Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u vra dje nga sulmet izraelite, pas goditjeve të SHBA-ve ndaj Iranit.

Irani ka shpallur një periudhë zie prej 40 ditësh, e ndjekur nga 7 ditë feste, pas vdekjes në moshën 86-vjeçare të Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike, Ali Khamenei, në pushtet që prej vitit 1989. “Me martirizimin e Udhëheqësit Suprem, rruga dhe misioni i tij nuk do të humbasin dhe as do të harrohen; përkundrazi, do të çohen përpara me më shumë forcë dhe zell”, deklaroi një prezantues i televizionit shtetëror.

Sulmet iraniane ‘kanë paralizuar’ Aeroportin e Dubait, pikën ajrore më të madhe lidhëse. Qindra fluturime janë anuluar duke bërë që çdo minutë të kushtojë miliarda dollarë.

Izraeli njoftoi sot se kishte nisur një “valë të gjerë sulmesh” në “zemrën e Teheranit”, ndërsa Irani është hakmarrë duke vazhduar të sulmojë bazat ushtarake izraelite dhe amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të përdorë “fuqi që nuk është parë kurrë më parë” si kundërpërgjigje.

Më vonë, shpërthime të reja u raportuan në Teheran pranë kompleksit ku ndodhet radioja dhe televizioni shtetëror iranian.

Zyrtarët thonë se Irani ka lëshuar më shumë se 25 valë raketash dhe dronësh, dhe shpërthime janë dëgjuar tani në Izrael, Oman, Bahrein, Katar, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pa një udhëheqës, Ayatollah Alireza Arafi është emëruar si anëtari i tretë dhe i fundit i Këshillit udhëheqës të Iranit, i cili ushtron rolin e udhëheqësit suprem deri sa të zgjidhet një pasues.

Deri më tani është konfirmuar vdekja e ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad, shefit të stafit të forcave të armatosura të vendit, Abdolrahim Mousavi, komandantit të Gardës Revolucionare, Gjeneralit Mohammad Pakpour, vajzës, dhëndrit dhe nipit të Khameneit dhe rreth 40 zyrtarëve të tjerë. Por, zyra e Mahmoud Ahmadinejad ka mohuar lajmet e përhapura nga mediat iraniane për vdekjen e ish-presidentit, duke krijuar mister për fatin e tij.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ka shprehur gatishmërinë e "Iranit ndaj çdo përpjekjeje serioze që do të ndihmonte në ndalimin e përshkallëzimit dhe kthimin e stabilitetit".

Edhe Trump, njoftoi se do të flasë me udhëheqësit iranianë. “Ata duan të flasin, dhe unë kam pranuar të flas, pra do të flas me ta. Duhej ta kishin bërë më parë. Duhej të pranonin atë që ishte shumë praktik dhe lehtë për t’u bërë më parë. Kanë pritur shumë gjatë,” tha ai për The Atlantic.

Të paktën 150 anije me naftë e gaz kanë ngecur në Ngushticën e Hormuzit,  një rrugë jetike globale për naftën, e cila kontrollohet nga Irani.

Në disa qytete të Iranit ka shpërthyer festa, në të tjera rrugët janë mbushur me vajtues. Një banor tha se “bota është bërë një vend më i mirë” pas vdekjes së Khameneit.

Vdekja e Khameneit ka shkaktuar protesta në Pakistan, ku të paktën nëntë persona janë vrarë pranë konsullatës amerikane. Hamasi, Hezbollahu, Iraku e Rusia kanë shprehur ngushëllimet e tyre duke dënuar vrasjen e Khameneit.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike do të mbajë të hënën një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me situatën. Të hënën, në Vjenë do të nisë gjithashtu sesioni periodik i Këshillit të Guvernatorëve të Agjencisë Atomike të Kombeve të Bashkuara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:56
Sulmet e Iranit/ Starmer: Kemi pranuar kërkesën e SHBA për të përdorur bazat ushtarake të Britanisë

1771506668_keirstarmer.JPG

Kryeministri Keir Starmer thotë se Mbretëria e Bashkuar ende nuk është e përfshirë në sulmet e vazhdueshme SHBA-Izrael ndaj Iranit. Megjithatë, Starmer konfirmon se SHBA-të tani do të përdorin bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.

“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur ata dhe është detyra ime të mbroj jetët britanike. Ne kemi avionë luftarakë britanikë në ajër si pjesë e operacioneve të koordinuara mbrojtëse të cilat tashmë kanë interceptuar me sukses sulmet iraniane. Por e vetmja mënyrë për të ndaluar kërcënimin është shkatërrimi i raketave në burim – në depot e tyre të magazinimit ose në lëshuesit që përdoren për të qëlluar raketat. SHBA-të kanë kërkuar leje për të përdorur bazat britanike për atë qëllim specifik dhe të kufizuar mbrojtës. Ne kemi marrë vendimin për ta pranuar këtë kërkesë për të parandaluar që Irani të lëshojë raketa në të gjithë rajonin, duke vrarë civilë të pafajshëm, duke vënë në rrezik jetën e britanikëve dhe duke goditur vendet që nuk janë përfshirë”, tha Starmer.

