I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Doha, Ermal Kaleci, u bën thirrje shqiptarëve në Katar që të qëndrojnë brenda banesave dhe rezidencave të tyre në rast sulmesh të mëtejshme me raketa nga Irani.

Përmes rrjeteve sociale, Kaleci thekson se kushtet e nevojshme të sigurisë nuk janë të favorshme për të rifilluar aktivitetet normale të përditshme dhe se hapësira ajrore e Shtetit të Katarit vijon që të jetë e mbyllur.

Postimi i plotë i Ermal Kalecit,  i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Doha:

Të dashur bashkatdhetarë,

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Katar po monitoron nga afër zhvillimet mbi situatën e sigurisë rajonale në tërësi, dhe në veçanti në Katar, në koordinim të ngushtë me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, autoritetet e Katarit si dhe Përfaqësitë Diplomatike rezidente në Doha.

Aktualisht, kushtet e nevojshme të sigurisë nuk janë të favorshme për të rifilluar aktivitetet normale të përditshme. Për rrjedhojë, ju këshillojmë të qëndroni brenda banesave dhe rezidencave tuaja, në rast shpërthimesh të mëtejshme, si dhe të merrni masat e nevojshme paraprake në këtë situatë, duke shmangur lëvizjet e panevojshme, ndjekur udhëzimet dhe protokollet e publikuara nga autoritetet lokale.

Ambasada bën thirrje për qetësi, kujdes të shtuar, vigjilencë dhe durim për tejkalimin e kësaj situate të vështirë.

Aktualisht hapësira ajrore e Shtetit të Katarit vijon që të jetë e mbyllur, deri në njoftim të dytë.

Me qëllim shmangien e informacioneve të pasakta, Ambasada ripërsërit rëndësinë e ndjekjes së informacioneve përmes mediave të besueshme vendase si dhe atyre ndërkombëtare.

Gjithashtu inkurajohet zbatimi me përpikmëri i udhëzimeve të lëshuara nga autoritetet e Katarit në kohë reale, adresuar në aparatet tuaj celularë.

Së bashku do të qëndrojmë në kontakt të vazhdueshëm përmes emailit dhe kanaleve të mediave sociale të Ambasadës në Facebook, X dhe Instagram si dhe grupit në ëhats app: Komuniteti Shqiptar Doha.

Në rast emergjence, linjat telefonike të Ambasadës, si vijon, janë në dispozicion 24/7:

+974 77180778

+974 30079922

Faleminderit për bashkëpunimin Tuaj.


Lajmi kryesor:

Raketat iraniane mbi Emiratet e Bashkuara Arabe, Rama: Sulm ndaj një kombi sovran! Solidaritet i plotë, komuniteti ndërkombëtar të flasë qartazi