TIRANE-Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë reaguar ashpër pas qëndrimit të fortë të kryeministrit Edi Rama dje në seancën plenare të Kuvendit. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i cilëson deklaratat e kryeministrit si kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Por cfarë tha Edi Rama dje? Socialistët do të depozitojnë një ligji të ri special për prokurorët dhe gjyqtarët që janë ende në sistemin e drejtësisë, por që duke e ditur që do të shkarkohen, në pritje të ditës së gjykimit po bëjnë kërdinë me vendime absurde të diktuara nga krimi dhe korrupsioni. Rama e cilësoi dje këtë kategori gjyqtarësh dhe prokurorësh si organizata kriminale 'KÇK' që duhet të shpallet në kërkim.

"(KÇK) (Kap çfarë të kapësh) është një organizatë kriminale me imunitet kushtetues". Pas prokurorit të Durrësit, kryeministri denoncoi dje një tjetër rast të skandaleve në drejtësi, këtë herë në Gjirokastër, ku tha se gjykata i dha urdhër mbrojtje një burri që kishte dhunuar gruan.

Deklaratë plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve. Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.

Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit. Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi.

Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor. Ndërsa qendrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit.