Mbi 5 mijë fluturime u anuluan brenda 24 orësh. “Autostradat” e qiellit u mbyllën. Avionë u devijuan në mes të rrugës. Pasagjerë udhëtuan për orë të tëra dhe më pas u kthyen në aeroportin nga ishin nisur. Lidhje të humbura, pilotë në lartësi pa udhëzime të qarta, qendra operative në kaos me dhjetëra avionë që s’mund të ktheheshin në bazë.

Pamje nga trafiku ajror në rajon

Dhe mbi të gjitha: Dubai dhe Doha, dy nga nyjet më të mëdha të trafikut ndërkontinental, u ndalën pothuajse plotësisht.

Sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, dhe reagimi i Teheranit, po shkakton ndërprerjen më të madhe globale të transportit ajror. Një makth logjistik me pak precedentë. Avionë, ekuipazhe dhe pasagjerë të bllokuar nëpër botë.

Pasditen e së shtunës, 28 shkurt, tre kompanitë kryesore të rajonit – Emirates, Qatar Airways dhe Etihad – po menaxhonin njëkohësisht 94 avionë të mëdhenj në ajër, me rreth 25 mijë persona në bord. Me hapësirat ajrore të mbyllura, aeroportet e bllokuara dhe karburantin e llogaritur për kushte normale, gjithçka u kthye në garë me kohën.

“Na thoni çfarë duhet të bëjmë?”, dëgjohej një pilot që i drejtohej kompanisë së tij në momentet më të tensionuara, sipas komunikimeve të kapura.

Të shtunën ishin planifikuar rreth 4.218 fluturime në hyrje drejt vendeve të Lindjes së Mesme. Prej tyre, 966 u anuluan, gati 23%. Nëse llogariten edhe nisjet, shifra arrin lehtësisht në 1.800. Plot 53 avionë që ishin tashmë në ajër u detyruan të devijonin.

Disa prej tyre u ulën në aeroporte evropiane, duke krijuar efekt zinxhir. Parkimet u mbushën, pistat alternative u bënë të vështira për t’u përdorur. Në një mesazh drejtuar një fluturimi nga Cape Town në Paris, Air France paralajmëroi se Brukseli, Londra dhe Zyrihu nuk mund të shërbenin më si aeroporte alternative për shkak të mbingarkesës.

Fillimisht, disa pilotë morën sinjale se hapësirat ajrore të Arabisë Saudite dhe Afganistanit ishin të hapura. Pak minuta më vonë, Agjencia Evropiane për Sigurinë Ajrore kërkoi që kompanitë të mos fluturojnë mbi të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Arabinë Saudite, të paktën deri më 2 mars. Lufthansa vendosi ta zgjasë ndalimin deri më 8 mars.

“Mos u nisni ose kthehuni mbrapsht”, u tha Emirates ekuipazheve të saj pasi u mbyll hapësira ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe. E njëjta situatë edhe për Qatar Airways, me kërkesë që avionët të planifikonin kthim në aeroportin e nisjes.

Ka pasur edhe skena surreale. Një fluturim nga Sydney drejt Dohas u devijua në Melbourne pas më shumë se dhjetë orësh në ajër. Një tjetër nga Filadelfia drejt Dohas u kthye në SHBA kur kishte arritur mbi Mesdhe, pas gati 16 orësh udhëtim. Një Airbus A380 i nisur nga Auckland për në Dubai u dërgua në Singapor.

Disa pilotë raportuan edhe lëshime raketash nga ajri. Ndërkohë, mbi 100 mijë persona mbetën të bllokuar vetëm më 28 shkurt në aeroportet e rajonit.

Në mesditën e 1 marsit, rezultonin 3.500 fluturime të anuluara nga 4.329 të planifikuara në vendet e Lindjes së Mesme. Dhe shumë kompani ende nuk i kishin hequr zyrtarisht nga oraret fluturimet që praktikisht nuk do të kryheshin.

Në agimin e 1 marsit, në Dubai dhe Doha nuk u pa asnjë nga “ushtria” e zakonshme e Airbusëve dhe Boeingëve që mbushin qiellin çdo mëngjes. Trafiku ajror në rajon mbetet i bllokuar, ndërsa askush nuk e di sa do të zgjasë kjo krizë./CorrieredellaSera