Ora 22:52
Berlini, Parisi dhe Londra gati për 'veprime mbrojtëse për të shkatërruar kapacitetin e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë'

1772402012_0532159fbf3ded7d5678c0306f28a89d641a53f6800x533.png

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë gati për «veprime mbrojtëse proporcionale» për të «shkatërruar në burim kapacitetin e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë». Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të Berlinit, Parisit dhe Londrës.

«Liderët e grupit E3 janë të tronditur nga sulmet raketore të papërzgjedhura dhe joproporcionale të lëshuara nga Irani kundër vendeve të rajonit», në kundërpërgjigje ndaj atyre të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në territorin iranian, thuhet në deklaratë.

Ora 22:30
Trump: Sulmet në Iran do të zgjasin 4 javë ose më pak

1772002354_donaldtrump.jpeg

Operacioni amerikan kundër Iranit do të zgjasë “katër javë ose më pak”. Kështu ka deklaruar Donald Trump për Daily Mail, pa dhënë detaje të tjera mbi planin e tij.

“Ka qenë gjithmonë një proces katërjavor, kështu që, sado i fortë të jetë Irani, vendi është i madh, do të duhen katër javë ose më pak”, ka deklaruar presidenti i Shteteve të Bashkuara në një intervistë telefonike për të përditshmen britanike.

Ora 21:17
Hakerohet sinjali i televizionit shtetëror iranian, transmetohen fjalime të Trump dhe Netanyahut

1772396332_1772271204trumpvideo.png

Sinjali satelitor i transmetuesit shtetëror iranian Islamic Republic of Iran Broadcasting (IRIB) dyshohet se është ndërprerë për disa minuta, sipas raportimeve të publikuara nga Iran International, duke shkaktuar një ndërprerje të përkohshme të programacionit normal.

Gjatë ndërhyrjes janë transmetuar fjalime të presidentit amerikan Donald Trump dhe të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të drejtuara popullit iranian, të shoqëruara me pamje të sulmeve ndaj disa objektivave, përfshirë zyrën e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi origjinën e hakerimit.

“Ky është një mundësi që ndodh një herë në një jetë. Mos u dorëzoni, sepse një mundësi e tillë nuk do të përsëritet”, shprehet Netanyahu në videon që u transmetua në kanalin 3 iranian.

Ora 20:59
VIDEO/ Sulm ndaj bazës amerikane në Irak, një pjesë e aeroportit të Erbilit në flakë

1772395353_f5716a8c08ee3b81167668fc052a85b4ead9f6961140x641.avif

Një milici e mbështetur nga Irani në Irak ka marrë përgjegjësinë për sulmet me dron dhe raketa ndaj bazave amerikane pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Erbilit, në një kohë kur sulmet hakmarrëse po përshkallëzohen në të gjithë rajonin.

Grupi, që e quan veten Rezistenca Islame, tha se sulmet ishin në përgjigje të veprimeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit, për të cilat pretendon se kanë vrarë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.

Në zonën e Erbilit u dëgjuan shpërthime dhe sistemi i mbrojtjes ajrore ndërhyri për të kapur objektivat, ndërsa baza dhe aeroporti shërbejnë si pika ku janë stacionuar trupat amerikane.

Sulmet e tilla janë pjesë e një përshkallëzimi të tensioneve midis aleatëve amerikanë dhe grupeve të mbështetura nga Irani, të cilat prej kohësh kanë kryer sulme me drone dhe raketa ndaj pozicioneve ushtarake të SHBA-së në Irak dhe Siria.

Ora 18:25
Trump: Kemi fundosur 9 anije luftarake iraniane, disa prej tyre të mëdha

1772386118_3ff0e2ee1a1f4d8fae93190f0c76c9b81800x1200.jpg

Presidenti Donald Trump thotë se forcat amerikane kanë shkatërruar dhe fundosur 9 anije luftarake iraniane.

“Sapo më është njoftuar se kemi shkatërruar dhe fundosur 9 anije luftarake iraniane, disa prej tyre relativisht të mëdha dhe të rëndësishme. Po shkojmë pas të tjerave — së shpejti do të jenë duke notuar në fund të detit, gjithashtu! Në një sulm tjetër, kemi shkatërruar pjesërisht Selinë e tyre Ushtarake Detare. Përveç kësaj, Marina e tyre po ecën shumë mirë",- shkruan Trump.

Ora 18:08
Trump: Do të flas me udhëheqësit iranianë

1771504433_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se do të flasë me udhëheqësit iranianë. “Ata duan të flasin, dhe unë kam pranuar të flas, pra do të flas me ta. Duhej ta kishin bërë më parë. Duhej të pranonin atë që ishte shumë praktik dhe lehtë për t’u bërë më parë. Kanë pritur shumë gjatë,” tha ai për The Atlantic.

