Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur vazhdimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ për ish-zyrtarin e burgut të Vlorës, Zambak Gjoni. Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Bani pas shqyrtimit të kërkesës së të pandehurit për : “Dhënie informacioni në lidhje me hetimet e kryera për çështjen penale në ngarkim të personit nën hetim”.

Njoftimi i GJKKO:

1. Kërkuesi Zambak Gjoni me datë 03.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dhënie informacioni në lidhje me hetimet e kryera për çështjen penale në ngarkim të personit nën hetim”, baza ligjore neni 246 i K.Pr.Penale.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 246 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 644, datë 24.10.2025, vendosi:

1. Vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Zambak Gjoni me vendimin Nr.32, datë 14.03.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Zambak Gjoni akuzohet nga SPAK se së bashku me ish-punonjësin e IMT, Arnold Rrokaj kanë hyrë tek sistemet e email të 3 prokurorëve të posaçëm. Në dosje thuhet se personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.

Sulmi kibernetik ndodhi më 12 Mars, por SPAK reagoi përmes një deklarate zyrtare ditë më vonë, duke thënë se hackerat kanë arritur që të marrin të dhëna nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por se nuk kanë arritur që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të sigurisë apo të rrjedhin dosje hetimore.

SPAK sqaroi se arrestimi i tyre u bë brenda 24 orësh nga ndërhyrja për hakerimin e emaileve të prokurorëve, dhe se sekuestruan pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili dhe Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.