Suksesi i Petroliferës: Nga Vlora
furnizon Greqinë, Kosovën e Spanjën

Suksesi i Petroliferës: Nga Vlora<br />furnizon Greqinë, Kosovën e Spanjën
VLORE - Llogariten tashmë 70 milionë euro fondet e investuara në ndërmarrjen më të madhe italiane në Shqipëri, Petrolifera Italo-Shqiptare. Në një hapësirë prej disa dhjetëra hektarësh, që konsideroheshin deri pak kohë më parë si të papërdorshme për shkak të pranisë së madhe në terren të substancave helmuese të grumbulluara prej vitesh nga ish-Ndërmarrja e Sodës, tashmë hyjnë e dalin edhe tri anije njëkohësisht dhe lëvizin 80-90 kamionë çisternë.

AMBASADORI
Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë Massimo Gaiani deklaroi dje para gazetarëve në Konsullatën e Përgjitshme në Vlorë se pa diskutim, ky është investimi më i madh që është kryer nga sektori privat ekonomik Italian në vendin tonë. Gaiani zhvilloi një vizitë në qytetin jugor bregdetar, ku përfshihen takime me krerët vendorë, nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Prefekti dhe kreu i Këshillit të Qarkut, drejtori i Policisë, etj. Ambasadori bisedoi edhe me studentë e pedagogë të Universitetit të Vlorës dhe tha se konstaton një ngjashmëri të habitshme mendimesh nga të dy anët e Adriatikut, lidhur me situatën në Shqipëri, në eurozonë, apo në botë. “Këshilla ime për shqiptarët, në situatat aktuale, do të ishte të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ecur të gjithë sëbashku drejt kandidimit në Bashkimin Evropian. E kam fjalën këtu, jo vetëm për politikën, por për të gjithë opinionin publik në vend”, theksoi dje diplomati Italian.

INVESTUESI

Çfarë e ka tërhequr një biznesmen të madh Italian, si Guido Ottolenghi, të investojë në Shqipëri, që kishte edhe “namin e keq” pas viti 1997? Ai përgjigjet për “Shqiptarja.com” se pikë së pari, biznesi niset nga karakteristika logjistike të përshtatshme, që Shqipëria i ofron më së miri për sektorin që ai ofron. Kjo logjistikë ka të bëjë, jo vetëm me Ballkanin, por më gjithë pjesën jugore të Adriatikut, thotë ai. Frikë nga rrëmujat e 1997-ës? Jo, ai dhe familja e tij nuk menduan se mund të përsëriten më ato ngjarje të hidhura. Por, ka edhe shpjegime të tjera. Ottolenghi thekson se emocionalisht shqiptarë e italianë e ndjejnë veten shumë të afërt, madje ushqejnë simpati reciproke. Ai i shpjegoi ambasadorit, që shkoi për vizitë në portin ku ngarkohen e shkarkohen anijet, se tashmë prej këtej shërbehen klientë në Shqipëri, gjithnjë e më shumë në Kosovë, ndërkohë që kanë shfaqur interes për rrugën më të shkurtër dhe koston më të ulët klientë nga veriu i Greqisë. Janë rreth 250 anije që përpunohen në vit, theksoi ai. Megjithatë, ka ende edhe 10 hektarë të tjerë të pashfytëzuar, ndërkohë që Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë sapo rinovoi edhe për pesë vjet të tjerë të drejtën e kompanisë për të shfrytëzuar terrenin përkatës. Me naftë bruto nga Shqipëria furnizohen klientë nga Italia dhe Spanja, ndërkohë që nga Algjeria dhe portet e Detit të Zi vijnë kryesisht ngarkesa me gaz të lëngshëm, shpjegoi ai më tej.

PROBLEMATIKA
A e gjen veten të trajtuar si në vendet e tjera një investitor i huaj? Kësaj pyetjeje, Ottolenghi i përgjigjet me diplomaci. Ai thekson se kuadri ligjor në vend mund të konsiderohet i plotë. Megjithatë, kur vjen fjala për interpretimin e tij, aty vihen re qendrime të ndryshme, madje kontradiktore. Vështirësia kryesore ishte ajo për të shpjeguar mirë se Petrolifera Italo-Shqiptare nuk shet karburant, por kryen thjeshtë vetëm një magazinim për llogari të importuesve dhe eksportueve. Pra, jep me qira depozitat e veta, që mbushen me gaz ose karburant, por ky gaz e karburant nuk shitet nga sipërmarrja italiane.
Me kë pjesë të administratës shtetërore janë hasur problem deri tani? Me të gjitha nga pak, qesh Ottolenghi. Edhe me Tatimet, edhe me Autoritetin e Konkurencës, edhe me subjektet private, madje. Por, deri tani, keni punuar me ndershmëri dhe të gjithë janë bindur se e drejta ka qenë në anën tonë. Më pas, jemi në një fazë të rregullt bashkëpunimi me administratën e të gjitha niveleve, sqaron ai. Në Shqipëri konstatojmë se janë hedhur hapa të mëdhenj përpara, por kërkohen ende shumë mund që të arrihen nivelet e vendeve të tjera. Kjo, në pikëpamjen administrative, strukturore dhe infrastrukturore. ( Ne foto, ambasadori italian Massimo Gaiani gjate takimit dje ne Vlore)
(gk/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës