Rusia ka ndërmarrë sulme të reja gjatë natës ndaj Kievit dhe rajonit përreth, duke goditur infrastrukturën dhe një urë të rëndësishme mbi lumin Dnipro.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se ura veriore u godit gjatë ofensivës, ndërsa ekipet e emergjencës u dërguan në zonë. Nga sulmet janë dëmtuar gjithashtu linja elektrike dhe infrastruktura të tjera. Mijëra persona po largohen nga kryeqyteti ukrainas pas bombardimeve.

Në Hostomel, në rajonin e Kievit, dronët rusë goditën disa magazina farmaceutike. Sipas autoriteteve ukrainase, katër persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e mitur.

Pavarësisht sulmeve të fundit, Ministria e Jashtme ukrainase tha se deri tani nuk ka marrë njoftime nga ambasadat e huaja për plane për evakuim apo zhvendosje nga Kievi.

Ukraina po përgatit një plan për të përshpejtuar identifikimin e trupave dhe mbetjeve të shtetasve ukrainas të riatdhesuar nga Rusia. Sipas kreut të Zyrës Presidenciale, Kyrylo Budanov, janë kthyer mbi 26 mijë trupa dhe mbetje, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ende nuk janë identifikuar.

Ndwrkohw, Japonia njoftoi sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë, duke përfshirë 35 anije të së ashtuquajturës “flotë hije”, që përdoret për transportin e naftës ruse dhe shmangien e sanksioneve.