Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e vona të së dielës në Suedi, ku një i ri shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët në rrjetet sociale, të cilët shprehen se viktima, i identifikuar si Genti Maksutaj me origjinë nga Kosova, dyshohet të jetë vrarë gabimisht. Ai mendohet se ishte kalimtar i rastit në momentin kur një përplasje mes grupeve kriminale ka përshkallëzuar në përdorimin e armëve.
Babai i viktimës ka reaguar me një mesazh prekës në Facebook,
“U prehsh në paqe djali jem. Përjetë në zemrat tona. Babi të do shumë”, shkroi ai.
Autoritetet suedeze po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Ndërkohë, një person rreth 18 vjeç është ndaluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lidhje me rastin.
Sipas mediave suedeze, policia është njoftuar për të shtëna me armë rreth orës 21:00 në zonën Kvarngärdet në Uppsala. Me mbërritjen në vendngjarje, forcat e rendit kanë nisur hetimet intensive për sqarimin e motivit dhe rrethanave të ngjarjes.
Deri tani, dyshohet se vrasja mund të ketë lidhje me përplasje mes grupeve kriminale, megjithatë autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht motivin e ngjarjes.
Komente







