Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një ceremonie përkujtimore mbi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 u zotua se nuk do të ketë qeverisje të Hamasit në Gaza.

 “Kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme, por ka ende misione përpara nesh dhe synojmë t’i përfundojmë ato. Nuk do të ketë qeverisje të Hamasit në Gaza”, tha ai, duke u zotuar se do të vazhdojë të godasë këdo që ishte i përfshirë në sulm ose që mbajti pengje.

Sulmi i udhëhequr nga Hamasi shkaktoi vdekjen e 1,221 personave, sipas një përllogaritjeje të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite. Militantët morën gjithashtu peng 251 persona, 44 prej të cilëve kishin vdekur tashmë. Në përgjigje të këtij sulmi, Izraeli nisi një ofensivë të gjerë ushtarake, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74,200 personave në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territorit, e cila është nën autoritetin e Hamasit dhe shifrat e së cilës konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.

Që prej shpalljes së armëpushimit tetorin e kaluar, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 1,440 persona në Gaza, sipas ministrisë. Ndërkohë planet për qeverisjen e Gazës pas luftës kanë nisur të marrin formë, por çështja mbetet kryesisht e pazgjidhur në praktikë.

Që prej sulmit të Hamasit në tetor 2023, Izraeli ka zhvilluar luftë në disa fronte, përfshirë kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban.

Gjatë fjalimit raportojnë mediat e huaja, se Netanyahu u zotua gjithashtu se do të vazhdojë të godasë Hezbollahun për të “krijuar një mundësi për paqe me një vend, populli i të cilit, në pjesën më të madhe, dëshiron paqe me ne”.

Netanyahu kritikoi edhe udhëheqjen klerikale në Iran, ku Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm të përbashkët më 28 shkurt, duke shkaktuar luftën në Lindjen e Mesme.

“Ne nuk do ta lejojmë regjimin e ajatollahëve në Teheran të kërcënojë ekzistencën tonë”, pëfundoi Netanyahu, duke shtuar se udhëheqja iraniane ishte “më e dobët se në çdo moment që prej krijimit të saj”.