Suela Bako: “Aktor në
Shqipëri, ende e vështirë”

Suela Bako: “Aktor në<br />Shqipëri, ende e vështirë”
Aktorja por këtë herë regjisorja Suela Bako vjen në Pink Report për të rrëfyer prapaskenat e realizimit të filmit me metrazh të shkurtër “Darka”, i cili u nderua më çmimin e parë në “Festivalin e Filmit të Shkurtër Ndërkombëtar” në Gjakovë.

Gjithashtu bashkëshortja e aktorit Romir Zalla sjell pjesë edhe nga përditshmëria e tyre në një rrëfim të sinqertë për rubrikën e përjavshme të emisionit “Rreze Dielli” në A1 Report.
 
 Diçka më tepër rreth prodhimit kinematografik “Darka” si nisi e gjithë kjo aventurë, e cila është finalizuar me një çmim?
 
Darka ka qenë detyrimi im për të përmbyllur detyrimin tim në master për regji filmi dhe televizioni. Nisi si një detyrim shkollor pastaj kaloj pritshëmëritë e mia dhe rezultoi një punë e mirë e cila u vlerësua më pas në “Festivalin e Filmit të Shkurtër Ndërkomëbtar” në Gjakovë me çimimin filmi më i mirë i festivalit. Ka një subjekt të cilin unë e kam shumë përzemër, i cili është shumë jetësor, i ndjerë , i vërtetë, është një fat që mund ta ketë secili prej nesh. Dy vajza të cilat jetojnë pa të ëmën e tyre  pasi u ka vdekur prej vitesh jetojnë me babain dhe një mbrëmje të bukur ai vendos që të sjellë në shtëpi një grua të re, të cilën në fund të filmit zbulojmë se është gruaja e ardhshme e babait. Sigurisht filmi trajton pikërisht pikërisht mënyrën sesi vazjat e përjetojnë në mënyra komplet të ndryshme. Vajza e vogël, duke qenë më e vogël dhe më e drejtpërdrejtë e pranon më lehtë njerkën, ndërsa vajza e madhe përjeton një dramë akoma më të madhe,  pasi për të ndarja nga prezenca dhe kujtimi i së ëmës nëpër shtëpi është shumë e rëndë. Pikërisht këtë dramë trajton edhe filmi.
 
Sa i përket përzgjedhjes së kastit, cilët ishin kriteret më të cilat ju përzgjodhët personazhet duke përjashtuar bashkëshortin dhe vajzën tuaj?
 
“Darka” është një skenar i  imi i mbështetur në një tregim të Faik Ballancës me titullin “Njerka”. Duke qenë një skenar i imi që në fillim mua më është dashur që të shikoj, të vizualizoj skenën sesi rriten personazhet që unë krijoj dhe për të bërë këtë sigurisht që duhet të fillosh të materializosh personazhet me një person konkret, që mund të jetë alternativa e duhur për të realizuar në fund rolin. Duke shkruar skenarin kam patur parasysh për fatin tim të mirë personazhet që do ta interpretonin. Jam shumë e lumtur që ja dola mbanë që ta çoj këtë punë në fund me aktorët të cilët kisha menduar që në fillim.
 
Doja të ndalesha pak në prapaskenat në fakt ose më saktë tek të pathënat e realizimit.  Si ka qenë puna me bashkëshortin tuaj Romir Zalla, duke qenë se këtë radhë ishit si drejtuesja për të?
 
Po, nuk është keq të jesh ndonjëherë drejtuese. Në fakt nuk është dhe aq e lehtë pasi nuk është fare e lehtë të punosh me familjarë. Për mua ai ishte njësoj si të tjerët dhe ku me hir ku me pahir do të duhej të zbatonte kërkesat e mia. Por ja kemi dalë për hir të faktit që jemi profesionist pasi e duam dhe e njohim mirë këtë profesion. E dimë shumë mirë që nëse nuk respektojmë nevojat dhe kërkesat e njëri-tjetrit qofshin këto edhe në raportet regjisor aktor atëherë nuk do të mund të shkonim dot përpara, kështu që funksionoi.
 
Po me vajzën si funksionoi?
 

Ajo ishte një çudi për mua dhe këtë mendim kanë edhe njerëz të tjerë. Vajza funksiononte shumë mirë për fatin tim të mirë qëllonte që në dublën e parë dhe nuk kam patur vështirësi me të, megjithëse kam punuar në kushte të vështira duke punuar deri në orët e para të mëngjesit. I gjithë filmi në fakt zhvillohet në darkë dhe ka vetëm një skenë mëngjesi. Ka patur raste kur vajza ishte tërësisht e këputur dhe mua më është dashur ta zgjoja dhe “ta ngjallja” që ajo të ishte aktive dhe prezent. Mund të them se vetëm kjo ka qenë vështirësia.
 
Kjo do të thotë që do ta kultivoni këtë dëshirë të sajën për aktrimin? Në fakt prindërit kanë tendencën e mosdashjes së përfshirjes së fëmijëve në profesionin e tyre.

