Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar për herë të parë se sulmet me dronë të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike po ndikojnë në furnizimin me karburant në Rusi. Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, ai tha se sulmet kanë krijuar probleme të dukshme, por këmbënguli se situata mbetet nën kontroll.

“Sigurisht që krijojnë probleme, kjo është e qartë. Tani po vërejmë një mungesë të caktuar, por nuk është kritike”, deklaroi Putin.

Ai tha se Moska synon ta përballojë situatën duke rritur importet e karburantit, duke forcuar mbrojtjen e rafinerive nga sulmet me dronë dhe duke riparuar sa më shpejt objektet e dëmtuara.

Pranimi i Putinit vjen në një kohë kur Ukraina po zgjeron goditjet në thellësi të territorit rus. Të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se dronët ukrainas kishin goditur rafineri në rajonin e Krasnodarit dhe në rajonin e Jaroslavlit.

Sipas analistëve, këto sulme kanë ulur me rreth 25% kapacitetin e përpunimit të naftës në Rusi. Si pasojë, tregu i brendshëm po përballet me vështirësi për të përmbushur kërkesën, ndërsa mungesa e furnizimit vlerësohet të ketë arritur në rreth 15%.

Të dhënat me burim të hapur, të analizuara nga "The Moscow Times", tregojnë se deri të enjten masa kufizuese për furnizimin me karburant ishin vendosur në të paktën 56 rajone të Rusisë, përfshirë edhe Moskën. Situata më e rënduar raportohet në Krimenë e aneksuar, ku javën e kaluar autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme pasi sulmet ukrainase goditën vazhdimisht rrugët logjistike dhe infrastrukturën e naftës.

Moskë, banorët kanë raportuar pritje të gjata për të furnizuar automjetet. Një qytetar i tha "The Guardian" se u detyrua të priste më shumë se dy orë në një pikë karburanti, duke ndryshuar edhe planin e punës për atë ditë.

Pamjet me radhë të gjata në pikat e furnizimit janë bërë të zakonshme ditët e fundit, një situatë që nuk ishte parë në Rusi që prej ardhjes së Putinit në pushtet në vitin 2000. Edhe rrjetet sociale ruse janë mbushur me video të drejtuesve të mjeteve që kërkojnë karburant, si edhe me postime satirike për mungesat. Një nga memet më të shpërndara përdorte këngëtarin Dima Bilan, fitues i Eurovisionit 2008, duke e shoqëruar me vargjet "Ku mund të të gjej?", ku "ti" nuk i referohej një personi, por benzinës.

Eksperti i sektorit energjetik rus, Sergey Vakulenko, nga Carnegie Russia Eurasia Centre, tha se ndikimi afatgjatë do të varet nga aftësia e Ukrainës për të vazhduar sulmet. Sipas tij, nëse goditjet do të ndaleshin tani, pas rreth dy muajsh pasojat mund të zbeheshin, ndërsa situata aktuale varet nga gara mes dronëve ukrainas që godasin rafineritë dhe ekipeve ruse që i riparojnë ato.

Kievi ka deklaruar se fushata kundër infrastrukturës së naftës synon të dobësojë aftësinë e Rusisë për të mbështetur luftën dhe njëkohësisht t'i sjellë qytetarëve rusë pasojat e konfliktit. Gjatë këtij muaji, Zelensky tha se kishte autorizuar një operacion 40-ditor kundër infrastrukturës ruse me synimin për të rritur presionin ndaj Moskës për t'i dhënë fund luftës.