SHBA-Nga sulmi me armë zjarri në Florida kanë humbur jetën dy persona ndërsa 11 janë të plagosur. Fillimisht u raportua se ishin katër të vdekurit, por autoritetet konfirmojnë se janë dy. Ndërsa autori i vrasjeve David Katz, 24-vjeçar nga Baltimore pas ngjarjes u vetëvra.

Ai hapi zjarr në një kompleks argëtimi në Jacksonville të Floridës gjatë një turneu video-lojërash. Mes personave që u plagosën ishte edhe një shqiptar, Drini Gjoka. 19-vjeçari, fitues i edicionit të kaluar, ishte pjesëmarrës në turneun e video-lojërave. Pas ngjarjes ai u shpreh se ‘kjo ishte dita më e keqe e jetës së tij, ndërsa plumbi e kishte gabuar në gishtin e dorës’.

Turneu ‘online’ i Madden-it, që po zhvillohej është një video-lojë e dedikuar futbollit amerikan NFL. Turneu po transmetohej LIVE në rrjetet sociale, por është ndërprerë në momentin që autori u fut në kompleks duke hapur zjarr.