Ora 18:00
Ahmadinejad nuk është vrarë, zyra e ish-presidentit iranian përgënjeshtron lajmet e mediave

1772384571_9e8e7f5612153b59ce598fe5317941be.avif

Zyra e Mahmoud Ahmadinejad ka mohuar lajmet e përhapura nga mediat iraniane për vdekjen e ish-presidentit gjatë bombardimeve izraelite dhe amerikane mbi Teheran. Lajmi për vdekjen ishte raportuar nga agjencia iraniane e lajmeve Ilna, megjithëse vetë familja e Ahmadinejad e kishte mohuar më parë këtë informacion.

Ora 17:38
Kryeministri izraelit: Po godasim zemrën e Teheranit, sulmet do të shtohen

1772383220_Netanyahu.jpg

Izraeli “po godet zemrën e Teheranit me një intensitet në rritje” dhe sulmet “do të intensifikohen më tej në ditët në vijim”. Kështu deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nga tarraca e selisë së përgjithshme ushtarake në Kirya, Tel Aviv, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, kreun e Mossad-it David Barnea dhe kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Eyal Zamir.

“Megjithatë, këto janë ditë të dhimbshme,” shtoi ai, duke iu referuar sulmeve raketore iraniane që goditën Tel Aviv dhe Beit Shemesh. “Zemra ime është me familjet (e viktimave) dhe, në emër të të gjithëve juve, qytetarëve të Izraelit, u dërgoj të plagosurve urimet për shërim të shpejtë.”

Netanyahu theksoi më tej se Izraeli po zhvillon një fushatë “si kurrë më parë”, edhe “me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”.

“Bashkimi i forcave na lejon të bëjmë atë që dua të bëj prej 40 vjetësh: të godas regjimin e terrorit me forcë. Kështu kam premtuar dhe kështu do të bëhet,” përfundoi kryeministri izraelit.

Ora 17:31
Izraeli mobilizon 100 mijë rezervistë për shkak të konfliktit me Iranin

1772382859_23072611310204israelmilitaryreservistsreadiness.jpg

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë mobilizuar 100,000 rezervistë në kuadër të konfliktit të vazhdueshëm me Iranin. Trupat tokësore janë shtuar përgjatë kufijve të Shtetit hebre me Sirinë, Libanin dhe Rripin e Gazës, si dhe në Bregun Perëndimor.

Vetëm Komanda e Frontit të Brendshëm ka mobilizuar 20,000 rezervistë, kryesisht për aktivitete kërkimi dhe shpëtimi. Forca shtesë është dislokuar gjithashtu në Forcat Ajrore, Marinën dhe inteligjencën ushtarake.

IDF ka deklaruar se “do të përgatisë dhe do t’u sigurojë rezervistëve të gjitha mjetet logjistike të nevojshme për të vepruar në kushtet më të mira”. Sipas gazetës Times of Israel, këta rezervistë të rinj shtohen mbi 50,000 që aktualisht janë në shërbim.

Ora 17:18
Lideri i ri Suprem i Iranit do të zgjidhet brenda 1-2 ditësh

1772382355_download1.jpeg

Irani do të ketë një Udhëheqës të ri Suprem “brenda një ose dy ditësh”. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për Al Jazeera, duke shpjeguar se procedurat kushtetuese tashmë kanë nisur pas vrasjes së Ali Khameneit.

“Ekziston një procedurë e përcaktuar nga Kushtetuta jonë dhe ne e kemi vënë në lëvizje”, konfirmoi Araghchi, duke iu referuar Këshillit të përkohshëm drejtues të formuar në orët e fundit, i përbërë nga presidenti, kreu i pushtetit gjyqësor dhe një prej juristëve të Këshillit të Gardianëve. Ky organ do ta drejtojë përkohësisht vendin deri në zgjedhjen e Udhëheqësit të ri Suprem nga Asambleja e Ekspertëve, e cila sipas Araghchit mund të mblidhet shumë shpejt.

Araghchi e cilësoi gjithashtu vrasjen e Khameneit si “një akt shumë të rëndë dhe të paprecedentë, si dhe një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare”, duke paralajmëruar se vdekja e tij “do ta bëjë përballjen më komplekse dhe më të rrezikshme”. “Nuk kemi kufizime apo limite në mbrojtjen tonë”, shtoi ai.

Ora 17:07
Sulmet në Iran/ Trump: Gjithçka po shkon mirë, sukses i jashtëzakonshëm! Eliminuan 48 komandantë iranianë në një goditje të vetme

1772003697_donald.jpg

“Gjithçka po shkon shumë mirë dhe suksesi që po arrijmë është i jashtëzakonshëm,” deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një intervistë për Fox News.