 
Nuk do të doja fare. Nuk do të doja pasi është jashtëzakonisht e vështirë. Në familjen tonë unë dhe im shoq e dimë shumë mirë se sa e vështirë është që të pozicionohesh, të marrësh atë që meriton. Ajo shprehet se ka zgjedhur të bëhet aktore kur të rritet, mirëpo unë shpresoj që të jetë një mendim i një 9-vjeçareje, e cila kur të bëhet 19 vjeç do të ketë të tjera dëshira për jetën. Ajo që unë shpesh i them është se “ti aktore je, por tani duhet të bëhesh doktoreshë”, sepse nuk kam sesi ta mbroj mosdëshirën time që ajo të vazhdoj këtë rrugë.
 
E njëjta gjë vlen edhe për djalin?
 
Në fakt ky është filmi im i tretë dhe në dy prej tyre në njërin ka luajtur vajza dhe në tjetrin djali. Detyrën time si  prind që ata të kenë një kujtim të bukur kur të rriten e kam realizuar dhe do të doja që karriera e tyre aktoreske të ndalonte këtu. Ai ka një portret shumë interesant shumë melankolik, si një fëmijë i dëshpëruar, nuk është se është i dëshpëruar, por kinemaja i kërkon shumë këto lloj portretesh. Unë shpresoj shumë të bëhet një profesionist i mirë në një fushë tjetër.
 
Do të doja të ndalesha edhe në projektet e radhës që ju keni. Çfarë do të vijojë me filmin “Darka”, do të ketë një premierë?
 
E ardhmja në fushën tonë është e pasigurt, por për fatin tim të mirë kam besim që e ardhmja do të jetë e mirë për mua dhe do të më rezervoj gjëra të bukura, meqë ia dola mbanë të realizoj një punë të mirë që është pëlqyer. Darka mund të ketë një premierë por jo të afërt. Mendoj të realizoj një tjetër film të shkurtër që në këtë mënyrë të kem një buqetë filmash të shkurtër e të mund të realizoj një premierë. Sa i përket projekteve kam disa të tilla si aktore, pres të xhiroj një film, një shfaqe teatrale gjithashtu një projekt me poezi në Teatrin e Metropolit,  por të gjithë këto janë “pres” dhe unë dëshiroj shumë që të realizohen.
 
Mund të na zbuloni diçka më tepër rreth rolit në teatër?
 
Është diploma e një vajze e cila studion për regji, Laura Nezha, është një shfaqe ku janë tre meshkuj dhe një femër, puna do të nisë në pak ditë. Kjo shfaqe do të jepet në sallën e Akadamisë së Arteve.
 
Gjatë ligjërimit tuaj në fakt vura re disa nota skepticizmi sa i përket profesionit të aktorit në Shqipëri, duke patur parasysh që bashkëshorti juaj, Romir Zalla, është  një aktor mjaft i suksesshëm. Nga buron ky skepticizëm?
 
Ai është vërtetë i suksesshëm por ju siguroj që do të ishte akoma më shumë i tillë dhe profesional në punën e tij, nëse Shqipëria do të kishte mundësi më të mëdha për aktorët, sidomos në teatër mundësitë e të cilit janë të kufizuara qoftë edhe në film pasi edhe këto mundësi janë të pakta. Kështu që nuk e di nëse mund të jetë skepticizëm, unë e quaj si një farë frike dhe pamundësie për ti thënë të gjitha. E them këtë nga eksperienca ime, mua më është dashur të tërhiqem pak nga filmi dhe të ushtroj një profesion siç ka qenë regjia në televizion për hir të faktit që nuk mund të siguroja dot jetesën me një punë si aktore.
 
Sa i pëket jetës familjare , dy aktorë, për të mos thënë katër  sa e vështirë dhe sa e lehtë ka qenë për ju?
 
Nuk është e lehtë, ndonëse çdo profesion ka vështirësitë e veta, por mund të theksohet se ka ulje e ngritje në krahasim me profesionet e tjera pasi gjatë gjithë kohës je në konkurs, je në audicion, dhe këto kriza të vockla e bëjnë që një vit të jetë me ulje ngritje dhe humori të jetë i tillë. Në shtëpi është vendi i vetëm ku mund të nxjerrësh dufin dhe kjo e bën marrëdhënien pak të vështirë po ashtu sa e konsolidon dhe e bën më të fortë. Jemi një familje që e mbajmë fort njëri-tjetrin. Në fakt do të thoja se është pak e padrejtë që fëmijët të përjetojnë krizat tona të vogla.
 
Shumicën e rasteve Romiri përdor personazhin e “Edrës” gjatë monologjeve të tij, në fakt sa ka marrë ai nga përditshmëria për këtë personazh?
 
Ka edhe nga jeta e përditshme (qesh). Nëse bëhet fjalë për rolin e parë të Romirit në “Portokalli”, që është Llambi, nuk ka. Por aq sa nuk ka edhe ka në fakt, pasi të gjithë njerëzit me të cilët kam folur më kanë thënë që kanë gjetur edhe historitë e tyre. “Edra” është një personazh kompleks që im shoq bëri shumë mirë që e krijoi, sepse në aspektin social mendoj se i bën shumë mirë fenomenit.
 
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"
Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos