Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“OTELLO” E SHEKSPIRIT RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR

Në Teatrin Kombëtar më 28, 29, 30, 31 tetor e 1 nëntor do të vijë në sezonin e dytë “Otello” me pesë shfaqje. Vepra e William Shakespeare vjen nën regjinë e Qëndrim Rijanit.

2. FESTIVALE FILMI E TEATRI DHE “DITËT E MIOS” NË KORÇË

Ditë me filma dhe aktivitete nga 26 deri më 31 tetor do të vijnë në “Korça Short Fest”, ndërkohë që po në Korçë, në teatrin “A.Z.Çajupi” mbahet deri më 29 tetor “Festivali i Teatrit për të Rinj”. Ndërkohë, prej ditës së nesërme deri më 31 tetor, në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” do të mbahet Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit “Ditët e Mios”.

3. BIENALJA E DURRËSIT ME TEMËN “PERIFERIA: TRANZICIONE PAMORE”

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit vijon gjatë gjithë muajit tetor me edicionin e saj të dytë. Nën kurimin e Massimo Scaringella-s, këtë vit ajo zhvillohet nga 1 deri më 31 tetor, me temën “Periferia: Tranzicione Pamore”. Artistë bashkëkohorë nga vende të ndryshme prezantojnë punët e tyre, duke sjellë interpretime të ndryshme të realiteteve periferike dhe antropologjike.

4. “PËR NJË FJALË GOJE”, SHFAQJE NË TEATRIN “BYLIS” NË FIER

Në teatrin “Bylis” në Fier vjen për publikun shfaqja “Për një fjalë goje”, më 27, 28 dhe 29 tetor. Në qendër të veprës është historia e dy botëve që përballen dhe e një miqësie që vihet në provë, duke dëshmuar se ndonjëherë mjafton një fjalë për të tronditur edhe marrëdhëniet më të forta. Në shfaqje interpretojnë Shkumbin Istrefi, Tristan Halilaj, Merita Smaja dhe Aleksandër Prenga. Regjia mban firmën e Besmir Bitrakut, ndërsa skenografia është realizuar nga Divni Gushta.

5. EKSPOZITA “UMBRA...” NË GALERINË E ARTEVE NË SHKODËR

“Umbra – Il volto invisibile dell’uomo” (“Fytyra e padukshme e njeriut”) është ekspozita e çelur deri më 13 nëntor në Galerinë e Arteve në Shkodër. Në ekspozitë prezantohen punët e Gazmend Lekës, Salvatore Grilletto-s, Carmine Calò-s dhe Ambla Klosit, me pjesëmarrjen e veçantë të Qazim Kërtushës.

6. HALLOWEEN ME FËMIJËT ME SHFAQJEN “CORALINE” NË PESHKOPI

Qendra Kulturore e Fëmijëve “Naim Plaku” në Peshkopi organizon nesër, më 28 tetor, në orën 17:00 një aktivitet për fëmijët në atmosferën e Halloween-it, me shfaqjen e filmit të animuar “Coraline”.