Trump shtoi: “48 komandantë iranianë janë vrarë në një goditje të vetme.”

“Nuk jam i shqetësuar për ndikimin mbi çmimet e naftës.”

Ora 16:31
Sulmet në Iran, SHBA-të shënojnë humbjet e para: Vriten 3 ushtarë amerikanë, plagosen rëndë 5 të tjerë

1772379259_20260228T103013Z800024804RC2XUJAU14VORTRMADP3IRANCRISISBLAST1024x697.jpg

Tre ushtarakë amerikanë janë vrarë deri në mëngjesin e së dielës gjatë Operacionit “Epic Fury”, ndërsa pesë të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën X.

Sipas deklaratës së CENTCOM-it, disa ushtarakë të tjerë kanë pësuar plagë të lehta nga copëza shpërthimesh dhe tronditje cerebrale, por po rikthehen gradualisht në detyrë. “Operacionet kryesore luftarake vazhdojnë dhe reagimi ynë është ende në zhvillim,” thuhet në njoftim. Autoritetet shtuan se, për respekt ndaj familjeve, nuk do të publikohen detaje të tjera – përfshirë emrat e ushtarëve të vrarë – deri 24 orë pasi të jenë njoftuar të afërmit e tyre.

Ende nuk dihet saktësisht se si humbën jetën ushtarakët. Ndërkohë, Irani po kundërpërgjigjet ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite duke goditur baza ushtarake amerikane në rajon që nga dita e shtunë. Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar në një deklaratë me video herët të shtunën se gjatë operacionit mund të kishte viktima mes trupave amerikane.

Ora 16:18
VIDEO nga momenti kur Forcat Ajrore të Izraelit godasin selinë ushtarake iraniane në Teheran

Forcat Ajrore të Izraelit kanë publikuar një video, e cila sipas tyre tregon momentin e një sulmi ndaj selisë së Forcave të Armatosura të Iranit.

Bashkangjitur videos, Forcat Ajrore izraelite kanë shkruar: ‘Shkatërrimi i selisë së regjimit terrorist iranian në zemër të Teheranit.’

Ora 15:14
Kriza në Lindjen e Mesme/ Çfarë ndodh nëse Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit?

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të ndjeshme në botë për energjinë dhe tregtinë. Çdo tension që ndodh aty përkthehet menjëherë në nervozizëm në tregjet globale.

E vendosur në hyrje të Gjirit Persik, kjo ngushticë kalon mes ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit dhe në pikën më të ngushtë është vetëm 33 kilometra e gjerë. Nga aty, anijet dalin në Gjirin e Omanit dhe më pas në oqean, drejt tregjeve botërore.

Pse ka peshë kaq të madhe? Sepse rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës kalon pikërisht nga kjo rrugë detare. Anije cisternë me miliona fuçi naftë në bord lëvizin çdo ditë nëpër këtë korridor të ngushtë. Aty  kalojnë edhe anije me mallra dhe kontejnerë që furnizojnë tregjet ndërkombëtare.

Analistët e Goldman Sachs kanë paralajmëruar më herët se një bllokadë në këtë ngushticë mund ta çojë çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi. Një rritje e tillë do të kishte efekt zinxhir në ekonomi.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar çdo rritje me 10% e çmimit të naftës shton rreth 0.4 pikë përqindjeje inflacionin në ekonomitë e zhvilluara. Me fjalë të tjera: çmimi i karburantit rritet, rriten kostot e transportit, rriten çmimet në raftet e dyqaneve.

Megjithatë, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të ishte një hap ekstrem për Iranin. Një veprim i tillë do të godiste edhe klientët e tij kryesorë, si Kina, dhe do të prekte vende të tjera të mëdha prodhuese të naftës si Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Prandaj, çdo kërcënim për mbylljen e saj shihet si një sinjal i fortë politik dhe ekonomik, me pasoja që shkojnë shumë përtej rajonit.

Ora 14:57
9 izraelitë të vdekur nga sulmet, ministri i Jashtëm iranian: S’ka asnjë kufi!

Bilanci i përditësuar i sulmit iranian mbi Beit Shemesh, pranë Jeruzalemit, është 9 të vdekur, 23 të plagosur dhe 20 persona të zhdukur, sipas shërbimeve izraelite të emergjencës. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për Al Jazeera se “nuk ka asnjë kufi apo pengesë për mbrojtjen tonë”.

Ora 14:46
Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit në Iran, vritet edhe ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad

Ish-presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, u vra nga sulmet amerikane dhe izraelite mbi Teheran. Këtë e raporton agjencia iraniane Ilna dhe disa media izraelite.

Ora 14:32
Dëmtohet ambasada serbe në Teheran, Vuçiç: Stafi do të tërhiqet në Baku

Ambasada serbe në Teheran

Ndërtesa e ambasadës së Serbisë në Teheran është dëmtuar nga sulmet ajrore të mëngjesit në Iran.

