TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar sot sulmet kibernetike të qeverisë së Iranit ndaj portaleve qeveritare. Meta tha se nga këto sulme është cenuar siguria kombëtare, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të bëjë transparencë në lidhje me masat që janë marrë për të forcuar sistemet. Meta tha se duhet të merren menjëherë masa për të mbrojtur sistemet, ndërsa u ndal në akuza edhe për kryeministrin Edi Rama.

Meta e cilësoi kreun e qeverisë si ‘kryehakerues’, duke thënë se ishte Rama ka qenë ai që ka dhënë urdhrin për të hakeruar të dhënat e shqiptarëve. Meta u shpreh se me urdhër të Ramës, patronazhistët kanë përdorur të dhënat e shqiptarëve për shantazh elektoral dhe kështu sipas tij deformoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Kreu i Partisë së Lirisë i bëri thirrje Prokurorisë që të bëjë një hetim të thelluar, ndërsa i kërkoi edhe zbardhjen e rolit të qeverisë në këtë çështje.

“Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të mbrojtur sistemin dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve. Nuk mund të mos nënvizoj që në fillim se kryehakeruesi i këtij sistemi është Edi Rama, sepse kjo u provua botërisht nga dalja e të dhënave personale të gati 1 mln qytetarëve para zgjedhjeve dhe përdorimi i tyre nga patronazhistët vetëm për qëllimet të shantazhit elektorale. Ishte Rama që mbështeti gjithë këtë proces kriminal që e shfrytëzoi për të përmbysur vullnetin e popullit shqiptar në zgjedhjet e 21 prillit. U hakeruan pagat, në dhjetor dolën edhe numrat e qytetarëve, targat  e makinave, më pas u hakreuar e-albania dhe të dhënat u nxorën nga hakërruesit në shitje, u godit sistemi tims, që është çudi e jashtëzakonshme. U godit edhe aleati. U godit sistemi i Policisë së Shtetit, sa i takon gjobave. U bllokua sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe nuk lëshohen vërtetime gjyqësore. Janë hakeruar serverat e kamerave të policisë së shtetit. Të bëhet transparencë se çfarë ka ndodhur realisht, lidhur me masat dhe planin e rivendosjes në punë dhe garantimin e sigurisë së sistemeve. Prokuroria të bëje hetim të theluar, për evidentimin e përgjegjësisë së qeverisë dhe institucioneve të tjera, veprimet dhe mosveprimet që kanë sjellë këtë situatë", tha Meta. 

Për kryetarin e Partisë së Lirisë, sot pas 16 muajsh që kur plasi ‘skandali i patronazhistëve’ siç e quan Meta, hakerimi që bëri vetë Qeveria, nëse prokuroria do të kishte bërë detyrën nuk do të ishim këtu sot, por sulmet e Iranit mund të ishin parandaluar. 

“Problemi nuk janë mediat, problemi është qeveria, kryeministri dhe sot pas 16 muajsh që kur plasi skandali i patronazhistëve pra hekerimi që vetë qeveria i bëri të dhënave për t’ia dhënë partisë dhe ushtrisë së patronazhistëve për shantazh për qytetarët po të keni parasysh nëse prokuroria do kishte lëvizur në drejtimin e duhur atë kohë, s’do ishim këtu, nëse prokuroria do kishte shkuar te qeveria te AKSHI, për të mbrojtur sistemin e të dhënat e tyre jam i sigurt që nuk do kishim 15 muaj sulme të vazhdueshme dhe këtë papërgjegjshmëri totale. Këta njerëz nen pushtetin e Ramës shkelin ligje trafikojnë të dhënat se ndihen të mbrojtur se ka dhënë garanci Rama që ka kapur për fyti dhe prokurorinë”, tha Meta.

Meta iu rikthye kohës kur ka qenë president dhe tha se kanë zhvilluar disa mbledhje me Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas sulmeve kibernetike. Ai u shpreh se qeveria u ka garantuar se nuk ka asnjë kërcënim sa i përket sigurisë kibernetike, ndërsa sipas tij do merrnin masa për të forcuar mbrojtjen. Meta tha më pas se është interesuar edhe pas mbledhjes për këtë çështje, duke u dërguar shkresa zyrtare të gjithë institucioneve që të bëjnë gjithçka që është rënë dakord në mbledhje.

Në mbyllje të konferencës për mediat, Meta shprehu mbështetje për kërkesat e pedagogëve dhe studentëve për mbështetje financiare, në nivelin e kolegëve nga Kosova.