Nëse një protestë përsërit çdo ditë të njëjtin mesazh, me të njëjtat forma dhe pa prodhuar një zhvillim të ri politik, sikurse ka 84 herë që po e bën, ajo rrezikon të kthehet, nga një instrument presioni politik, në një ritual të përditshëm.

Sot, në ditën e 84-t të saj, protesta paqësore dhe e pandërprerë në Tiranë nuk është më thjesht një protestë që kërkon të përcjellë një mesazh politik apo qytetar. Ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sprovë rezistence: sa gjatë mund të vazhdojë një lëvizje proteste, pa humbur energjinë, mbështetjen dhe aftësinë për të prodhuar efekt politik?

84 ditë protestë të pandërprerë nuk janë pak. Në politikën shqiptare, ku protestat zakonisht shpërthejnë me intensitet të madh dhe më pas zbehen gradualisht, një qëndrueshmëri e tillë është një dukuri që meriton të analizohet. Dhe pikërisht tani shtrohet pyetja më e vështirë: a i ka thënë protesta të gjitha ato që kishte për të thënë?

Nëse një protestë përsërit çdo ditë të njëjtin mesazh, me të njëjtat forma dhe pa prodhuar një zhvillim të ri politik, sikurse ka 84 herë që po e bën, ajo rrezikon të kthehet, nga një instrument presioni, në një ritual të përditshëm. Dhe çdo protestë, sado i fortë të jetë motivi fillestar, ka nevojë për energji të re, ide të reja dhe objektiva të qarta, për të ruajtur vëmendjen publike dhe atë mediatike.

E kthen dot protesta pakënaqësinë në një forcë të organizuar politike dhe qytetare?

Kjo nuk do të thotë se mesazhi i protestës ka humbur domosdoshmërisht rëndësinë. Fakti që ajo ka mbijetuar për 84 ditë tregon se ekziston një pakënaqësi që nuk është zhdukur. Por ekziston një dallim i madh ndërmjet pranisë së pakënaqësisë, jo vetën në rrjetet sociale, por edhe në bisedat e qytetarëve në kafene, dhe aftësisë për ta kthyer atë pakënaqësi në një forcë të organizuar politike dhe qytetare.

Kjo është sfida e vërtetë e protestës. Një protestë qytetare matet jo vetëm me numrin e ditëve që zgjat, por edhe me atë që arrin të ndryshojë. A ka ndikuar në opinionin publik? A ka detyruar qeverinë të ndryshojë qëndrim? A ka prodhuar një debat të ri kombëtar? A ka krijuar një alternativë bindëse? A ka zgjeruar bazën e saj, përtej grupit të përhershëm të mbështetësve?

Nëse përgjigjet janë të kufizuara, atëherë pas 84 ditësh lind natyrshëm pyetja nëse protesta ka nevojë për një fazë të dytë.

Sepse rezistenca për hir të rezistencës nuk është e mjaftueshme. Një lëvizje qytetare duhet të dijë edhe kur të ndryshojë formën e saj.

Një protestë mund të jetë e gjatë, por nëse nuk është dinamike, koha mund të kthehet nga aleat, në kundërshtar. Pas gati tre muajsh, qytetarët po mësohen me praninë e saj dhe media në tërësi po e trajton më pak.

Pikërisht këtu qëndron paradoksi i saj i këtyre ditëve. Sa më gjatë zgjat protesta, aq më e jashtëzakonshme bëhet rezistenca e saj. Mirëpo, njëkohësisht, aq më e madhe bëhet nevoja për një arsye të re për të vazhduar.

A rindizet protesta në shtator?

Rikthimi i aktivitetit të plotë politik, hapja e institucioneve dhe rikthimi i vëmendjes së opinionit publik te problemet e vendit krijojnë një terren tjetër nga ai i muajve të verës.

Por një ringjallje apo rindezje e protestës nuk vjen automatikisht, vetëm sepse ndryshon muaji.

Nëse protesta dëshiron të rikthehet me forcë në shtator, do t'i duhet të bëjë diçka më shumë sesa ç’po bën këto ditë. Kjo nënkupton një mesazh më të qartë, objektiva më të matshëm, një komunikim më të gjerë me qytetarët dhe, mbi të gjitha, aftësi për të përfshirë shtresa që deri tani kanë qëndruar jashtë saj.

Një protestë e nisur nga energjia e të rinjve mund të ketë nevojë të shndërrohet në një lëvizje me mbështetje më të gjerë shoqërore. Mirepo po bëhen gati tre muaj protestë dhe kjo nuk ka ndodhur. Ka ndodhur e kundërta. Kurioziteti i qytetarëve pothuajse është shuar dhe mbështetja ka rënë në minimumin e bërthamës së qëndrestarëve. Punonjës, sipërmarrës, profesionistë, studentë, fermerë dhe kategori të tjera qytetarësh ende nuk kanë gjetur aty arsyen e tyre për të qenë pjesë e saj. Si zor ta gjejnë në shtator.

Çdo lëvizje proteste ka një kapital të kufizuar energjie. Energjia njerëzore konsumohet. Vëmendja publike konsumohet. Entuziazmi konsumohet. Edhe zemërimi, nëse nuk shoqërohet me një perspektivë konkrete ndryshimi, mund dhe po kthehet në lodhje.

Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse protesta ka ende njerëz në rrugë. Pyetja është: a ka ende njerëz që besojnë se prania e tyre në rrugë mund të ndryshojë diçka?

Në këtë rast, problemi nuk do të jetë mungesa e zemërimit, por mungesa e një faze të re politike. Protesta tashmë e ka provuar se mund të rezistojë. Tani duhet të provojë nëse mund të evoluojë. Një protestë që zgjat 84 ditë është shenjë e një pakënaqësie të thellë shoqërore. Por jo një projekt i qartë politik që t’u ngjallë shpresë qytetarëve.

Prandaj, pyetja e shtatorit nuk është thjesht: “A do të vazhdojë protesta?” Pyetja më e rëndësishme është: “Me çfarë energjie, me çfarë mesazhi dhe për çfarë qëllimi do të vazhdojë?”