Sipas raportimeve, një bazë ushtarake pranë ambasadës u vu në shënjestër dhe shpërthimet prekën edhe godinën diplomatike. Sipas raportimeve nuk ka të lënduar.

Presidenti Aleksandar Vuçiç e konfirmoi lajmin në një intervistë për Prva TV, duke thënë se stafi ka nisur tërheqjen drejt Bakut. Ai shtoi se janë ndjekur të gjitha procedurat, ndërsa dokumentacioni do të shkatërrohet sipas rregullave.

Vuçiç tha se ambasadori do të shkojë në Baku bashkë me pjesën tjetër të stafit, por më pas do të rikthehet në Teheran me kërkesën e tij personale për të ndihmuar një çift me fëmijë që ndodhet ende atje, për shkak të situatës së ndërlikuar.

Ora 14:16
Pasdaranët mbajnë premtimin, nisin sulmet në shkallë të gjerë në Dubai, Abu Dhabi, Doha dhe Manama

Pasdaranët kanë njoftuar se kanë nisur valën e shtatë dhe të tetë të operacionit “Premtimi i Vërtetë”, me sulme në shkallë të gjerë.

Shpërthime të reja kanë ndodhur në disa vende të Gjirit Persik, ku raportohen shpërthime në Dubai, Abu Dhabi, Doha dhe Manama.

Hoteli Crown Plaza në Manama, Bahrein, është goditur nga një raketë iraniane. Këtë e raportojnë disa media rajonale, me fotografi të hotelit gjysmë të shkatërruar. Ka të dhëna për disa të plagosur.

Ora 13:52
Presidentja e KE-së takohet me Mbretin Abdullah të Jordanisë, Von der Leyen: Sulmet e Iranit rrezik real për spirale dhune në rajon

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen

“Ekziston një rrezik real që rajoni të futet në një spirale dhune.” Me këtë paralajmërim reagoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe shprehu solidaritet të plotë me Mbretërinë Hashemite pas sulmeve iraniane të një dite më parë.

Von der Leyen tha se pas vdekjes së Ali Khameneit ka një shpresë të re për popullin iranian, por theksoi se ky është një moment delikat që mund të sjellë paqëndrueshmëri të thellë në rajon.

Sipas saj, Bashkimi Europian po punon ngushtë me aktorët kyç dhe partnerët rajonalë për të ruajtur stabilitetin, sigurinë dhe për të mbrojtur jetën e civilëve. Ajo e cilësoi Jordaninë një partner të çmuar për Europën në rajon dhe theksoi se roli i saj do të jetë kyç në periudhën që vjen.

Ora 13:24
Kriza në Lindjen e Mesme/ 150 anije me naftë e gaz bllokohen pranë Ngushticës së Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit

Të paktën 150 anije cisternë, që transportojnë naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, kanë hedhur spirancën në ujërat e hapura të Gjirit, përtej Ngushticës së Hormuzit.

Lajmi raportohet nga Al Jazeera, që citon vlerësime të Reuters dhe të dhëna të fundit të trafikut detar nga platforma Marine Traffic. Sipas raportimit, dhjetëra anije të tjera janë ndalur edhe në anën tjetër të ngushticës.

Këto lëvizje kanë ardhur menjëherë pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit, duke shtuar tensionin në një nga pikat më të ndjeshme të tregtisë globale të energjisë.

Anijet janë grumbulluar në ujërat pranë brigjeve të prodhuesve kryesorë të naftës dhe gazit në Gjirin Persik, mes tyre Iraku, Arabia Saudite dhe Katari. Situata rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin global me energji, nëse bllokimi zgjatet.

Ora 12:30
Vdekja e Khameneit, Kallas: Moment vendimtar, e ardhmja e pasigurt! Sot mblidhet Këshilli i Jashtëzakonshëm për Punët e Jashtme

1770038475_kajakallas.JPG

Këshilli i Jashtëzakonshëm për Punët e Jashtme, i thirrur për sot në videokonferencë nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, dhe në të cilin do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare, është parashikuar të mbahet në orën 17:00. Ndërkohë, mbledhja e ambasadorëve të shteteve anëtare, Coreper II, është parashikuar në orën 14:00.

Në një postim në X, Kallas shkroi:

“Vdekja e Ali Khameneit është një moment vendimtar në historinë e Iranit. Ajo që do të ndodhë në të ardhmen është e pasigurt. Por tani hapet një rrugë drejt një Irani ndryshe, një Iran që populli i tij mund ta formësojë me më shumë liri”, duke shtuar se është “në kontakt me partnerët, përfshirë ata të rajonit që mbajnë peshën më të madhe të veprimeve ushtarake të Iranit, për të identifikuar masa konkrete për uljen e tensioneve.”

