TIRANË- I gjendur përballë "kërcënimit" serioz të Sali Berishës, i cili dje tregoi "forcën" e tij, Lulzim Basha ka marrë masat, edhe pse 5 muaj me vonesë. Ndryshimet e bëra në Kuvendin e 17 korrikut të statutit, Partia Demokratike i ka çuar për regjistrim në Gjykatën e Tiranës vetëm ditën e djeshme, 13 dhjetor.

Ky vendim ka ardhur vetëm pak orë pas deklaratës së Sali Berishës, i cili nga selia blu tha se ndryshimet e bëra në statut në Kuvendin e 11 dhjetorit "ishin rrugës" për në Gjykatë. Kjo deklaratë ka vënë në lëvizje PD-në zyrtare dhe nga sa mësojnë burime për Report Tv çështja është regjistruar dhe shortuar pranë kësaj gjykate dhe i ka kaluar gjyqtares Blerina Muça. 

"Ditën e djeshme, është depozituar në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Civile, kërkesë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për pasqyrimin e ndryshimeve të statutit të Partisë dhe të organeve të reja, të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021. Çështja është regjistruar dhe shortuar pranë kësaj gjykate dhe do t'i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor në bazë në ligjit. Gjyqtare e çështjes është Znj. Blerina Muça", thuhet në njoftim.

Sa i përket ndryshimeve statutore të bërë në Kuvendin e Berishës, mësohet se ato do të dërgohen në Gjykatë javës tjetër, pasi priten rezultatet e asaj që e quajnë referendum në 18 dhjetor. PD-ja gjendet para një situate aspak të lehtë, me 2 statute. Një i bërë në Kuvendin e 17 korrikut dhe një i bërë së fundmi në Kuvendin e Berishës në 11 dhjetor. Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës. 

Kuvendi i 17 korrikut, u miratuan të gjitha propozimet e Lulzim Bashës
Kuvendi i 17 korrikut solli 11 ndryshime duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve. Basha krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale.
Basha nuk kishte asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit (në ndryshim nga Berisha).
Ndryshimet e Kuvendit të Bashës kishin të bënin kryesish me zgjerimin e Kryesisë, Sekretariatit dhe shtimi të strukturës së përhershme  të Këshilli Koordinues i Qarkut, që do të ketë përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të partisë në nivel qarku. 
Në zgjerimin e Kryesisë është përfshirë edhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Kryetarin e Bordit Financiar, Kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikes.
Në këtë kryesi është ruajtur edhe respektimi gjinor, ku jo më pak se 30 % e anëtarësisë të jetë grua.
Të gjitha këto propozime të Bashës u miratuan në 17 korrik përmes Statutit të ri me 60 nene. 
Ndryshimet në statutin e PD në Kuvendin e Sali Berishës
Ndryshime në Statut në 2018 dhe 2021 të bëra pas dy humbjeve të rënda nga kryetari në detyrë, në vend të çlironin energji të reja, centralizuan pushtetin në duart e kryetarit duke ja marrë pushtetin organeve kolegjiale.
Parimi 1 anëtar 1 votë me qëllim fuqizimin e anëtarësisë. Kjo për zgjedhjen e organeve në qendër dhe lokale.
Referendumi, vendimet e rëndësishme do merren nga anëtarësia ku i jep demokratëve referendumin që vendosin me demokraci të drejtpërdrejtë.
Për të garantuar dhe forcuar lirinë e fjalës dhe mendimit ,garantohen me parime dhe ne fusim në statut fraksionet.
Kryetari duhet të udhëheqë mbi bazën e vendimeve të tyre por nuk u merr dot tagrat dhe nuk i përdor dot si vulë noteri si me vendimet e fundit.
Duke riformatua në madhësi organet për ti bërë eficente, do bazohet në garën dhe zgjedhjen e anëtarëve me votë të fshehtë.
Rol përcaktues kuvendit dhe këshillit kombëtar. vendime te tyre përcaktojë politikëbërjen dhe aksionin politik.
Të zgjedhurit në organet qendrore do jenë shumicë. 
Organizatat partnere përveç LGD dhe FRPD, është shtuar grupimi dhjetor 90. Ato do kenë akses më të sigurt në listat e kandidimit në pushtetin vendor.