubea. Sipas raportimeve shkak i rënies së helikopterit janë erërat e forta nga stuhia e fuqishme “Elias”, ku helikopteri po fluturonte drejt Volosit.
Kërkimet për pilotin e zhdukur janë në proces e sipër. Qyteti Volos dhe zonat përreth janë më të goditurit gjatë orëve të fundit nga përmbytjet masive që shkaktuan reshjet e dendura të shiut. Përmbytjet prekën çdo cep të qytetit, deri në qendër, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore dhe ndërprerje të energjisë elektrike, raporton Protothema.
Banorët e zonës së Volosit nisën përpjekjet për të rikuperuar dëmet, duke pastruar mbetet që lanë përmbytjet pas dhe duke nxjerrë makinat nga balta dhe uji. Të enjten stuhia është zhvendosur drejt ishullit Evia ku disa fshatra veriore janë urdhëruar të evakuohen.
Pritet që stuhia e dytë e fuqishme e këtij muaji të sjellë vështirësi gjatë orëve në vazhdim edhe në të tjera zona të Greqisë Jugore e Qëndrore.