TIRANË- Shqipëria ka shkëputur sot marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve publike online, sulm ndaj të cilit fshihej pikërisht ky shtet.

Në lidhje me vendimin e qeverisë ka reaguar edhe opozita. Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në reagimin e saj ka bërë përgjegjëse qeverinë shqiptare për sulmin kibernetik, duke thkesuar se ishte një dëshmi që vendi është i pambrojtur. Sipas Tabakut, parlamenti duhet të informohet plotësisht për atë që ka ndodhur dhe masat e ndërmarra nga qeveria për rritjen e sigurisë në të ardhmen.

Një regaim pati edhe nga ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili shkruan se sulmi kibernetik tregon rëndësinë e jetike të bashkëpunimit me SHBA dhe NATO-n.

Nga ana tjetër Partia e Lirisë, nëpërmjet zv.kryetarit të saj, Agim Nesho thotë se përkrah vendimin e qeverisë për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Gjithashtu, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar duke thënë se qeveria duhet të punojë për të rritur masat e sigurisë për shmangien e sulmeve kibernetike nëpërmjet investimeve serioze.

Shqipëria shkëputi sot (7 shtator) marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik, teksa iu është dhënë urdhër ambasadorit dhe të gjithë stafit të ambasadës iraniane të largohen nga Shqipëria brenda 24 orëve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:19
Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë, Meta: E dënoj me forcë, qeveria e vonuar me vendimin

1662476195_WhatsAppImage20220906at13.45.41.jpeg

Për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta, vendimi i Shqipërisë në lidhje me sulmin kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë është i vonuar. Me anë të një postimi në Tëitter, Meta u shpreh se dënon sulmin të cilin e quajti shkelje së sigurisë kombëtare. Ish presidenti shtoi se ngjarja duhet të nxisë vigjilencën

“Dënoj edhe një herë me forcë shkeljen e fundit të sigurisë kombëtare të Shqipërisë nga Republika Islamike e Iranit. Reagimi i sotëm i qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike është korrekt por shumë i vonuar. Sulmi kibernetik dhe qëllimi keqdashës nga ky vend duhet të nxisin vigjilencën, përgatitjen dhe bashkëpunimin serioz të Shqipërisë me NATO dhe BE-në, në marrjen e të gjitha masave për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe vendit”, shkruan Meta në Twitter.

Ora 18:25
Prishja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, Berisha: U vonua nga lidhjet e fshehta të Ramës me regjimin e ajatollahëve

1662561154_aliberisha.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaron se vendimi i qeverisë shqiptare për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik, është një akt i vonuar dhe gjysmak.

‘Ngrirja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin një akt i vonuar dhe gjysmak

Të dashur miq, Republika Islamike e Iranit gjatë këtyre viteve ka projektuar për të ndërmarrë ndaj Shqipërisë një seri aktesh subversive dhe armiqësore të rrezikshme. Për këto akte, në mënyrë të përsëritur, kemi kërkuar ndërprejen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollaheve të Iranit. Por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh nga autokrati i Tiranës. Kjo ka patur shkaqet e veta obskure të lidhjeve të përfolura të fshehta, Rama-Veliaj me regjimin e ajatollaheve, të denoncuara nga une mënyrë të përsëritur, në parlament dhe jashtë tij. Mundet që prapa këtyre lidhjeve qëndrojnë edhe financime të fshehta të regjimit të ajatollaheve për ardhjen e PS në pushtet.

Duke dënuar me forcën më të madhe të gjitha aktet subversive të Iranit ndaj Shqipërisë, sot kërkoj, jo ngrirjen por ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Islamike të Iranit. Sb’- shkroi Berisha.

Ora 16:03
Sulmi kibernetik i Iranit, Alibeaj: Qeveria të rrisë masat e sigurisë!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj  ka reaguar pas vendimit të qeverisë për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi konfirmuan se sulmi kibernetik ndaj portaleve qeveritare të Shqipërisë është bërë nga Iran

Alibeaj në reagimin e tij në Twitter thotë se qeveria duhet të punojë për të rritur masat e sigurisë për shmangien e sulmeve kibernetike nëpërmjet investimeve serioze.

"Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së dënoj ashpër sulmin kibernetik të Iranit ndaj Republikës së Shqipërisë

Me këtë rast i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të rrisë masat e sigurisë për të shmangur ngjarje si ajo e rrjedhjes së të dhënave nga E-albania, duke e nxitur të bëjë investime serioze për sigurinë kibernetike.

Lidhur me zhvillimet e fundit, gjej rastin të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-të për asistencën teknike dhe mbështetjen gjeostrategjike për Shqipërinë në identifikimin dhe në përballjen me sulmin kibernetik të orkestruar nga Irani.", shkruan Alibeaj në Twitter.

 

Ora 15:30
Prishja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, Salianji: Qeveri e vonuar, masat duhet të ishin marrë prej kohësh

1657815864_salinji.jpg

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji e ka cilësuar si të vonuar prishjen diplomatike të vendit tonë me shtetin e Iranit. Sipas tij masat duhet të ishin marrë prej kohësh.

‘Përherë qeveri e vonuar, masat duhet të ishin marrë me kohë, media ka raportuar përpara qeverisë, që sulmi ishte nga grupime që vinin nga Irani!

Ndërprerja e marrëdhënive diplomatike duhet të kishte ndodhur, por më mirë vonë se kurrë!

