Sulmi amerikan mbi Kharg ka ndodhur, me një seri goditjesh ajrore amerikane për të neutralizuar, sipas versionit zyrtar, mbrojtjen. Në ditët e fundit, vëzhguesit kishin theksuar se ishulli ishte kursyer nga konflikti, një zgjedhje që i atribuohej vullnetit të Uashingtonit për ta ruajtur atë për objektiva të ardhshëm, përfshirë edhe kontrollin e tij me qëllim ushtrimin e presionit ndaj ajatollahëve.
Rreth 30 kilometra larg brigjeve iraniane, Kharg ka qenë gjithmonë nyja kryesore e eksportit të naftës: nga këtu del 90% e naftës bruto, me një pjesë të konsiderueshme që shkon drejt tregut aziatik. Bëhet fjalë për impiante jetike për regjimin dhe një terminal për një fluks të vazhdueshëm anijesh: edhe gjatë fazës më të ashpër të konfliktit janë fotografuar disa prej tyre, duket kineze, në të dy anët e këtij pozicioni strategjik.
Për ta mbrojtur janë dislokuar njësi elitare të Gardës Revolucionare (Brigada Zolfaghar) dhe të Marinës, mjete patrulluese me raketa dhe anije të afta për vendosjen e minave, pozicione kundërajrore dhe depo, por edhe një qendër vëzhgimi për aktivitetet në Gjirin Persik. Në sektorin verilindor, ishulli ka edhe një aeroport.
Pikërisht për këtë arsye, Uashingtoni e ka konsideruar gjithmonë si një objektiv, ose të paktën si një pikë gjeografike dhe ekonomike për t’u shfrytëzuar. Në nëntor të vitit 1979, gjatë krizës së parë Iran-SHBA, presidenti Jimmy Carter kishte shqyrtuar propozimin e gjeneralëve për pushtimin e ishullit. Më pas, gjatë luftës me Irakun në vitet ’80, Kharg u bombardua nga forcat e Saddam Husseinit, një nga lëvizjet e diktatorit për të dobësuar Republikën Islamike. Në periudhën më të fundit, kjo çështje është rikthyer edhe në duart e Izraelit, i cili e ka përfshirë në listën e objektivave të tij. Një vijë e gjatë strategjike që shtrihet në kohë dhe nuk është ndërprerë kurrë.
Goditjet gjatë natës janë shoqëruar edhe me një zhvillim tjetër të rëndësishëm. Pentagoni ka urdhëruar dërgimin në Gjirin Persik të një Maritime Expeditionary Unit, një forcë detare e përbërë nga një anije sulmuese amfibe, në këtë rast “Tripoli”, dhe 4-5 njësi mbështetëse. Në bord ndodhen mbi 2 mijë marinsa, avionë luftarakë F-35, helikopterë sulmues dhe transportues, si dhe mjete zbarkimi.
Kjo njësi ndodhej në Azi dhe tashmë po lëviz drejt Perëndimit. Ka nga ata që kanë hipotezuar edhe një manovër tokësore të mundshme nga Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme. Si objektiva janë përmendur Kharg, por duke e mbajtur atë të paprekur, ose tre ishujt e vegjël në qendër të ngushticës së Hormuzit: Abu Musa, Tunbi i Madh dhe Tunbi i Vogël, të cilët u pushtuan nga forcat e Shahut të Persisë në vitet ’70 dhe i përkasin Emirateve të Bashkuara Arabe. Rëndësia e tyre është e dukshme.
Megjithatë, mbajtja e këtyre pozicioneve do të thotë ekspozim i marinsave ndaj zjarrit të Gardës Revolucionare: më parë do të ishte e nevojshme eliminimi i pranisë së tyre përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe edhe më tej, pasi ata disponojnë armë, nga dronët te raketat, me të cilat mund të godasin forcat amerikane.
Ekspertët shpjegojnë se operacione të tilla janë të realizueshme, por, si çdo operacion ushtarak, mbartin të panjohura dhe humbje. Po ashtu, mbetet për t’u parë nëse Shtëpia e Bardhë është e gatshme të ndërmarrë një hap të tillë, që bie ndesh me premtimet elektorale dhe humorin e mbështetësve të saj.
Së fundi, duke u kthyer te ajo që ndodhi në Kharg, mbetet gjithmonë skenari i kundërpërgjigjes. Garda Revolucionare ka kërcënuar menjëherë me hakmarrje ndaj rrjeteve të naftës në rajon: objekte që tashmë janë dëmtuar në Arabinë Saudite, Oman, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por që mund të goditen me sulme edhe më intensive./Corriere Della Sera
Komente