Ora 12:25
Sulmet ndaj Iranit, Papa Leone XIV: Apel i përzemërt që të ndalet spiralja e dhunës, lutemi për paqen

1767280892_papaleonii14.JPG

Në përfundim të meshës, Papa Leone XIV ka shprehur “shqetësimin e tij të thellë” për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe në Iran.

“Përballë mundësisë së një tragjedie me përmasa të mëdha, u drejtoj palëve të përfshira një apel të përzemërt që të marrin përgjegjësinë morale për të ndalur spiralen e dhunës para se ajo të shndërrohet në një humnerë të pariparueshme. Uroj që diplomacia që të rigjejë rolin e saj dhe të promovohet e mira e popujve që dëshirojnë një bashkëjetesë paqësore të bazuar në drejtësi. Dhe të vazhdojmë të lutemi për paqen,” tha Ati i Shenjtë.

Ora 12:06
'Vrasje cinike'! Moska reagon pas vdekjes së Khameneit, Putin: Shkel të gjitha parimet e moralit dhe të drejtës ndërkombëtare!

Vladimir Putin dhe Ali Khamenei

Vrasja e Ali Khameneit ka ndezur reagime të forta nga Moska. Presidenti rus Vladimir Putin e quajti atë “një vrasje cinike që shkel të gjitha parimet e moralit dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Në një mesazh ngushëllimi dërguar presidentit iranian Massud Pezeshkian, Putin foli me tone të ashpra për ngjarjen dhe e përshkroi Khamenein si një figurë kyçe për Iranin.

Sipas agjencisë ruse Ria Novosti, presidenti rus e cilësoi Khamenein “një burrë shteti të shquar”, që kishte dhënë kontribut personal në forcimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Iranit, duke i çuar ato në nivelin e një partneriteti strategjik global.

Ora 11:41
Do të udhëheqë Iranin pas vdekjes së Khameneit, përcaktohet anëtari i fundit i Këshillit të Përkohshëm

Anëtari i tretë dhe përfundimtar është emëruar në Këshillin e Përkohshëm të Udhëheqjes së Iranit, i cili kryen rolin e Udhëheqësit Suprem derisa të zgjidhet një pasardhës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ISNA, Ayatollah Alireza Arafi u emërua si anëtari jurist i Këshillit të udhëheqjes së Iranit. Ai ka qenë predikues dhe shkrimtar para se të konfirmohej në Asamblenë e Ekspertëve, një nga organet që vendos për udhëheqësin e ardhshëm suprem, në vitin 2015.

Alireza i bashkohet presidentit iranian Masoud Pezeshkian dhe kreut të gjyqësorit Gholamhossein Mohseni Ejei në këtë këshill. Më parë, Ali Larijani, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i tha televizionit shtetëror se këshilli “do të themelohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ora 10:57
Hamasi vajton Khamenein, Iraku shpall tri ditë zie: U vra në një akt të hapur agresioni

Ne në Hamas po vajtojmë për humbjen e Ayatollah Ali Khameneit. Ai ka ofruar çdo formë mbështetjeje politike, diplomatike dhe ushtarake për popullin tonë, për kauzën tonë dhe për rezistencën tonë”, deklaroi lëvizja islamiste palestineze në një njoftim. “Shtetet e Bashkuara dhe qeveria fashiste e pushtimit mbajnë përgjegjësinë e plotë për këtë agresion të hapur dhe për këtë krim të tmerrshëm kundër sovranitetit të Republikës Islamike të Iranit, si dhe për pasojat e tij të rënda mbi sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, thotë më tej.

Ndërkohë Iraku ka shpallur tri ditë zie pas vdekjes së Khameneit. Zëdhënësi i qeverisë, Bassem al-Awadi, deklaroi në një njoftim se: “Me dhimbje të thellë, shprehim ngushëllimet tona për popullin fisnik iranian dhe për të gjithë botën myslimane” pas vrasjes së Khameneit në “një akt të hapur agresioni”.

Ora 10:31
Izraeli sulmon qendrën e Teheranit, shpërthim pranë televizionit iranian

Në qendër të kryeqytetit iranian është parë një shpërthim gjigant.

Kjo vjen pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se aviacioni i vendit po godet objektiva “në zemër të Teheranit”.

Sipas Reuters, mediat shtetërore iraniane raportojnë se shpërthime u dëgjuan pranë kompleksit ku ndodhen radioja dhe televizioni iranian.

Ora 10:23
Ushtria izraelite reagon për vrasjen e Khameneit: U vra në zemër të Teheranit! ‘Koka e oktapodit iranian donte të shkatërronte Izraelin

“Ali Khamenei u mor si objektiv në një operacion të saktë dhe në shkallë të gjerë të kryer nga aviacioni izraelit, i udhëhequr nga informacionet e sakta të IDF, ndërsa ndodhej në selinë e tij qendrore në zemër të Teheranit, ku ishte së bashku me zyrtarë të lartë të tjerë.” Kështu deklaron ushtria izraelite në një njoftim, siç raporton Times of Israel. Forcat e Mbrojtjes Izraelite shprehen se kanë “vënë pikën mbi një kapitull që ka zgjatur dekada me eliminimin e udhëheqësit të boshtit terrorist iranian”.

