Irani sulmoi dje (1 tetor 2024) Izraelin me 200 raketa, si shenjë hakmarrje për vrasjen e kreut të Hezbollah, Nasrallah.

Për të dhënë më tepër detaje lidhur me këtë sulm, ka folur për emisionin 'Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv me gazetarin Nerttil Agalliu, shqiptarja që jeton në Izrael Jeta Gani.

Gani u shpreh se raketat u hodhën mbi popullin dhe jo në baza ushtarake.

“Nuk ka bërë shumë dëme, sepse shumica janë plasur në ajër dhe të tjera kanë rënë në zona të hapura, shumica janë asgjësuar, por frika është, sepse Irani ishte hera e parë që gjuan në popull në të gjithë Izraelin, në prill gjuajtën vetëm në jug dhe ishte një predhë e madhe.  Mendoj se lufta do të jetë e gjatë, vetëm sa ka filluar, Izraeli po vetmbrohet dhe do sulmojë sepse do të ruaj shtetin e tij. Por këtë herë është më e vështirë se luftrat më para, sepse Irani është hera e parë që e ka nxjerr kokën si armik i Izraelit. Ka gjuajtur në popull Irani këtë herë, dhe jo tek bazat ushtarake. Raketat ranë në të gjitha çatitë e shtëpive, Izraeli ishte i mbuluar nga predhat. Një raketë plasi në ajër mbi banesën time. Ishte një orë e gjysmë breshëri raketash Irani e nxori kokën e tij, sepse ishte fshehur pas Libanit dhe Hamasit", tha ajo. 

E pyetur lidhur me situatën në Izrael, pas sulmit të Iranit, ajo u shpreh se sot situata ka qenë më e qetë.

Gani e ka cilësuar sulmin si një nga momentet më të vështira që ka kaluar në Izrael. 

“Sot ka më pak alarm, por tensioni dhe frika është ende, njerëzit akoma jetojë me frikën e djeshme, do kohë që të kalojë, por sot masat janë më të lehtësuara, sot kemi edhe festën dhe jemi të mobilizuar që të largojmë ndopak atë që kaluam dje. Sot jemi më të qetë. Jeta vijon normalisht, nuk është ndërprerë në asnjë moment. Sulmi i Iranit ishte një nga sulmet më të vështira që unë kam kaluar në këto 30 vite që jetojë këtu në Izrael, sepse i gjithë populli ndenji 1 orë e gjysmë në dhomat e sigurimit. Por, ne jemi mësuar që të jetojmë në luftë prej një viti dhe dimë që të marrim edhe masa”, tha ajo.