Për ekspertin e Çështjeve Ndërkombëtare, Emilio Çika duhet që të priten hetimet për të parë nëse sulmi i bërë nga Rahmanullah Lakanwal, 29-vjeçari afgan që qëlloi ndaj Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, në SHBA nëse ishte një sulm terrorist.
I ftuar në emisionin ‘Bota Report’ në Report Tv, ai tha se ka persona që nuk janë dakord me politikat e presidentit Donald Trump në SHBA.
‘Duhet që të priten hetimet për të parë nëse mund të jetë akt terrorist, po mund të jetë edhe një çështje personale. Një frustrim mbase momental. Kjo merr një vlerë tjetër për arsye të ngarkesës që ka personi në fjalë në aspektin e të shkuarës së tij dhe për shkak të zhvillimeve të brendshme në SHBA. Shumë shtete brenda SHBA janë vendosur në një regjim nga Trump për të sjell atë që është siguria e brendshme në SHBA. Ka një përplasje në SHBA të rrymave të ndryshme me këto politika që janë përzgjedhur dhe zbatuar nga Trump', tha ai.
Teksa u ndal tek vala e emigrantëve sot në botë, ai tha se kjo valë e emigrantëve pritet që të prek edhe Shqipërinë.
‘Afganët janë larguar nga Shqipëria se kanë synime vende të tjera ku duan që të jetojnë. Nëse kanë pasur ose jo probleme gjatë qëndrimit këtu duhet parë. Ne mesa duket edhe në vazhdim do kemi një fluks të huajsh në Shqipëri për arsye ekonomike, shohim kudo të huaj që janë vendosur në Shqipëri dhe do shohim më shumë. Shqipëria s’ka qenë pjesë e valve emigratore deri, por duhet që të mësohet edhe shoqëria me këtë fenomen’, tha ai.
Një koment e pati edhe për deklaratën e presidentit të Rusisë Vladimir Putin, i cili ka deklaruar se është gati të diskutojë mbi planin e paqes së SHBA.
‘Duhet parë ai që do të jetë takimi i Moskës dhe rezultati që do të sjellë. E dyta duhet thënë që Rusia nuk ka pranuar atë që është kund marrëveshja e propozimit europian. Ngelet për tu parë. Dy janë momentet e rëndësishme, i pari takimi në Moskë dhe takimi Zelensky- Trump. Këto janë dy momente kyçe. Pikat më të rëndësishme të marrëveshjes janë shkëmbimi i territoreve, për të cilat Ukraina e ka pikë të panegocueshme por shihet se po fillon që të bëjë lëshime. E dyta garancitë e sigurisë që do ti jepen Ukrainës dhe e treta asetet e ngrira ruse’, tha ai.
Komente