“Khamenei ishte arkitekti i planit për të shkatërruar Shtetin e Izraelit dhe ishte i njohur si ‘koka e oktapodit iranian’, duke zgjatur krahët e tij në të gjithë Lindjen e Mesme dhe deri në kufijtë e Shtetit të Izraelit,” shton ushtria izraelite, “midis këtyre, më e rëndësishmja ishte organizata terroriste Hezbollah. Udhëheqësi Suprem i regjimit iranian ishte përgjegjës për sulmet terroriste ndaj Shtetit të Izraelit dhe duart e tij ishin të njollosura me gjakun e shumë civilëve në të gjithë botën.”

Sipas ushtrisë izraelite. avionët luftarakë të forcave ajrore izraelite hodhën mbi 1.200 municione gjatë sulmeve në Iran.

Ora 10:21
‘Khamenei shkoi në ferr”, shpërthen festa në Iran për vdekjen e ajatollahut: Bota është bërë vend më i mirë (VIDEO)

Grumbuj të mëdhenj iranianësh mbushën rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera në Iran gjatë natës, duke festuar për vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khameneit.

“Nuk mund ta besoj. Është sikur kur të japin një lajm kaq të mirë sa që nuk e di çfarë të bëj”, thotë një banor i Teheranit. Nuk mund të flemë gjatë gjithë natës, thjesht po pres të fillojë dita e parë pa Khamenein në të. Mendoj se Lindja e Mesme është bërë një vend më i mirë. Edhe bota tani është bërë një vend më i mirë”.

Në një video-thirrje me The New York Times, tre banorë të Teheranit treguan skenat që po zhvilloheshin në lagjet e tyre: turma të mëdha burrash dhe grash duke kërcyer dhe brohoritur, duke thirrur “Urra”. Shoferët që kalonin brohorisnin me boritë e makinave. Fishekzjarret ndriçonin qiellin dhe muzika e lartë persiane për vallëzim mbushte rrugët. Shumë banorë, nga dritaret dhe ballkonet e tyre, iu bashkuan brohoritjes së “liri, liri.”

“Khamenei shkoi në ferr,” bërtiti një burrë nga çatia e tij, sipas një videoje të postuar në BBC Persian.

Në Abdanan, një qytet kurd në perëndim të Iranit ku shtypja e protestave ishte intensive, të rinj dhe të reja lëviznin rrugëve pas njoftimit të vdekjes së udhëheqësit suprem. Ata dilnin nga dritaret e makinave, bënin shenja fitorjeje dhe brohorisnin.

“Po ëndërroj?” bërtiti një burrë në një video tjetër, gjithashtu e verifikuar nga The Times. “Ah! Përshëndetje për botën e re. Ah!” Gjithashtu u rrëzua edhe një monument, me gjasë që portretizonte Khamenein.

Në Shiraz, bashkoheshin brohoritjet, në Isfahan boriet e makinave buçisnin.

Ora 08:55
VIDEOLAJM/ Vdekja e Khameneit, spikeri iranian ngashërehet në lot kur jep lajmin

Në momentin e transmetimit të lajmit të vdekjes së Udhëheqësit Suprem iranian, ajatollahut Ali Khamenei, spikeri i televizionit shtetëror u ngashërye në lot teksa dha njoftimin.

“Udhëheqësi dhe Imami i myslimanëve, Eminenca e Tij, Ajatollah Seyyed Ali Hosseini Khamenei, në rrugën e mbrojtjes së shenjtërisë së lartë të Republikës Islamike të Iranit, ka pirë etjen e ëmbël dhe të pastër të martirizimit dhe i është bashkuar Mbretërisë Supreme Qiellore”, sipas Reuters.

Ora 08:43
Pakistan, protestuesit sulmojnë konsullatën amerikane në Karachi

Qindra protestues sulmuan konsullatën amerikane në qytetin portual të Karachi, duke thyer dritaret, pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit që çuan në vdekjen e udhëheqësit suprem të vendit, Khamenei.

Policia përdori shkopinj dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Të paktën një protestues u vra dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë.

Ora 08:33
Shefi i Sigurisë së Iranit kërcënon SHBA-të e Izraelin: Na dogjën zemrat, ne do të djegim tyret

Shefi i Sigurisë së Iranit, Ali Larijani ka kërcënuar fuqishëm SHBA-të dhe Izraelin.

“Amerika dhe regjimi sionist kanë djegur zemrat e kombit iranian, dhe ne do t’i djegim tyret”, shkroi ai në X duke paralajmëruar se trupat e armatosura dhe populli i Iranit do t’u japin këtyre “shtypësve ndërkombëtarë” një mësim të paharrueshëm.

