Rusia ka kryer sulmin më të rëndë ndaj Ukrainës gjatë këtij viti, duke lënë të paktën 17 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur pas një vale masive sulmesh në disa qytete të vendit. Sipas mediave në Ukrainë, Moska goditi me 19 raketa balistike, 25 raketa kruiz dhe 659 dronë.
Forcat ruse gjithashtu goditën infrastrukturën kritike në qytetin e Çernihivit, duke shkaktuar zjarre dhe duke lënë afërsisht 6,000 banorë pa energji elektrike.
"Armiku shënjestroi infrastrukturën kritike në qytet. Zjarret shpërthyen", shkroi kreu i administratës ushtarake të qytetit të Çernihivit, Dmytro Bryzhynskyi në X.
Pas këtyre sulmeve të njëpasnjëshme Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha në X se Moska po vazhdon të përdorë terror kundër të pafajshmëve.
“Rusia mbrëmë qëllimisht shënjestroi dhe vrau përsëri civilë ukrainas. Me ushtrinë e saj të bllokuar në fushën e betejës, Moska vazhdon të përdorë terror kundër të pafajshmëve. Rusia dëshiron më shumë luftë, kështu që përgjigjja jonë është më shumë ndihmë për Ukrainën, më shumë presion mbi Rusinë dhe llogaridhënie e plotë për krimet e luftës. Evropa po bën pjesën e saj.
Në ditët e fundit, Gjermania dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje armësh prej 4 miliardë eurosh, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar paketën e saj më të madhe të dronëve ndonjëherë dhe Holanda është zotuar për 200 milionë euro, ndër angazhime të tjera. Për BE-në, ka ardhur koha për të zhbllokuar kredinë prej 90 miliardë eurosh dhe për të ecur përpara me paketën e njëzetë të sanksioneve” shkroi ajo.
Lufta në Ukrainë është tani në vitin e saj të pestë dhe ka pasur disa raunde bisedimesh për paqe, me SHBA-në që vepron si ndërmjetës. Megjithatë, procesi është bllokuar që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e zhvendosi fokusin e tij te lufta në Lindjen e Mesme.
Ajo që Ukraina ka propozuar vazhdimisht është një armëpushim i plotë dhe i qëndrueshëm si hap i parë drejt negociatave për një fund të qëndrueshëm të pushtimit rus. Por Moska këmbëngul që së pari të arrihet marrëveshja e paqes, duke nxitur akuza nga Kievi se Rusia nuk e merr seriozisht përfundimin e luftimeve.
Komente