Sulmi kibernetik për fat të keq ka ekspozuar Shqipërinë si hallkë të dobët duke rënë lehtësisht pre e sulmit!

Milionat e Eurove të shpenzuara nga taksat e qytetarëve nuk janë përdorur në mënyrë efiçente!

Kjo ngjarje por dhe ngjarja e Gramshit ku akuza e prokurorisë është për spiunazh duhet të marrin gjithë vëmëndjen e duhur, mbeshtetjen e duhur dhe projektorët e plotë!

Ne do të kërkojmë informacione të plota në Komisionin e Sigurisë Kombëtare nga drejtuesit e institucioneve, KM, drejtuesi i SHISH, AKSH!

Shqipëria duhet të investojë për të kapur standartet më të larta të sigurisë dhe të rrisë buxhetin për mbrojtjen në nivelin e kerkuar nga NATO.’- shkroi Salianji.

Ora 15:28
Sulmi kibernetik i Iranit, Basha: Dëshmon rëndësinë jetike të bashkëpunimit me SHBA dhe NATO-n

1662557478_630a6fba0e573bASHA.jpg

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të qeverisë për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi konfirmuan se sulmi kibernetik ndaj portaleve qeveritare të Shqipërisë është bërë nga Irani.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë dëshmon sërish rëndësinë jetike që ka Aleanca e NATO’s për sigurinë tonë.  Ne u jemi mirënjohës SHBA për mbështetjen e pazëvendësueshme dhe qëndrojmë krah për krah aleatëve tanë në NATO për ta mbajtur Iranin përgjegjës dhe për të parandaluar kërcënimet dhe aktet kundër sigurisë sonë të përbashkët”, shkruan ai.

 

Ora 14:01
Partia e Lirisë përkrah vendimin e qeverisë për masën ndaj Iranit: Vendim i drejtë, por i vonuar

1662552064_agimnesho.JPG

Partia e Lirisë përkrah vendimin e qeverisë për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, njoftoi sot zv. Kryetari i PL-së, Agim Nesho.

Nesho e cilësoi të drejtë, por të vonuar masën, ndërsa tha se qeveria duhet të reflektojë dhe të jetë më e qartë në politikën e jashtme.

“Qeveria shqiptare sot konfirmoi për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si rezultat i sulmit kibernetik ndaj vendit tonë kohët e fundit. Partia e Lirisë, e përkrah këtë masë ekstreme në marrëdhënien diplomatike mes dy vendeve tona, duke e quajtur të drejtë por pak të vonuar ndaj një vendi, që qëllimet e tij ndaj Shqipërisë i ka pasur agresive dhe destabilizuese, burim kërcënimi të papranueshëm për sigurinë kombëtare. Ne mendojmë, që qeveria shqiptare duhet të jetë më e qartë në qëndrimet e saj të politikës së jashtme, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjik, BE dhe SHBA, sidomos në kushtet e sotme të cënimit të rendit ndërkombëtar nga fuqi sfiduese si Rusia, Irani, etj., për të mos lejuar shtrirjen e influencave të tyre nëpërmjet projekteve destabilizuese rajonale, qarkullimit pakufizim të shtetasve nga këto vende jo-miqësore, që realizojnë interesa anti-perëndimore. Partia e Lirisë, mendon që ngjarjet e fundit duhet të sjellin reflektim në qeverisje dhe thekson rëndësinë e qartësisë në politikën e jashtme që i duhet Shqipërisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian”, u shpreh Nesho.

Ora 14:01
Sulmi kibernetik nga Irani, Tabaku: Qeveria përgjegjëse, tregton sigurinë kombëtare për përftime politike

1658216887_800061b0dc233fbe6.jpg

Sulmi kibernetik që përjetoi Shqipëria është një dëshmi e qartë se sa të pambrojtur jemi dhe këtë të cilin qeveria duhet të mbajë përgjegjësi. Ky ishte reagimi i deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku, pas vendimit të qeverisë shqiptare për të shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, i cili qëndron pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve publike online.

Sipas Tabakut, parlamenti duhet të informohet plotësisht për atë që ka ndodhur dhe masat e ndërmarra nga qeveria për rritjen e sigurisë në të ardhmen. Për deputeten demokratike është papërgjegjshmëria e qeverisë që e ka bërë Shqipërinë një objektiv të lehtë, ndërsa siguria e të dhënave personale tregtohet për përfitime politike.

‘Sulmi kibernetik që përjetoi Shqipëria gjatë verës është një dëshmi e qartë se sa të pambrojtur jemi dhe është çështje e Sigurisë Kombëtare. Miliona dollarë janë shpenzuar nga Qeveria në sigurinë kibernetike, ndërsa rezultatet ende nuk janë treguar. Dikush përgjegjës? Parlamenti duhet të informohet plotësisht për atë që ka ndodhur dhe masat e ndërmarra nga qeveria për rritjen e sigurisë në të ardhmen! Në këtë epokë shumë të dixhitalizuar, Shqipëria, anëtare e NATO-s, nuk mund të lejojë të mos veprojë. Shqiptarët kanë përjetuar 3 rrjedhje të të dhënave personale për shkak të përdorimit të qeverisë për qëllime elektorale. Kjo ka hapur një portë mosbesimi që mund të përdoret lehtësisht nga kriminelët dhe subjektet kibernetike. Papërgjegjësia e qeverisë e ka bërë Shqipërinë një objektiv të lehtë, ndërsa Siguria Kombëtare tregtohet për përfitime politike.’ – tha Tabaku.