Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, foli në një konferencë të përbashkët me kryebashkiaken Anne Hidalgo, gjatë vizitës në Paris fokusuar në sulmet e javës së fundit në kryeqytetin francez. 

Gjatë fjalës së tij Kerry u shpreh se SHBA bashkohet me dhimbjen e Francës dhe se ata e dinë po aq mirë sa e vështirë është lufta me terrorizmin. Ai theksoi se asnjë vend nuk e di më mirë se Franca çmimin e lirisë, pas masakrës së fundit dhe bëri thirrje për bashkëpunim në luftimin e ekstremizmit të bashkuar me trimëri e ndershëmri për të mos u frikësuar ndaj terroristëve.

John Kerry, është takuar më herët me zyrtarët e lartë në Francë për të shprehur solidaritetin e Amerikës me popullin francez pas sulmeve terroriste të javës së kaluar. Gjatë takimit të tij me presidentin Francez Kerry u shpreh se “ndan dhimbjen e Francës pas tmerrit të kaluar gjatë javës së shkuar dhe se është aty si një vend mik për të punuar sëbashku e për të gjetur zgjidhjet e nevojshme”.

Kerry u takua me Fabius dhe sëbashku kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në ndërtesën e revistës satirike "Charlie Hebdo" ku ndodhi masakra e 7 janarit si dhe në supermarketin ku humbën jetën 4 pengje, pak ditë më pas.

Vizita e Kerry erdhi pas kritikave të shumta për mungesën e një përfaqësuesi të administratës së Obamës në marshimin masiv të së dielës në Paris, në të cilën morën pjesë rreth 40 krerë shtetesh dhe më shumë se 1 milion marshues.

Gjatë një takimi më herët me ministrin e jashtëm të Francës, Laurent Fabius, Kerry u justifikua me mungesën në marshimin e së dielës për shkak të një vizite të planifikuar më parë në Indi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)