Presidentja e Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmin amerikano-izraelit në Iran. Përmes një postimi në X Vjosa Osmani thekson se Kosova mbështesin veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t'i dhënë fund regjimit iranian.

“Ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit DonaldTrump Si gjithmonë, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtjen e lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ne gjithashtu dënojmë fuqimisht sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve tanë në Lindjen e Mesme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t'i dhënë fund regjimit iranian dhe për t'i dhënë më në fund një shans lirisë dhe paqes”, shkroi Osmani në platformën X.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës deklaroi se mbështet sulmet e SHBA-së kundër Iranit, duke e cilësuar regjimin iranian si shtypës dhe destabilizues për rajonin.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve që jetojnë dhe punojnë në vendet e Lindjes së Mesme që të kenë vëmendje të shtuar dhe t’i zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore.

Kosova ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe një pjesë të konsiderueshme të shteteve të Lindjes së Mesme, por jo me Iranin, i cili nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.