Sezoni i Formula 1 mund të pësojë një ndryshim të rëndësishëm në kalendar, pasi garat e planifikuara në Bahrein dhe Arabinë Saudite pritet të anulohen për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të Sky Sports, Çmimi i Madh i Bahreinit, i planifikuar të zhvillohej nga 10 deri më 12 prill, si dhe gara në qytetin të Jeddah në Arabinë Saudite nga 17 deri më 19 prilli, mund të hiqen nga kalendari i këtij sezoni. Arsyeja lidhet me përshkallëzimin e konfliktit në rajon dhe shqetësimet për sigurinë.
Nëse vendimi zyrtarizohet këtë fundjavë, sezoni i vitit 2026 do të reduktohet në 22 gara, pasi është shumë e vështirë që këto evente të zëvendësohen në një kalendar tashmë të ngarkuar që shtrihet nga marsi deri në dhjetor.
Siguria mbetet prioriteti kryesor për organizatorët e Formula 1 dhe për Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), ndërsa situata në rajon nuk ka treguar shenja përmirësimi gjatë ditëve të fundit.
Në rast anulimi, kalendari i kampionatit do të ketë një ndalesë pesë javore mes Çmimit të Madh të Japonisë, që zhvillohet nga 27 deri më 29 mars dhe Çmimit të Madh të Miamit, i planifikuar nga 1 deri më 3 maj.
Ndërkohë, Formula 1 ndodhet aktualisht në Shanghai për Çmimin e Madh të Kinës. Piloti George Russell fitoi garën Sprint, ndërsa shoku i tij te Mercedes, Andrea Kimi Antonelli siguroi 'pole positionin' për garën e madhe e cila nis nesër në orën 08:00 të mëngjesit me kohën shqiptare.
Komente