Ora 08:31
Raketat në gatishmëri, dëgjohen sirena alarmi në Jeruzalem e Tel Aviv

Sirena e alarmit ajror po dëgjohet në Jeruzalem, Tel Aviv dhe në zona të tjera qendrore të Izraelit, për shkak të mundësisë së lëshimit të raketave nga Irani drejt territorit izraelit. Forcat e mbrojtjes izraelite kanë njoftuar zbulimin e disa raketave në fluturim dhe kanë kërkuar që banorët të kërkojnë strehë në vendet e sigurta, ndërsa raportohet për sirena dhe shpërthime në zonat urbane. Situata vjen në një moment të shqetësuar të tensioneve ushtarake ndërmjet Iranit dhe Izraelit.

Ora 08:21
Dubai nën sulm, raketa iraniane mbi ‘The Palm'! Paralizohet nyja ajrore ndërkombëtare, humbasin miliarda dollarë

Sulmet iraniane kanë shënjestruar Dubain, duke e transformuar simbolin e luksit global, ishullin artificial Palm Jumeirah, në një skenë lufte. Sulmi, i kryer nga Irani si hakmarrje ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ka shkaktuar 4 të plagosur dhe ka çuar në kolapsin e trafikut ajror ndërkombëtar. Dëshmitarë okularë raportojnë shpërthime të forta dhe një kolonë të dendur tymi të zi që ngrihej nga një prej resortëve luksozë të “The Palm”. Sipas autoriteteve të Emirateve, të paktën katër persona u plagosën nga goditja e raketave në hotelin Fairmont Palm Jumeirah. Sirenat e ambulancave shuan qetësinë e asaj që, deri para disa orësh, konsiderohej një nga zonat më të sigurta dhe të dëshiruara në planet.

Përshkallëzimi ushtarak ka detyruar autoritetet e aviacionit të marrin një vendim të paprecedentë: mbylljen totale të hapësirës ajrore. Aeroporti ndërkombëtar i Dubait, Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, aeroporti më i frekuentuar në botë për pasagjerë ndërkombëtarë, dhe Aeroporti Ndërkombëta Al Maktoum kanë pezulluar çdo operacion që nga 28 shkurti. Numrat përshkruajnë një kaos logjistik me përmasa historike: mbi 500 fluturime janë anuluar ose vonuar. Gjigantë si Emirates dhe Etihad kanë pezulluar fluturimet, të ndjekur nga linja ndërkombëtare si Lufthansa, Air France, British Airways dhe Qatar Airëays.

Pezullimi i lidhjeve shtrihet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore, me disa kompani që parashikojnë ndalime deri më 28 mars.

Dubaji nuk është thjesht një qytet; ai është nyja jetike që lidh Europën, Azinë dhe Afrikën. Çdo orë mbylljeje të hapësirës ajrore përkthehet në humbje miliarda dollarëshe. Me çmimin e naftës që ka kaluar 100 dollarë për fuçi, devijimet prej mijëra miljesh për të shmangur zonën e luftës po rrisin kostot operacionale të kompanive ajrore në nivele të papërballueshme. Por dëmi më i madh është ai i imazhit dhe strategjik. Emiratet e Bashkuara Arabe, që kanë ndërtuar modelin e tyre të zhvillimit mbi neutralitetin dhe sigurinë, tani gjenden të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.

Ora 07:59
Lufta në Iran, Marco Rubio do të telefonojë sot liderët e G7! Të hënën, mbledhje e jashtëzakonshme e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio do të zhvillojë sot një bisedë telefonike me udhëheqësit e G7 për situatën në Iran. G7 përfshin Kanada­në, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) do të mbajë të hënën një mbledhje të jashtëzakonshme mbi Iranin. Nga nesër në Vjenë do të nisë gjithashtu sesioni periodik i Këshillit të Guvernatorëve të Agjencisë Atomike të Kombeve të Bashkuara.

Ora 07:48
Vrasja e Khameneit, kryeparlamentari iranian kërcënon: Do të luteni për mëshirë! Mediat vendase mbushin ekranet me njerëz që vajtojnë Ajatollahun

Qeveria iraniane ka premtuar se vrasja e Ali Khamenei është një “krim i rëndë që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”. “Keni tejkaluar kufirin tonë dhe do të paguani çmimin”, deklaroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, në një fjalim televiziv, “do t’ju godasim me sulme aq shkatërruese sa do të detyroheni të luteni për mëshirë”.

Mediat shtetërore iraniane kanë transmetuar vazhdimisht që nga mëngjesi pamje të rrugëve dhe shesheve të vendit të mbushura me njerëz që qajnë vdekjen e ajatollahut Ali Khamenei. Televizionet kanë shfaqur imazhe, për të cilat pretendojnë se janë xhiruar sot, të qindra mijëra iranianëve në zi në Teheran dhe në sheshin Khomeini në Isfahan.